– Zoti Nishani, nëse mund t’ju pyes për Reformën në Drejtësi, siç thatë ju ka qenë një nga reformat thelbësore të Shqipërisë dhe vëmendja gjatë muajve të fundit është përqendruar pikërisht tek reforma, madje dy-tre javët e fundit kaluat në heshtje ligjin që lidhet me këtë reformë, atë për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra, në njëfarë mënyre shprehët kundërshtimin tuaj, në qoftë se mund ta quaj të tillë, megjithatë ju zgjodhët mos bëheni pengesë për miratimin e këtij ligji. A mund të na sqaroni më gjatë për qëndrimin tuaj karshi këtij ligji?
E rëndësishme në procesin e nisjes së reformës kanë qenë ndryshimet kushtetuese. Ne pothuajse kemi një Kushtetutë të re sepse u ndryshua një numër i madh i neneve të Kushtetutës dhe nene, të cilat janë shumë të rëndësishme në kolonat kryesore të shtetit, të funksionimit të shtetit, jo vetëm parashikimi i krijimit të mekanizmave në fushën e drejtësisë dhe të jurisprudencës në tërësinë e vet, por edhe në çështjet e kontrollit, ndarjes dhe balancimeve midis pushteteve dhe institucioneve kushtetuese në vend. Për mua arritja e konsensusit midis palëve politike dhe aktorëve, të cilët do të keni përgjegjësinë për implementimin e kësaj reforme, në ndryshimet kushtetuese ishte esenciale, fondamentale dhe një garanci e madhe për implementimin e neneve dhe ndryshimeve kushtetuese në të ardhmen. Përsa i takon ligjit më të fundit, pa dyshim që ajo nuk ishte një refuzim, por ishte shprehje e disa rezervave në lidhje me nene dhe me çështje të caktuara që ligji, i cili mendoj që po të ishte konsultuar qoftë edhe me zyrën e Presidentit të Republikës më parë se ai të shkonte për t’u adresuar dhe miratuar në Parlament, mund të ishin korrigjuar. Së pari, ka të bëjë me çështjen e respektit ndaj integritetit dhe dinjitetit të zyrës së Presidentit të Republikës. Unë mendoj që zyra e Presidentit të Republikës, e cila përfaqëson kryetarin e shtetit shqiptar duhet të trajtohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta si një zyrë dhe një institucion, i cili prezanton dinjitetin, integritetin e shtetit shqiptar dhe të qytetarëve, popullit shqiptar. Nuk mund të kthehet institucioni i Presidentit të Republikës në një zyrë të rëndomtë administrative, e cila thjesht bën përgatitjen e materialeve procedurale për institucione, të cilat për hierarkinë e shtetit janë shumë më poshtë në kuptimin e piramidës shtetërore sesa zyra e kreut të shtetit shqiptar. Kushtetuta dhe praktika botërore parashikon që mekanizma të tjerë vihen në shërbim të përmbushjes së detyrave kushtetuese të zyrës më të lartë të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër mund të them që janë disa çështje që kanë të bëjnë me besueshmërinë e procesit. Unë mendoj që përfshirja e disa institucioneve që janë strikt pjesë e qeverisë, por që edhe si institucione midis shumë institucioneve të suksesshme që ne kemi në qeverisjen e vendit, disa prej këtyre institucioneve si Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme për Policinë e Shtetit apo Zyra për Parandalimin e Përdorimit të Parave të Pista, të cilat kanë realisht përgjegjësinë e mjaft sfidave të mëdha që ne po ndeshim nuk mund të marrim besim për të kryer procese shumë të rëndësishme. Pra, këtu ka një rrezikshmëri potenciale për të cenuar besimin e procesit, ndaj unë duke mos qenë dakord me disa prej këtyre neneve natyrisht unë nuk u bëra pjesë e miratimit të drejtpërdrejtë të atyre parashikimeve, por po e kaloj në heshtje si një nga parashikimet kushtetuese të Presidentit të Republikës.
