Kombëtarja nisi në Tropikal përgatitjet për ndeshjen e 4-tërt në eliminatoret e Botërorit rus. Seanca e parë stërvitore për ndeshjen e së shtunës me Izraelin ishte kryesisht pa një ngarkesë të madhe fizike dhe me shumë lojë me top duke qenë se futbollistët kuqezi kanë patur vetëm pak orë më parë impenjime me klubet e tyre. Gjatë seancës, 6 futbollistë u stërvitën veçmas nga pjesa tjetër e grupit, Berat Gjimshiti, Rei Manaj, Ledian Memushaj, Burim Kukeli, Eros Grezda dhe Armando Sadiku, që vjen pas një periudhe të gjatë riaftësimi për shkak të një dëmtimi. Të 6 këta futbollistë gjithashtu nuk morën pjesë as në skemat e përgatitura nga trajneri, ndërsa zhvilluan një vrap të lehtë rreth fushës ku u stërvit kombëtarja. Stërvitja e parë zgjati rreth 80 minuta dhe humori i lojtarëve ishte ai i duhuri për nisjen e një jave përgatitjesh për një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj një rivali direkt si Izraeli.
Ndërkohë, sulmuesi i kombëtares shqiptare, Asdren Llullaku, është në garë me sulmuesit më të mëdhenj të Evropës për “Këpucën e Artë”. Llullaku deri më tani ka shënuar 12 gola me Gazi Metanin dhe ka mbledhur 18 pikë, pasi koeficienti i golit në Rumani është 1.5. Sulmuesi shqiptar ka 6 pikë më pak sesa sulmuesi rus Kabaev, që ka shënuar 24 gola, por që kampionati në Rusi ka zhvilluar më shumë ndeshje. Në këtë listë janë edhe sulmuesit e mëdhenj si Aubameyang, Diego Costa, Mauro Icardi apo Edin Dzeko.