Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, filloi dje një vizitë dyditore në Republikën e Kroacisë, ku u prit me nderimet dhe ceremonitë e rastit nga Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç si dhe krerët e tjerë të lartë të shtetit kroat. Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Presidenti Nishani dhe Presidentja kroate, Grabar-Kitaroviç zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas, kryesuan takimet zyrtare mes delegacioneve të të dy vendeve, ku u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit dypalësh, si dhe për axhendën rajonale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia dhe Presidentja Grabar-Kitaroviç personalisht i kanë dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke shprehur besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit dhe zhvillimin e tyre. Presidenti Nishani e konsideroi përvojën kroate, si një shembull të vyer për Shqipërinë dhe theksoi se: “Ne e konsiderojmë Kroacinë si vendin që mund të përcjellë shpirtin, zërin dhe problematikat e rajonit në Bashkimin Evropian”, si dhe e siguroi Presidenten kroate për përkushtimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE. “Për ne shqiptarët, integrimi në Bashkimin Evropian është dhe mbetet alternativa e vetme për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh Nishani. Gjatë takimit një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve, ku Presidenti Nishani theksoi nevojën e nxitjes dhe promovimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në mënyrë që edhe bashkëpunimi ekonomik të afrohet dhe të jetë në harmoni me nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit politik. Në mbështetje të këtij qëndrimi Presidenti i Republikës evidentoi dhe prezencën e një përfaqësie biznesi shqiptar në delegacionin e tij, si dhe zhvillimin e forumit të përbashkët ekonomik Kroaci-Shqipëri, që pritet të mbahet në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Zagreb. Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy presidentët evidentuan qasjen euroatlantike dhe angazhimin për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Presidenti i Republikës vlerësoi rolin e Kroacisë në rajon dhe e siguroi mikpritësen kroate se Shqipëria është tërësisht e dedikuar për përmirësimin e frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit rajonal. Presidenti përshëndeti rolin e Kroacisë dhe të Presidentes Grabar-Kitaroviç veçanërisht në Procesin e Brdo-Brijunit, duke e konsideruar atë një platformë shumë të rëndësishëm për krijimin e një fryme miqësore e bashkëpunuese mes të gjithë liderëve të rajonit. Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në çështje me karakter ndërkombëtar, si dhe angazhimet e të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe për çështjen e refugjatëve nga zonat në konflikt. Të dy presidentët u shprehën në favor të një zgjidhjeje evropiane të çështjes së refugjatëve, duke garantuar kontributin e secilit vend në këtë zgjidhje. Pas ceremonisë zyrtare dhe takimit mes dy delegacioneve, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vendosi dhe një kurorë me lule, me një dedikim të posaçëm për të rënët kroatë në luftë, tek Memoriali “Zëri i viktimave kroate – Muri i Dhembjeve”, në Varrezat Mirogoj të qytetit. Presidenti, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare dyditore në Republikën e Kroacisë u takua sot edhe me Kryeministrin kroat Tihomir Orešković, me të cilin bisedoi mbi mundësitë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, si në nivel dypalësh, ashtu edhe në nivel rajonal e ndërkombëtar. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Kroacisë gjatë procesit të integrimit evropian, si dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit, si dhe vijimin e procesit të tyre. Gjithashtu, Presidenti Nishani e siguroi Kryeministrin e Kroacisë se Shqipëria është e përkushtuar në rrugën e integrimit evropian, pasi e konsideron të vetmen alternativë për stabilitetin dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm. “Eksperienca e Kroacisë është një shembull i vyer për Shqipërinë dhe ne dëshirojmë të mësojmë sa më shumë nga kjo eksperiencë dhe përballur sfidën e procesit të negocimit dhe aderimit në Bashkimin Evropian.” – u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani, gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë pati një drekë pune dhe me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, zotin Željko Reiner, me të cilin bisedoi për shumë çështje me karakter dypalësh dhe rajonal.
Kryesore
Continue to the categoryEdi Rama krekoset si kaposhi në majë të plehut!
Nga Namir Lapardhaja
Është për të ardhur keq që në një vend ku qeveria është thellësisht e korruptuar, me një kryeministër si Edi Rama që...