Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Institucionin e Presidentit të Republikës, në praninë e Ambasadorit të Austrisë në Shqipëri Johann Satler, Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, diplomatë, akademikë si dhe personalitete të njohura politike në vend, Kreu i Shtetit Bujar Nishani vlerësoi Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës (1999-2004), Walter Schwimmer me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Në vlerësim të mbështetjes e ndihmës së dhënë në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, por jo vetëm, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe për përkrahjen e çmuar e shumë domethënëse të aspiratave të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi”. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani u shpreh: “Faleminderit për praninë tuaj sot në këtë ceremoni dekorimi, për më tepër që kjo datë, 19 tetori, na kujton momentin e lumturimit të Nënë Terezës, e cila që prej 4 shtatorit të këtij viti, quhet Shën Tereza e Kalkutës. Megjithë koincidencën shumë të bukur të kësaj date, arsyeja e organizimit të këtij aktiviteti sot, është e ndryshme. Sot jemi mbledhur për të shprehur mirënjohjen ndaj një miku të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, i cili në kapacitete të ndryshme, por veçanërisht në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, për periudhën 1999 – 2004, ka dhënë një kontribut të vyer në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor në Shqipëri, ndaj më lejoni edhe njëherë t’i uroj mirëseardhjen në Shqipëri dhe në Institucionin e Presidentit të Republikës, zotit Ëalter Schëimmer. Mirë se keni ardhur sërish në Shqipëri zoti Schëimmer!