Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekoruar dje me medaljen e Flamurit Kombëtar, shkrimtarin e shquar Ismail Kadare në konferencën solemne “Shekulli i Kadaresë” organizuar nga Akademia e Shkencave.
“Të flasësh për Kadarenë duket e lehtë dhe e vështirë, – tha Nishani ndër të tjera. – E lehtë sepse për të ke pambarimisht për të thënë dhe për të kanë folur zërat më të shquar të Evropës, si njerin prej gjenive më të ndritur të letrave në çdo kohë.
Unë jam një prej lexuesve të Ismail Kadaresë, i çdo gjëje që ai ka shkruar. Jam shqiptar i dy periudhave dhe mund të them se çfarë ka qënë dhe çfarë do të jetë për ne vepra e tij. Në një sistem tiranik, Kadare ruajti dhuntinë e shkrimit. Vepra e tij ishte univers lirie dhe hapësirë e pamasë krijuese. Ndihej në çdo rresht, desidenca estetike dhe politike që kulmoi me Pallatin e Endrrave. Çdonjeri prej jush bie në një mendje me mua, – theksoi Presidenti, se Kadare me intuitë shekspiriane përkufizoi ndodhitë shqiptare përmes përkthimeve në të gjitha gjuhët e botës.”