Presidenti, Nishani, priti dje në një takim të veçantë kongresmenin amerikan Eliot Engel, i cili ndodhet në një vizitë pune në Shqipëri, i shoqëruar edhe nga një prej personaliteteve të diasporës shqiptare në SHBA, Harry Bajraktari. Presidenti Nishani përshëndeti vizitën e radhës së Kongresmenit Engel në Shqipëri, si një prej vizitave të shumta të tij dhe e falënderoi atë për rolin e veçantë dhe mbështetjen e fuqishme që ai personalisht i ka dhënë Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve, për afro tre dekada si kongresmen. Në mënyrë të veçantë, Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e Kongresmenit Engel me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i Shtetit u shpreh se: “është gjithmonë kënaqësi mikpritja e një kongresmeni amerikan në Tiranë, por vizita dhe prania juaj na jep një gëzim të veçantë, si mua personalisht si President i vendit ashtu edhe të gjithë shqiptarëve”. Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe e të qenësishme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, që prej themelimit të shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, me Pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës. “Shtetet e Bashkuara kanë qenë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve në momente kyçe të historisë së tyre moderne dhe lista e falënderimeve do të ishte shumë e gjatë, por një falënderim të veçantë dëshiroj ta bëj për mbështetjen që SHBA-të kanë dhënë për rrëzimin e regjimit komunist dhe dekomunistizimin e vendit, si dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e ndihmuar të bëhet një anëtare e denjë e kësaj aleance”, u shpreh Presidenti Nishani. Presidenti theksoi ndër të tjera se, Shqipëria dhe shqiptarët i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si mikun dhe aleatin e saj strategjik më të madh dhe e siguroi kongresmenin amerikan Engel se, shqiptarët me krenari të veçantë e legjitime do të jenë gjithnjë krah Shteteve të Bashkuara në përballimin e sfidave globale dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar e ekstremizmit të dhunshëm me baza fetare. “Shqipëria është e vendosur për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin, si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel global”, u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani, duke shfrytëzuar edhe prezencën edhe të përfaqësuesit të diasporës shqiptare në SHBA, Harry Bajraktari u shpreh se ne shqiptarët ndjehemi shumë krenarë për diasporën tonë në SHBA dhe kontributin që ka dhënë për forcimin e marrëdhënieve mes tyre dhe Shteteve të Bashkuara.
Kryesore
Continue to the categoryRomeo Karaj: Basha sakrifikoi për PD-në dhe të djathtën, Berisha e...
Avokati Romeo Karaj duke folur për situatën në Partinë Demokratike në emisionit “3D” në RTSH, ka krahasuar liderët kryesorë të saj. Sipas tij, Lulzim...