Nishani mikpret Thaçin në vizitën e parë si President në Tiranë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mikpriti me anë të një ceremonie zyrtare dhe i uroi dje vëllazërisht mirëseardhjen në Tiranë Presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po zhvillon vizitën e parë zyrtare në Shqipëri në cilësinë e kreut të shtetit.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve kombëtare të dy shteteve respektive, Presidenti Nishani dhe Presidenti Thaçi zhvilluan një takim kokë më kokë mes tyre dhe më pas, kryesuan bisedimet zyrtare së bashku me delegacionet përkatëse në përbërje të të cilëve ishin edhe disa anëtarë të kabineteve qeveritare, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë marrëdhëniet e shkëlqyera e vëllazërore që ekzistojnë mes dy shteteve fqinje, si dhe duke diskutuar për hapësirat politike dhe ekonomike të rritjes dhe zgjerimit të këtij bashkëpunimi të gjithanshëm në nivel dypalësh, rajonal dhe ndërkombëtar, të udhëhequr nga aspiratat integruese euroatlantike.
“Gjeta rastin në mënyrë të veçantë të shpreh në emrin tim personal dhe të institucionit që përfaqësoj, atij të kryetarit të shtetit shqiptar, por dhe qytetarëve shqiptarë, falënderimet, respektin dhe mirënjohjen ndaj kontributit personal të Presidentit Thaçi në rrugëtimin e gjatë të Kosovës dhe popullit të Kosovës për çlirim, pavarësim, konsolidim dhe zhvillim të mëtejshëm tashmë të shtetit më të ri të rajonit, por që duket që po ecën me ritme shumë të shpejta se mjaft prej shteteve të tjera të rajonit tonë.
Siç dhe ju e keni parë në axhendën e vizitës, në përbërje të dy delegacioneve janë përfshirë dhe ministra, anëtarë të kabineteve qeveritare të dy qeverive të vendeve tona, çka e bën axhendën e bisedimeve jo vetëm më konkrete, por edhe më impenjative.
Përtej bashkëpunimit të shkëlqyer dhe strategjik të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, përfshirja e ministrave specifikisht të fushës së bujqësisë dhe të transportit e infrastrukturës në delegacionet përkatëse, demonstron interesin e madh që dy vendet tona i kushtojnë bashkëpunimit në këto sektorë, si në kontekstin dypalësh ashtu edhe impaktin dhe lidhjet e këtyre sektorëve me zhvillimet rajonale” tha Nishani.
Në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh, vijoi kreu i shtetit, vlerësuam me nota shumë pozitive dinamikën e bashkëpunimit të deritanishëm, ku padyshim një rol të veçantë kanë luajtur edhe takimet e përbashkëta mes qeverive të të dy shteteve. “Sigurisht zoti Thaçi, në cilësi të tjera drejtuese në Kosovë, ka luajtur një rol kyç dhe shumë domethënës për konkretizimin e këtyre takimeve midis qeverive, të cilat i kanë dinamizuar edhe më shumë marrëdhëniet, veçanërisht në kuadrin e punës për unifikimin e tregjeve mes dy shteteve, përfshirë dhe atë energjetik, krijimit të pikave doganore të përbashkëta, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Lidhur me bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të kërkimit shkencor, theksoj domosdoshmërinë e nxitjes së vazhdueshme të institucioneve të të dy shteteve tona për të fokusuar energjitë dhe burimet e tyre në vijimësi në drejtim të promovimit të unifikimit të vlerave të përbashkëta historike e kulturore.  Një vëmendje të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit rajonal, aty ku të dy shtetet tona me orientim të qartë euroatlantik po kontribuojnë në mënyrë të qenësishme për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit në Evropën Juglindore.
Në këtë kuadër ritheksova mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe shpreha besimin se avancimi i mëtejshëm i këtij dialogu, respektimi dhe përmbushja e marrëveshjeve të arritura do të ndikojë jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, Serbisë dhe Kosovës, por edhe për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit për të gjithë rajonin tonë” tha Nishani.
Gjithashtu, shtoi kreu i shtetit shqiptar, duke vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale i ka dhënë një vlerë të shtuar paqes dhe sigurisë në rajon, e sigurova Presidentin Thaçi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë prezencën dhe anëtarësimin e plotë të Kosovës si në proceset eurointegruese ashtu edhe në të gjitha nismat dhe organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare.
“Procesi i integrimit euroatlantik i Kosovës dhe mbyllja sa më parë e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga BE, do të konfirmojnë dimensionin e lirisë dhe frymën e përhapjes së prosperitetit që mbart në themelin e saj hapësira euroatlantike. Shqipëria i mbështet fuqimisht këto procese dhe në këtë kuadër pata rastin të përshëndes edhe një herë nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian në prill të këtij viti, si marrëveshja e parë kontraktuale me Unionin dhe që ka hapur një fazë të re në marrëdhëniet Kosovë-BE. Sigurisht, që sot patëm rastin të diskutojmë edhe për çështje të tjera me interes për të dy shtetet tona, veçanërisht kërcënimet dhe sfidat që vijnë në drejtim të sigurisë të qytetarëve, të shteteve dhe vendeve tona. Theksuam domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve nga institucionet e specializuara të dy shteteve tona me ato të partnerëve tanë ndërkombëtarë, për luftimin me sukses dhe përballimin me sukses të çdo sfide dhe çdo provokimi që mund t’i vijë sigurisë të rajonit dhe vendeve tona. Në mbyllje të kësaj deklarate dëshiroj edhe një herë t’i shpreh Presidentit të nderuar dhe mikut tim zotit Hashim Thaçi pranimin që i bëri ftesës për të vizituar Shqipërinë dhe t’i uroj atij një qëndrim të këndshëm në Shqipërinë tonë të përbashkët” tha Nishani.

Artikulli paraprakBerisha: Komuniteti ndërkombëtar nuk pajtohet me shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbi
Artikulli tjetërAbuzimi 12 milionë euro i Veliajt dhe Ramës me qendrën e Tiranës