– Zoti Nishani, gjatë ditëve që ju keni qenë këtu në SHBA, në Shqipëri ka dalë një njoftim tjetër, e kam fjalën për atë të kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili ka marrë kërcënime për jetën dhe është detyruar të dërgojë familjen jashtë vendit për t’u marrë në mbrojtje. A keni qenë në dijeni të këtyre kërcënimeve dhe a mendoni se ka vend për shqetësim, pra që krimi i organizuar është forcuar kaq shumë sa të arrijë të kërcënojë kryeprokurorin e vendit dhe të detyrojë largimin e familjes së tij?
Në lidhje me rastin specifik pa dyshim që në radhë të parë kjo është një pyetje, e cila është drejtpërdrejtë për zotin Llalla. Pa dyshim që unë kam diskutuar dhe diskutoj çështje të shumta me prokurorin e Përgjithshëm. Natyrisht jo të gjitha çështjet që unë diskutoj me prokurorin e Përgjithshëm duke ju kërkuar mirëkuptimin tuaj të plotë, kanë nevojë për të mbetur brenda kuadrit të trajtimit institucional të tyre. Krimi i organizuar në Shqipëri është një sfidë reale, problematike dhe krimi i organizuar kërkon një qasje dhe një përballje shumëdimensionale, të organizuar, të përbashkët. Mbi të gjitha krimi i organizuar duhet të fillojë me një akt, i cili nuk është vetëm retorikë, nuk është vetëm një akt legjislativ, por është një akt veprimi për të shkëputur çdo lidhje, qofshin ato të izoluara të politikës me botën e krimit. Nëse ne nuk do të jemi të suksesshëm në shkëputjen e politikës nga bota e krimit, çdo hap i mëtejshëm do të jetë i infektuar dhe do të ketë goxha probleme për t’u realizuar dhe për të arritur atë që ne duhet të kemi në goditjen ndaj krimit të organizuar. Unë i bëj thirrje të gjitha institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri, qeverisë shqiptare dhe çdo agjencie që të luftojmë pa u lëkundur dhe të jenë të angazhuara, por dhe të përfshihen të gjithë institucionet e tjera, të gjithë aktorët e shoqërisë për të përballur krimin e organizuar sepse krimi i organizuar është një e keqe për këdo, është për çdo individ, për çdo komunitet, për çdo agjenci, për çdo aktor dhe për çdo faktor në shoqërinë shqiptare. Është një problem serioz dhe unë kërkoj që ne ta trajtojmë dhe të gjithë ta trajtojnë atë me seriozitet.
– Zoti President, dua të marr mendimin tuaj dhe për një ligj tjetër që së shpejti pritet të mbërrijë në tryezën tuaj për t’u miratuar: e kam fjalën për ligjin për importimin e mbetjeve në Shqipëri, në ligj që para tre vitesh u shfuqizua nga qeveria dhe tashti kaloi përsëri në Parlament. Do ta miratoni ju këtë ligj?
Unë do ta shoh, pa dyshim do ta shoh ligjin sapo të kthehem së bashku me këshilltarët dhe ndihmësit e mi, sepse të jem i sinqertë nuk e kam parë ende ligjin në tërësinë e vet, çfarë ligji parashikon dhe çfarë ai thotë në nene të caktuara të tij. Ajo që unë kam ndeshur deri tash, këto ditë, madje dhe duke qenë në SHBA ka qenë një reagim shqetësues që vjen nga qytetarët. Unë kam takuar mjaft qytetarë dhe në Nju Jork, të cilët më kanë folur pikërisht për këtë ligj, kanë folur me shqetësim për këtë ligj. Kam ndjekur përmes medias reagimet e qytetarëve në Tiranë. Sensibiliteti i qytetarëve është fondamenti i sjelljes institucionale, por natyrisht që në kontekstin kushtetues unë do ta shoh ligjin sapo të kthehem në Tiranë.
