“Çështja e migracionit kërkon qasje kolektive nga komuniteti ndërkombëtar”. Kështu deklaroi presidenti Nishani në Tryezën e Rrumbullakët me temë: Kontrata Globale për ndarjen e përgjegjësive–për refugjatët dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare” në kuadrin e aktiviteteve të Samitit të OKB-së për refugjatët dhe migracionin. Kjo tryezë bashkëkryesohet nga Nishani me Zëvendës Presidentin e Parë të Komisionit Evropian, Komisonerin Frans Timmermans. “Nga të dhënat që disponojmë rezulton se sot, një numër i paprecedentë prej 65-70 milionë njerëz në mbarë botën janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. 21 milionë janë refugjatë dhe më shumë se gjysma e të tyre janë nën moshën 18 vjeç. Në shtetet fqinje të drejtpërdrejta të Shqipërisë, vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2016, më shumë se 160 mijë njerëz kanë kaluar detin për në Greqi dhe 93 mijë në Itali, duke mos folur këtu për gjendjen edhe më të vështirë që po përballon Turqia. Këmbana e alarmit është duke rënë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por dhe në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor për përballimin e kësaj sfide që ngërthen si dimensionin e sigurisë ashtu edhe atë humanitar. Për pasojë, kjo çështje nuk mund të mos dominonte edhe agjendën tonë sot, pasi ka zënë vend gjerësisht si në kontekstin e BE-së, OSBE-së, NATO-s, etj. Për më tepër, kur rreth 35.000 njerëz zhvendosen me forcë çdo ditë si pasojë e konflikteve apo persekutimeve, është e domosdoshme që të ndërmerren vendime dhe veprime kolektive për të trajtuar si rrënjët e këtij problemi ashtu edhe pasojat që shkakton ai. Më pas Presidenti shtoi se vlerat, përkujdesja për jetët njerëzore dhe detyrimi për të mbrojtur të pafajshmit duhet të mbizotërojnë përkundrejt politikave populiste dhe pikëpamjeve të ngushta nacionaliste. Kjo është një çështje që përfshin si dimensionin e sigurisë ashtu edhe atë humanitar. Ndaj dhe Qeveritë, ndajnë si barrën ashtu edhe përgjegjësinë për të përballuar flukset migratore dhe të refugjatëve që shikojmë sot. Presidenti Nishanit theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar nënkupton lidership politik dhe menaxhim efikas të lëvizjeve të refugjatëve, veçanërisht në planin rajonal dhe bashkëpunimin me agjencitë e specializuara ndërkombëtare” tha Nishani.