Nishani, “Doktor Nderi” nga universiteti i Stambollit

Presidenti Nishani u vlerësua dje me gradën “Doktor Nderi” nga universiteti më i vjetër i Stambollit, duke zhvilluar një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Turqi, si dhe bëri homazhe në varrin e Sami Frashërit.
Në kuadrin e vizitës në universitetin më të vjetër të Stambollit, rektori i parë i të cilit ka qenë Hasan Tahsini, Presidenti Nishani u prit nga rektori i këtij universiteti dhe akademikë e profesorë. Pas prezantimit të kreut të shtetit shqiptar para trupës akademike e studentore, rektori i këtij universiteti i akordoi Presidentit Nishani “Gradën Doktor Nderi i Universitetit në Drejtësi”.
Më pas Presidenti Nishani mbajti një fjalë për auditorin, ku ndër të tjera shprehu keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat e akteve terroriste në Stamboll e në qytete të tjera të Turqisë, si dhe solidaritetin me popullin turk në luftën kundër terrorizmit.
Kreu i shtetit evidentoi edhe miqësinë e fortë që ekziston mes dy popujve, duke theksuar se në themel të tyre janë vlerat e përbashkëta, përfshirë edhe kontributet e shumë shqiptarëve të shquar për forcimin e kësaj miqësie. Në mënyrë të veçantë Presidenti i Republikës iu referua figurave të ndritshme të Hasan Tahsinit, Sami dhe Abdyl Frashërit, Iliaz Pashë Dibrës, Mehmet Akif Ersoyt, Ismail bej Vlorës, Ferid Pashës, Vaso Pashës, Rauf Ficos, Mehmet Konicës, Abedin Dinos, Nexhip Alapanit e shumë personaliteteve të tjerë që kanë dhënë një kontribut të shquar si për popullin dhe Turqinë moderne, ashtu edhe për popullin shqiptar dhe forcimin e miqësisë turko-shqiptare. Një falënderim të veçantë Presidenti Nishani e bëri dhe për mundësinë që ky universitet u ka dhënë ndër vite dhjetëra shqiptarëve për të studiuar dhe marrë grada të ndryshme shkencore.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi, kreu i shtetit organizoi edhe një takim-pritje me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Stamboll dhe nga qytete të tjera të Turqisë, ku shprehu mirënjohjen për kontributin që këto shoqata kanë dhënë për ruajtjen dhe promovimin e vlerave më të mira kulturore e historike të shqiptarëve në Turqi, si dhe vijimin e ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve miqësore mes dy popujve.
Presidenti Nishani e konsideroi komunitetin e shqiptarëve në Turqi si një prej komuniteteve më të mëdha jashtë trevave shqiptare, si dhe theksoi se shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e kudo tjetër janë krenarë me kontributin që ky komunitet ka dhënë për rimëkëmbjen ekonomiko-sociale të Shqipërisë pas ndryshimeve demokratike, për pavarësinë e Kosovës, si dhe përmirësimin e kushteve e të drejtave të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës zhvilloi homazhe edhe në varrin e atdhetarit të shquar Sami Frashëri, ku vendosi një kurorë me lule me dedikim të posaçëm. Në homazhe morën pjesë edhe trashëgimtarë të brezit të tretë të Sami Frashërit, shqiptarë të shumtë me banim në Stamboll si dhe Presidenti i Klubit Sportiv “Gallatasaraj”, klub i themeluar nga djali i Sami Frashërit, Ali Sami Yen, në vitin 1905. Për nder të Sami Frashërit dhe djalit të tij, Ali Sami Yen, Presidenti Nishani la një shënim edhe në librin e miqve të Klubit të Futbollit “Gallatasaraj” të Stambollit.

Artikulli paraprakLirimi i Lul Berishës, “arrest me burg” për drejtorin e burgut
Artikulli tjetërDekriminalizmi, 40 zyrtarë të paditur për falsifikim