Nishani me Zv/Asistenten e Sekretarit amerikan të Shtetit për Energjinë

Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti dje në një takim të veçantë Zëvendës/Asistenten Kryesore të Sekretarit të Shtetit në Zyrën për Burimet Energjetike, Ambasadoren Mary Burce Warlick, e cila ndodhet në Shqipëri në një vizitë pune në kuadrin e një turi rajonal. Presidenti Nishani përshëndeti vëmendjen e veçantë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe shprehu mirënjohjen e thellë të mbështetjes së vazhdueshme dhe thelbësore që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë, që nga pavarësia e deri në ditët e sotme për proceset demokratizuese e të integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Po ashtu, Nishani përcolli përshëndetjet më të ngrohta e të përzemërta për Presidentin Obama, me të cilin pritet të përshëndetet së shpejti në Nju Jork, në kuadrin e pjesëmarrjes në punimet e Sesionit të 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kreu i Shtetit gjatë bisedës vlerësoi gjithashtu progresin e përmbushjes së axhendës së përbashkët në kuadrin e Partneritetit Strategjik, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë rajonal e global.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Nishani vlerësoi bashkëpunimin në fushën energjetike dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për krijimin e një klime të përshtatshme për investime konkrete dhe diversifikimin e burimeve energjetike, si dhe në kuadrin e përfshirjes së Shqipërisë në projektin e gazsjellësit TAP.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu edhe iniciativën më të fundit të Shteteve të Bashkuara për Projektin e Administrimit të Energjisë, duke shprehur besimin se kjo iniciativë do të vlerësohet seriozisht dhe merret në konsideratë nga autoritetet përgjegjëse për administrimin e burimeve energjetike në Shqipëri.
Mes dy bashkëbiseduesve u trajtuan edhe çështjet e bashkëpunimit rajonal, ku Presidenti Nishani evidentoi vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar politikën e saj të fqinjësisë së mirë, në funksion të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore.

Artikulli paraprakBasha: Hetim dhe kontroll të plotë skandalit të qeverisë me maturantët
Artikulli tjetërLetra dëshpëruese e Ariolës, që përfundoi gjimnazin me mesatare 9.88