Nishani: Si më përgjonte Tahiri mua dhe familjen

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaron se, jo vetëm është ndjerë i përgjuar nga Ministria e Brendshme kur drejtohej nga Saimir Tahiri, por edhe ka të faktuar se kjo paligjshmëri ka ndodhur. “Situata ka qenë serioze për fat të keq. Ka pasur përfshirje të Ministrisë së Brendshme. Informacionet kanë qenë se kam qenë në përgjim, unë familja dhe të afërmit e mi”, shprehet Kreu i Shtetit, i ftuar në emisionin “Komiteti” të gazetarit Berat Buzhala.
Presidenti në detyrë thotë se, ka informacione nga institucionet e madje është bërë edhe kundërzbulim që ka faktuar prezencë të përgjuesve. “Hetimet për këtë çështje, vijojnë, por  pajisja përgjuese duhej të ishte dorëzuar. Fakti që nuk u dorëzua pajisja e ka dëmtuar procesin”, tha Nishani.

Zgjedhjet pa opozitën, Kushtetuta s’do i njohë institucionet e reja!

Trazirat e përfolura që u shmangën me mos zhvillimin e zgjedhjeve bashkiake në 7 maj dhe anulimin e protestës së opozitës në po të njëjtën ditë, mund të ndodhë të ‘vihen’ në jetë më 18 qershor, apo edhe pas kësaj date.
Gjatë intervistës me gazetarin Berat Buzhala, Presidenti Bujar Nishani u shpreh se, “Kavaja çtensionoi një situatë politike që do të prodhonte konflikt”, duke ju referuar vendimit të kryeministrit Rama për të tërhequr nga gara elektorale kandidatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet bashkiake në Kavajë, të dekretuara për t’u mbajtur më 7 maj. Por kjo nuk përjashton mundësitë që opozita të protestojë edhe në datën e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, nëse deri atëherë nuk do të ketë vendosur të marrë pjesë në to.
Ndaj sipas tij nuk mund të flitet për tërheqje, por për një goditje ndaj të ardhmes së proceseve të ardhshme zgjedhore në Shqipëri. Nishani vë në pikëpyetje se si do të jetë situata në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 18 qershorit, kur mund të ketë sërish një situatë të ndezur politike, ndoshta me opozitën që do të vijojë protestat. A do të ketë sërish tërheqje të kryeministrit Rama për të shmangur trazira?!
Por më problematike në sytë e Kreut të Shtetit, është mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje. Dhe jo për faktin se nuk është e ligjshme, pasi e kundërta është e vërtetë, por opozitën sipas Presidentit, nuk e bëjnë partitë politike, por vetë qytetarët. E sqarimi që ai jep është ky: “Opozitën e bën një grup njerëzish me politika ndryshe. Opozita është tek individët dhe jo tek partia”. Kështu, Nishani thotë se shumë shqiptarë do të ndihen të papërfaqësuar në Kuvend, pasi 15 partitë e regjistruara për të garuar në zgjedhje, nuk ndajnë idealet e tyre.
Edhe më e rëndë është situata post zgjedhore pa opozitën. Nishani thotë se, Kushtetuta nuk do t’i japë legjitimitet institucioneve të reja pa opozitën.

Situata politike, shqetësuese

Kreu i Shtetit e quan shqetësuese situatën politike dhe thotë se, gjithsecili duhet të marrë përgjegjësitë individuale për faktin që ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët për të çuar në negociata mazhorancën dhe opozitën, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet.
I pyetur nëse vendi rrezikohet nga trazira të ngjashme me ato të vitit 1997 në Shqipëri, Nishani thotë se nga informacionet që ka është i bindur që nuk do të ketë një ’97 të dytë. Kreu i Shtetit shpjegon se trazirat në vitet famëkeqe ishin komplekse, dhe nuk ishin vetëm politike, siç po ndodh tashmë. “S’mund të kemi një déjà vutë ’97-ës”, shprehet ai.
Opozita proteston prej rreth 3 muajsh, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike pa Edi Ramën kryeministër. Një protestë e paralajmëruar e opozitës më 7 maj në Kavajë bëri që kreu i qeverisë të tërhiqte kandidatin për kryebashkiak nga gara elektorale, duke çuar në mos zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë. Po ashtu, një protestë masive pritet të mbahet nga Partia Demokratike dhe aleatët e djathtë të shtunën e 13 majit, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Artikulli paraprakNdoka: Po na joshin me para, prona e gjithçka, por kauza e votës vlen më shumë
Artikulli tjetër1.5 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Malin e Zi