Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i uroi dje mirëseardhjen në Shqipëri, në një ceremoni zyrtare, Kapitenëve Regjentë të Republikës së San Marinos, Gian Nicola Berti dhe Massimo Andrea Ugolini, të cilët po zhvillojnë një vizitë shtetërore dy ditore, në Shqipëri, me ftesë të Kreut të Shtetit shqiptar. Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të të dy shteteve, Presidenti Nishani dhe Kapitenët Regjentë të San Marinos zhvilluan një takim të shkurtër kokë më kokë dhe më pas kryesuan bisedimet zyrtare mes delegacioneve të të dy shteteve. Bisedimet zyrtare u zhvilluan në frymë miqësore, frymë evropiane dhe dëshirë të përbashkët për t’i nxitur e forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe ato shumëpalëshe. Presidenti Nishani shprehu vullnetin e palës shqiptare për t’i çuar më përpara marrëdhëniet mes dy shteteve, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë bashkëpunimit ekonomik. Kreu i Shtetit vlerësoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë që bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes dy shteteve tona të përmirësohet dhe të intensifikohet më tej, duke shfrytëzuar më mirë kuadrin ligjor që kemi në fuqi, por edhe duke eksploruar mundësitë e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja, në funksion të krijimit të mundësive për bizneset sanmarineze për të marrë pjesë me investime të drejtpërdrejta apo në projekte të ndryshme zhvillimore. Kreu i Shtetit i njohu miqtë nga San Marino mbi politikën e jashtme rajonale të konsoliduar të Shqipërisë, si dhe vlerësoi Kapitenët Regjentë për kontributin e drejtpërdrejtë të San Marinos në paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes njohjes që në fillim të pavarësisë së Kosovës. Gjatë bisedimeve u vlerësuan edhe marrëdhëniet mes dy shteteve në organizatat ndërkombëtare, ku bëjnë pjesë, si dhe u bisedua mbi zhvillimet e ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, me impakt për rajonin e Adriatikut por edhe të kontinentit evropian. Në fund të ceremonive dhe takimeve, Presidenti Nishani dhe Kapitenët Regjentë të Republikës së San Marinos dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.