– Zoti President, brenda dy muajsh ju do të përcaktoni datën e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm. Ndërkohë vendi juaj ndodhet përballë një sfide tjetër të reformës zgjedhore. A mendoni se po vonohet miratimi i kësaj reforme?
Kjo është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e forcave politike dhe e Parlamentit në tërësi. Ka rekomandime mjaft të qarta të OSBE, ODIHR në lidhje me reformën zgjedhore, në lidhje me ndërhyrjet në ligjin përkatës, në infrastrukturën zgjedhore, ka mjaft problematika, të cilat i kemi ndeshur dhe janë evidente veçanërisht besueshmëria ndaj proceseve zgjedhore që lidhen me blerjen e votës apo me përfshirjen e individëve me veprimtari kriminale në procese zgjedhore, fushata elektorale apo në intimidimin e zgjedhësve. Janë probleme shumë serioze, të cilat lidhen jo vetëm me procesin zgjedhor, por lidhen me demokracinë funksionale, me shtetin e së drejtës dhe liritë e të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri. Ndaj unë besoj që ky është një proces, i cili duhet t’i thërrasë menjëherë palët të ulen në tryezën e diskutimit dhe të adresojnë të gjithë shqetësimet që kanë ngritur qoftë OSBE, qoftë ODIHR, qoftë Këshilli i Evropës, qoftë Komisioni Evropian, Departamenti i Shtetit të SHBA, vëzhguesit vendorë, forcat politike kanë adresimet e tyre. Është një proces, i cili duhet menjëherë jo vetëm të nisë, por dhe të ketë një diskutim dhe debat shumë të gjerë sepse lidhet me një nga çështjet më fondamentale të lirisë dhe të demokracisë. Ne flasim për demokraci funksionale. Nëse ne nuk do të kemi një proces zgjedhor tërësisht të lirë, të drejtë dhe të paanshëm në kuptimin e ndikimit të aktorëve dhe faktorëve të tjerë që s’kanë lidhje me proceset zgjedhore atëherë do të dëmtohet shumë jo vetëm thjesht imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve, por do të dëmtohet prosperiteti dhe ecuria e mëtejshme e reformave në Shqipëri.
– Zoti President, gjatë qëndrimit në Nju Jork ju zhvilluat takime me diasporën shqiptare-amerikane atje. Shpesh dëgjohet nga Shqipëria që pritet ndihma e diasporës, të ndihmojë për zhvillimet e vendit, por, pak shihen ndihma në drejtim të kundërt. Pra, çfarë po bën ky shtet, shteti shqiptar për këtë diasporë që kjo diasporë të ndihmojë përsëri shtetin?
Vihet re që partitë politike shpenzojnë mijëra e qindra dollarë për lobizëm për interesat e udhëheqësve të tyre, por nuk shikohet një përpjekje serioze, institucionale nga shteti shqiptar për të mbajtur komunikime të vazhdueshme me diasporën. A mendoni se mund të pritet diçka e tillë në të ardhme, a mendoni se ka vend për një lëvizje të tillë?
Së pari, desha të them se kam konstatuar sa herë që kam pasur rastin të vizitoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete të ndryshme të kontaktoj me diasporën shqiptare, kam parë që qasja e saj, niveli i funksionimit dhe organizimit të saj ka qenë më i mirë, më i organizuar dhe më i arrirë. Kemi potenciale të jashtëzakonshme brenda diasporës shqiptare, kështu që komunikimi me diasporën unë mendoj që duhet të vijë në dy drejtime: së pari, në ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të elementit që ka të bëjë me identitetin kombëtar. Ka një gatishmëri dhe një ofrim të aktivitetit dhe dinamikës së diasporës jo vetëm për ta ruajtur dhe për ta mbajtur gjallë çështjen e identitetit shqiptar, por edhe për ta pasuruar atë dhe për ta promovuar, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ambiente të tjera dhe hapësira të tjera; së dyti, është përfitimi nga kapacitetet që kemi. Kemi kapacitete intelektuale po edhe ekonomike financiare në diasporën shqiptare, ndaj unë mendoj që ka ardhur koha që ne t’i ikim retorikës, t’i ikim deklaratave. Unë nuk vë në dyshim vullnetin që ekziston tek çdo aktor në Shqipëri për të qenë bashkëpunues dhe për të angazhuar diasporën, por ka ardhur koha për të folur për reforma konkrete.
