Nishani: E drejta për votën e lirë është e panegociueshme

-Zoti Nishani, ju, si Kryetari i Shtetit të Republikës së Shqipërisë si i komentoni zhvillimet në Maqedoni?
Shqipëria as nuk ka ndërhyrë dhe as nuk ndërhyn në zhvillimet e brendshme politike të ndonjë një vendi, përfshirë edhe Maqedoninë. Shqipëria është e interesuar, ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë për stabilitetin e Maqedonisë, për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve fqinjësore me Maqedoninë. Ka një dimension akoma më të rëndësishëm në këtë angazhim të Shqipërisë për faktin se shqiptarët janë një faktor shtetformues në Maqedoni dhe pa dyshim në këtë kontekst, jo vetëm si faktor shtetformues, por edhe si përcaktim dhe detyrim kushtetues në Republikën e Shqipërisë, Shqipëria është e ngarkuar me përgjegjësi kushtetuese për të mbështetur edhe për të qenë e interesuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Deklaratat e fundit të disa prej autoriteteve politike në Maqedoni, për fatin e keq janë deklarata, të cilat nxisin në mënyrë artificiale ndasitë dhe urrejtjen ndëretnike, çka është në radhë të parë shumë e dëmshme për vetë Maqedoninë, është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe është e dëmshme për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë. Ne kemi mbështetur dhe është detyrë kushtetuese të mbështetet faktorit politik shqiptar për të pasur një mekanizëm siç është platforma që partitë shqiptare kanë arritur me vullnetin e tyre politik, angazhimin e tyre strukturor si një mekanizëm që do t’u garantojë shqiptarëve zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje e dakordësuar nga të gjitha palët në Maqedoni, maqedonas dhe shqiptarë, e dakordësuar dhe e garantuar nga komuniteti ndërkombëtar. Për fatin e keq në të gjitha vitet që pasuan nuk është konstatuar një zbatim i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. Ndaj, unë gjykoj se faktori politik shqiptar në Maqedoni ka gjetur mekanizmin më të mirë për të garantuar përmes kësaj platforme zbatimin e plotë në frymë e në gërmë të Marrëveshjes së Ohrit. Çdo tentativë për të artikuluar përmes deklaratave që nxisin, e theksoj edhe një herë, në mënyrë artificiale urrejtjen ndëretnike në Maqedoni, dukshëm i adresohet transferimit të konkurencës dhe konfliktit politik të brendshëm partiak në Maqedoni, në fushën e përplasjeve ndëretnike. Unë mendoj se është e gabuar, është e gabuar kudo që ajo të ndodhë, që konkurrenca, beteja, lufta për pushtet politik në jetën e brendshme të transferohet në konflikte të tjera, qofshin ato me nuanca ndëretnike apo me nuanca të tjera, aq më keq edhe ndërfqinjësore. Ne duhet të kuptojmë diçka që asnjë politikan nuk është i përjetshëm në karrigen e pushtetit ku është ulur. Ekzistenca e popujve dhe e drejta e popujve për të ushtruar të gjitha liritë e tyre është e përjetshme. Unë mendoj që shqiptarët dhe maqedonasit në Maqedoni kanë bashkëjetuar shumë e shumë kohë më parë se sa Presidenti apo Kryeministri të ulet në karrigen përkatëse dhe jam i bindur që do të vazhdojnë të bashkëjetojnë edhe shumë e shumë kohë më pas se sa presidentë apo kryeministra të caktuar të lënë karriget e pushtetit. Unë jam i bindur se qytetarët e Maqedonisë, shqiptarët, por dhe maqedonasit do ta kuptojmë se sa e rëndësishme është për të ardhmen e tyre, të vendit të tyre e të familjeve të tyre bashkëjetesa dhe ndërtimi i një bashkëjetese jo vetëm formalisht në respekt reciprok midis komunitetesh, por në respekt të lirive të gjithsecilit, padyshim liri të garantuara këto nga kolona kushtetuese dhe legjislative. Ndaj çdo akt i ndërmarrë në rrugë ligjore që përfaqëson dukshëm vullnetin e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Maqedonisë për të garantuar këto liri dhe të drejta të çdo qytetari të Maqedonisë besoj se përfaqëson vetëm dimensionin e një vendi normal, e një demokracie normale dhe e hapësirave për të shkuar së bashku, shqiptarët dhe maqedonasit në Maqedoni në proceset që vetë Maqedonia, ashtu si dhe Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit i kanë deklaruar si prioritete, që është integrimi euroatlantik, ai në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Rajoni ynë i ka për fatin e keq ende të freskëta leksionet e një të shkuare jo të largët kur platformat politike përktheheshin dhe synonin të kishin përfitime, duke shfrytëzuar apo nxitur konflikte ndëretnike. Besoj që në një të shkuar jo të largët këto platforma kanë treguar se si mund të dështojnë dhe ideuesit e tyre të dështojnë totalisht dhe të kenë një destinacion jo të mirë. Unë jam i bindur që Shqipëria si deri më sot do të vazhdojë të kontribuojë për marrëdhëniet e mira fqinjësore me Maqedoninë dhe çdo vend tjetër fqinj të saj. Ne përkrahim, mbështesim dhe do të nxisim sa të jetë e mundur proceset e integrimit euroatlantik të Maqedonisë dhe jam i bindur gjithashtu që qytetarët e Maqedonisë, shqiptarë dhe maqedonas, nuk do të fokusohen dhe nuk do të adresojnë të ardhmen e tyre tek ambiciet dhe egot politike të individëve të caktuar, të cilët mund ta konsiderojnë të përjetshëm pushtetin, por do ta adresojnë angazhimin, kontributin dhe orientimin e tyre tek e ardhmja e Maqedonisë në tërësi si shtet i tyre i përbashkët, tek bashkëjetesa e tyre dhe tek kapërcimi i sfidave që vijnë për Maqedoninë si shtet, ashtu siç vijnë dhe për Shqipërinë sfida të ndryshme që shqiptarët në Shqipëri janë të angazhuar për t’i përcjellë dhe për t’i përballur në mënyrën më të mirë efikase të mundshme.
