Nishani pret kreun e BDI, Ahmeti

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti dje dhe zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, zotin Ali Ahmeti. Biseda mes Kreut të Shtetit shqiptar dhe zotit Ahmeti u përqendrua kryesisht tek procesi zgjedhor në Maqedoni dhe rezultatet e partive politike shqiptare.
Presidenti Nishani, pasi e uroi zotin Ahmeti për fitoren e subjektit të tij politik në zgjedhje, vlerësoi angazhimin dhe kontributin e të gjitha subjekteve politike shqiptare në procesin zgjedhor si dhe në proceset demokratizuese dhe integruese të Maqedonisë.
Kreu i Shtetit nënvizoi prioritetin që Shqipëria u jep marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe partneritetit me Maqedoninë, duke theksuar rëndësinë që ka garantimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni si një komponent shtetformues dhe garantues i stabilitetit atje. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se proceset e integrimit euro-atlantik janë thelbësore dhe përfaqësojnë interesin më madhor të të dyja vendeve, por edhe të rajonit në tërësi.

Exit mobile version