Ne duhet të krijojmë institucione dhe mekanizma. Nuk e kthejmë diasporën të jetë investitore në Shqipëri vetëm me konferenca me deklarata apo me takime qofshin ato edhe shumë mirë të organizuara. Ne duhet të shikojmë se çfarë kapacitetesh ekonomike dhe financiare diaspora shqiptare duhet të ketë prezent në fushën e investimeve ekonomike dhe cilat duhet të jenë kapacitetet që duhet të përfshihen në menaxhimin e resurseve që kemi ne në Shqipëri. Unë mendoj që kemi një problem shumë të madh në Shqipëri, e trashëguar në vite, në dekada, e cila ka të bëjë jo thjesht me probleme të korrupsionit dhe të burokracisë në vend në funksionimin e shtetit apo mekanizmave. Ne kemi një problem shumë të madh me mënyrën, të mjeshtërisë apo të skillsve, si thuhet në anglisht, të resurseve që kemi. Ne kemi mjaft resurse, por vuajnë nga mënyra e menaxhimit të tyre dhe unë mendoj që diaspora shqiptare mund të ndihmojë mjaft mirë në krijimin e një identiteti dhe një kulture të re menaxheriale të këtyre potencialeve dhe resurseve që neve kemi.
– Zoti President, edhe një pyetje të fundit. Sot zhvillohet debati i parë i tre të tillëve në Shtetet e Bashkuara mes dy kandidatëve kryesorë, Trump edhe Klinton, debat që pritet të ngjallë interes të madh me mbi 300 milionë shikues. Ne do të ishim të interesuar për mendimin tuaj për zgjedhjet e këtij viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikë. Kryeministri i vendit tuaj është shprehur disa herë për kandidatin republikan që do të ishte fatkeqësi për Amerikën. Ju vetë si i shikoni zgjedhjet presidenciale këtu brenda në Amerikë?
Duhet të jemi të sinqertë dhe të vërtetë. Zgjedhjet në Amerikë janë shumë të rëndësishme për mbarë botën se në fund të fundit lidershipi amerikan është i evidentuar mjaft qartë sot në çështjet madhore që ka sot globi për të përballuar sfida të mëdha dhe rreziqe.
Kudo, lidershipi amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pararojë për të ndihmuar të gjithë njerëzimin dhe planetin në tërësi për të përballuar suksesshëm sfidat që kemi. Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin një dimension global.
Padyshim për Shqipërinë janë shumë të rëndësishme Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbëjnë aleatin tonë kryesor, përbëjnë mikun tonë më të madh, partnerin tonë kryesor në integrimin euroatlantik. Për ne shqiptarët ka qenë historikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan një aset i vyer dhe nuk i ndajmë në republikanë dhe demokratë kur vjen puna tek miqësia dhe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Unë mendoj që cilindo që do të jetë president i SHBA do të jetë një mik i mirë e i afërt i Shqipërisë dhe i shqiptarëve kudo që janë sepse kemi interesa të përbashkëta strategjike dhe nuk na ndajnë çështje të tilla. Përderisa kemi interesa të përbashkëta strategjike është garancia më e madhe që kushdo që të jetë presidenti do të jetë një miku i yni.
Marrë me shkurtime nga Zëri i Amerikës