-A ju duket sikur qytetarët në rajon janë më shumë të prirur për bashkëjetesë, në këtë kontekst edhe ju u shprehët tani, se sa elitat e tyre politike, kam rastin edhe për çështjen e zotit Haradinaj….
Patjetër! Ky është leksioni më i vjetër botëror në historinë e të gjithë zhvillimit të njerëzimit, në daç asaj të largët dhe në daç asaj të afërt ka treguar që interesi i njerëzve është të prosperojnë jetën e tyre, të jetojnë në paqe, në mirëkuptim edhe të zhvillohen në të gjithë dimensionet që përmban jeta e përditshme e individit dhe e familjes. Në konkurrencë me këtë tendencë dhe orientim të qytetarëve patjetër që ka gjithmonë deviacione që vijnë nga individë, të cilët keqpërdorin dimensionin e politikës, apo të institucioneve që posedojnë në një moment apo mandat të caktuar. Koha ka bërë gjithnjë korrigjimin e tyre përmes angazhimit dhe qëndresës së qytetarëve, të popujve, apo të një shoqërie të caktuar në një vend të caktuar. Në këtë kontekst, unë do të thoja edhe në rajonin tonë, historia besoj duhet të jetë mësuesi më i mirë për këdo dhe duhet të jetë mësimi më i mençur që duhet të nxjerrë gjithësekushi. Situata me zotin Haradinaj është patjetër një situatë për të ardhur keq, është një situatë krejt e pajustifikuar. Zoti Ramush Haradinaj është gjykuar në mënyrë të përsëritur nga gjykatat më të larta ndërkombëtare, e pranuar nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj gjykate, vendimet e kësaj gjykate janë të pranuara dhe duhet të pranohen nga të gjitha shtetet, të cilat e njohin gjykatën përkatëse dhe nuk ka se si që akt i caktuar i një gjykate të një niveli më ulët, të kapërcejë edhe të dalë mbi vendimet e gjykatave më të larta. Ky është një rregull i përbotshëm dhe është fondamenti i tërë kolonës së jurisprudencës. Kështu që unë mendoj se nuk ka arsye të keqpërdoret hapësira e lirisë së një individi, aq më tepër e një personaliteti politik dhe kontribuesi të madh qoftë të lirisë, qoftë dhe të paqes siç është zoti Haradinaj. Të gjitha dokumentet e lëshuara nga administrata e Milosheviçit së pari i takojnë një shteti që nuk ekziston më. Ne nuk kemi më një ish-Jugosllavi. Ne kemi një realitet krejt tjetër në Ballkan dhe në Evropë, një realitet tashmë i njohur dhe pranuar nga shumica dërrmuese e shteteve të Evropës, por dhe një shumicë shumë e madhe në nivel global. Qoftë në aspektin legal, qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin procedurial çështja e zotit Haradinaj është një çështje, e cila nuk mundet dhe nuk ka asnjë shpjegim pse ndodhet në situatën e sotme. Gjithsesi nuk jam i bindur që do të tejkalohet çdo tentativë e pajustifikuar për të vazhduar për të mbajtur të izoluar zotin Haradinaj nga jeta e tij politike, familjare, shoqërore në Kosovë. Kosova, shteti i Kosovës, paqja në Kosovë dhe proceset e tjera paqtuese kanë nevojë edhe për kontributin e zotit Haradinaj në vijimësi dhe unë jam i bindur që së shpejti ky proces do të jetë në rrugën dhe standardet që i takon.
-Ju folët për leksionet që na jep historia, por në fakt duhen dhe nxënës të mirë për t’i mësuar shpejt këto leksione. Shqipëria, le të themi, vazhdon të mos bëjë zgjedhje me standarde të lira, vazhdon të ketë gjithmonë ngërç kur reforma të rëndësishme janë në prag të zbatimit të tyre, përtej debateve për hartimin e këtyre reformave. Dua të ndalem pak tek procesi i Vettingut….
