Nishani: Pjesëmarrja në protestë mesazh i fortë për Edi Ramën

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka komentuar protestën e opozitës së zhvilluar dje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nishani e vlerësoi masive pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë. Ai tha se gjatë këtij tubimi u përcollën mesazhet e rëndësishme të qytetarëve, të cilët me prezencën e tyre treguan se duan të punojnë dhe të jetojnë në këtë vend.
“Isha në protestë me shumë miq të mi, kryesisht me miq të vjetër të betejave të mëdha politike të 2005-ës, ku unë nisa rrugëtimin politik për herë të parë, nga zona e Laprakës. U ndjeva mirë nga protesta e sotme, pasi pashë një masivitet, jo për shkak të përcjelljes së asaj që çdo qytetar prezent në këtë tubim kërkonte të përcillte, por për faktin se besoj që një shumicë e madhe e qytetarëve shqiptarë duan të jetojnë në Shqipëri. Këtë e tregoi sot prezenca e tyre sot në protestë. Domethënë në këtë protestë, ishte jo vetëm pjesëmarrja e qytetarëve, por edhe mesazhi i përcjellë prej tyre. Ata thoshin se dua të qëndrojnë këtu, të punojnë në këtë vend, dhe të rritin dhe të shkollojnë në Shqipëri fëmijët e tyre”, tha ish-Presidenti Nishani për News 24. Më tej, ai është ndalur tek situata ekonomike dhe sociale në vend. Nishani tha se, Shqipëria ka resurse të mëdha krahasuar me vendet e rajonit, por pavarësisht kësaj, qytetarët shqiptarë kanë një nivel të ulët jetese. Ai tha se reagimi qytetar ndaj kësaj gjendje, do të bëhet sa vjen edhe më i madh.
“Unë mendoj se lidershipi i sheh gjërat siç e ka botëkuptimin e tij bazuar kjo në parimet që ai beson. Por kur je në poste të tilla, ti duhet të kesh forcën morale, intelektuale, përgjegjësinë institucionale, që të ruash balancat, dhe të kesh edhe kujdesin e një ekuilibri. Këtë e them sidomos kur je në postin e Presidentit, që unë jam përpjekur maksimalisht ta respektoj. Unë them se shqiptarët nuk e meritojnë për asnjë kompromis situatën ku jetojnë. E kam fjalën për situatën ekonomike dhe sociale ku jetojnë, dhe situatën institucionale në vend. Nuk ka shqiptar sot që nuk bën dallimin midis potencialeve dhe resurseve që ka Shqipëria dhe atë që qytetarët kanë. Krahasoni si janë vendet që na rrethojnë, resurset që kanë dhe mënyrën si jetojnë, kjo nuk pranohet më”, u shpreh Nishani. Ish-Presidenti Bujar Nishani, njëherësh ish-ministër i Brendshëm në qeverisjen e PD, thotë se tashmë ka ardhur koha për një platformë të re angazhimi brenda Partisë Demokratike. Teksa ka komentuar situatën brenda kësaj force politike, Nishani thotë se duhet të rimblidhen kontributet e çdo demokrati që ka qenë pjesë e PD që nga themelimi i saj.
Nishani shprehet se çdo parti politike që pretendon të marrë pushtetin dhe të jetësojë një program dhe alternativë të re, duhet të vlerësojë të gjitha energjitë e mbështetësve të saj. “Unë mendoj se opozita e sotme ka ardhur duke e rritur profilin e saj. Çdo parti që pretendon të marrë pushtetin dhe të jetësojë një program dhe alternativë tjetër ka shumë gjëra për të bërë. Në radhë të parë sot në PD duhet që të rimblidhen, ribashkohen, forcat energjitë, kontributet, jo qindra, por mijëra resurse njerëzore, të cilët që nga viti ’92 kur PD u shfaq në jetën politike shqiptare, njerëz të angazhuar në politike, deputetë, ish-deputetë, ish-ministra, teknikë, mbështetës, etj; të gjithë këta duhet të jenë pjesë e një platforme angazhimi. Për secilin duhet ofruar, nxitur dhe i duhet lutur, për një angazhim të ri. Së dyti, ka nevojë që të vihet në lëvizje kjo dinamikë që ka ardhur në rritje sidomos pas zgjedhjeve të fundit, të cilët janë të deligjitimuara, të rrëzuara, se nuk kanë qenë as të lira as të ndershme, të manipuluara nga përdorimi i parave të drogës”, u shpreh Nishani.
Sakaq, ai ka bërë edhe një krahasim sa i takon kontributeve dhe të metave mes dy partive PD dhe PS, ndërsa këtë të fundit e cilëson si parti me histori 75-vjeçare. “PD krahasuar me alternanten e saj është një forcë e re politike. PD është një parti 25-vjeçare, krahasuar me PS që ka një histori 75-vjeçare. Kontributet që ka sjellë PD krahasuar me atë që ka sjellë 75-vjeçarja socialiste, janë shumë më të mëdha. Dëmet që ka sjellë me mos përmbushjen e asaj që ka bërë, krahasuar me atë që ka bërë PS 75 -vjeçare, janë më të mëdha. Por këto nuk mjaftojnë për të nxjerrë konkluzione”, tha Nishani.
Nishani ka folur edhe për raportin me Lulzim Bashën. Ish-Presidenti u shpreh se ka vlerësim maksimal për kreun e PD, pavarësisht se ai ka më pak eksperiencë në krahasim me Berishën, por ajo fitohet me kalimin e kohës.
“Unë kam vlerësimin maksimal për Bashën. Ai është një lider i ri, pavarësisht se nuk ka shumë eksperiencë në politikë në krahasim me Berishën, por ajo fitohet me përballje dhe me dështime. Por unë mendoj se ai ka marrë mbështetjen e anëtarësisë së PD dhe ka edhe eksperiencë në politikë nuk është se nuk ka fare, pasi ka qenë ministër etj. Unë mendoj se ai do vijë gjithmonë duke e fituar besimin edhe nga pjesa skeptike. Besoj se rrugëtimi i Bashës nuk do jetë i lehtë, por do jetë një rrugë që me mbështetje do të piqet dhe do krijojë atë figurë që duan qytetarët”, tha ish-Presidenti.
Ndër të tjera, Bujar Nishani tha se aktualisht po drejton një institut dhe nuk ka në plan të marrë drejtimin e PD.
“Më shumë rëndësi ka të jesh më shumë i angazhuar në forma të ndryshme. Unë aktualisht po drejtoj një institut që është i fokusuar tek qeverisja e mirë dhe tek siguria globale, por unë do vazhdoj të bashkëpunoj dhe të jap kontribut për PD. Nuk kam ndonjë projekt konkret për momentin, por jam në mbështetje dhe në aktivitet politik. Unë jam investuar në politikë dhe përveç Berishës kam qenë më shumë i angazhuar nga të tjerët dhe kam eksperiencë të gjatë. Instituti që unë drejtoj do ketë edhe analiza dhe denoncime të ndryshme. Pra, unë do eci me atë që ofron shpejtësia e kohës. Instituti im nuk ka lidhje dhe qëllim krijimin e një partie tjetër. Nuk e kam menduar dhe as nuk kam një plan të tillë për të drejtuar PD. Vijoj të kem kontakte me Bashën. Unë mendoj se Basha do e çojë vendin aty ku duhet”, tha Nishani.

Artikulli paraprakSocialisti i zhgënjyer nga Rama në protestë: Të pastrojmë vendin nga Rilindja
Artikulli tjetërDy videomesazhet dhe dy thirrje për shqiptarët