Së pari, në lidhje me atë që ju e adresuat si sfidë për zgjedhjet e lira; Për fatin e keq kemi sfida shumë serioze në Shqipëri për sa i takon çështjes së zgjedhjeve të lira, por konkluzioni në këtë çështje është shumë i qartë besoj. E drejta për të qenë i lirë, për të votuar i lirë është e panegociueshme. Nuk e di se kush mund të jetë ndonjë aktor që mund të marrë përsipër përgjegjësinë që të negociojë të drejtën për lirinë e votimit, për lirinë politike. Që pas vitit 1992, kjo është e sanksionuar nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë në Kushtetutë edhe në jetë reale. Për të ardhur tek procesi i Reformës në Drejtësi, i cili mbetet një proces shumë i rëndësishëm, një proces i cili ka pasur deri tani zhvillime të rëndësishme besoj, qoftë në draftimin, miratimin e ndryshimeve kushtetuese, qoftë në proceset e tjera vijuese. Tashmë hyjmë në një fazë shumë delikate, dhe shumë të rëndësishme, e cila do të konsistojnë kryesisht tek pjesa e besueshmërisë, pra ndërtimi i mekanizmave që do të bëjnë të mundur reformimin e sistemit, sepse ne jemi tani tek ndërtimi i mekanizmave që do të vihen në lëvizje për të reformuar sistemin në vijimësi, sepse sistemi nuk reformohet vetëm duke draftuar dhe miratuar ligje në Parlament. Sistemi do të reformohet përmes këtyre mekanizma, të cilat sapo kanë filluar të ndërtohen tashmë në Shqipëri. Së pari, duhet me çdo kusht që në këtë proces të përcaktohen përcaktimet kushtetuese. Kushtetuta tashmë është mjaft e qartë, është një Kushtetutë, e cila është hartuar edhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë. Procesi i Vettingut është një proces serioz, është një proces, i cili me shumë të drejtë, pikërisht me arsyen për të rritur kredibilitetin dhe besueshmërinë e tij, ka paraparë edhe në Kushtetutë, edhe në mënyrën e funksionimit, përfshirjen e partnerëve ndërkombëtarë përmes Misionit të Monitorimit Ndërkombëtar. Një proces i cili kërkon sipas Kushtetutës, bazueshmërinë në marrëveshjen ndërkombëtare. Unë deri më tani nuk kam dhënë ndonjë autorizim si President i Republikës për ndonjë marrëveshje specifike ndërkombëtare. Nuk kam konstatuar në Parlament miratimin e ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare. Besoj se aktorët politikë vendas, bazuar edhe në shqetësimet e ministrit të Drejtësisë, por edhe në atë që unë i kam përcjellë Parlamentit si President i Republikës, por dhe partnerët ndërkombëtarë që janë angazhuar dhe kanë marrë përsipër përgjegjësitë për të asistuar, do të respektojnë në germë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë edhe në procesin e krijimit e mekanizmave për Vettingun, edhe në të gjitha proceset e tjera pasuese. Por është shumë e rëndësishme që procesi të ecë, të zhvillohet. Baza e tij duhet të jetë kushtetueshmëria, transparenca, gjithëpërfshirja e të gjithë aktorëve dhe padyshim, të gjithë këto duhet të bëjnë të mundur që besueshmëria që kërkojnë qytetarët shqiptarë ta përcjellë të gjithë këtë si proces. Nëse ne në procesin e ndërtimit të mekanizmave, jo vetëm të Vettingut, por të gjithë mekanizmave që do të reformojnë sistemin do të krijojmë një situatë perceptimi, polarizimi midis qytetarëve ku një grup të mendojë se ky është një proces që po ecën shumë mirë dhe një grup tjetër të mendojë se ky është një proces që po ecën në mënyrë të njëanshme dhe për t’u kapur politikisht, ky do të dëmtonte shumë të gjithë procesin dhe do të bënte pothuajse shumë të vështirë besueshmërinë nesër edhe të mekanizmave që do të krijohen, edhe të individëve që do të jenë pjesë e këtyre mekanizmave për të përmbushur detyrën e tyre. Prandaj, sot sa nuk është vonë ne duhet të tërhiqemi që të gjithë nga retorika politike. Procesi nuk ka nevojë për t’u përdorur politikisht nga askush. Procesi ka nevojë për t’u mbështetur ligjërisht dhe kushtetueshmërisht në mënyrë që të jetë transparent në sytë e publikut, të jetë i besueshëm në sytë e publikut dhe të jetë i shëndetshëm të kontekstin legal. Kam qenë dhe vazhdoj të mbetem në mbështetje të ecjes përpara të procesit të Reformës në Drejtësi.

Marrë me shkurtime nga ABC News

Artikulli paraprakFarsa e Ramës me drogën tani që ka mbaruar korrja
Artikulli tjetërVlahutin-eurodeputetes: Vila 1.6 milionë euro, jo shumë e shtrenjtë