Nisma për importin e plehrave ikën e vjen, korrupsioni mbetet

Nga Arbjona Çibuku

Lajmi për transportin e 816 tonë mbetjeve toksike ka shqetësuar opinionin publik. E megjithatë, dy javë pas publikimit të skandalit, i gjithë procesi vijon të jetë i paqartë dhe në mungesë transparence nga qeveria.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, në një konferencë për media u mjaftua duke deklaruar se qeveria ka nisur një hetim për mbetjet e nisura nga Durrësi në Tajlandë, por nuk dha asnjë detaj se si ndodhi që një procedurë normale të përfundonte në këto përmasa pa dijeninë e qeverisë.

“Kjo (transporti i mbetjeve të rrezikshme) ka qenë procedurë normale deri kur mori këtë përmasë, por duhet thënë se Autoriteti Portual s’ka asnjë lidhje me këtë proces”, – tha Balluku.

Numri dy i qeverisë shqiptare, ia delegoi përgjegjësinë koncensionarit, pa harruar të shtojë nota të polarizimit politik, kur u shpreh se kontrata me Portin e Durrësit u lidh në kohën kur PD ishte në pushtet.

Kjo nuk është ngarkesa e vetme me mbetje toksike që ka dalë nga Shqipëria. Në muajin prill të këtij viti një tjetër ngarkesë është nisur nga porti i Durrësit drejt Kinës dhe përmban 115 kontenierë me mbetje toksike. Por pavarësisht përmasave të këtij skandali qeveria ka mbyllur dyert dhe kërkon që të priten rezultatet e hetimeve, por pa vënë në dispozicion asnjë të dhënë që do të qartësonte situatën.

Aleanca kundër Importit të Plehrave ka reaguar për transportin e mbetjeve toksike, duke thënë se “ Shqipëria nuk ka kapacitete të kontrollojë importin e plehrave”.

Ky nuk është dështimi i vetëm i shtetit shqiptar që lidhet me menaxhimin e mbetjeve.

Tre kontrata koncensionare të qeverisë shqiptare për incenerimin e mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë kanë përfunduar nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK dhe një dyzinë zyrtarësh të lartë janë dënuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Prej kohësh inceneratori i Elbasanit harxhon miliona lekë në vit, por mbetjet e grumbulluara kalojnë kapacitet e landfillit duke u kthyer në rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Kjo kontratë koncensionare ka çuar pas hekurave edhe ish ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

Inceneratori i Tiranës është një tjetër aferë të madhe korruptive me menaxhimin e mbetjeve.

Një rrjet i gjerë zyrtarësh publike nga institucione qendrore dhe lokale u vunë në dispozicion të interesave të biznesit që ka kushtuar deri më sot rreth 100 milionë euro, teksa inceneratori nuk u ngrit dhe nuk punoi asnjë ditë, ndërsa problemi me mbetjet vijon të mbetet i pazgjidhur.

SPAK mbylli pjesën e parë të hetimeve në film të muajit gusht, duke konfirmuar akuzat për 12 ish-zyrtarët që dyshohen për shpërdorim detyre. Ndërkohë vijojnë hetimet për këtë incenerator për pjesën tjetër të personave që akuzohen për korrupsion e pastrim parash.

Por edhe pas zbardhjes së këtij skandali, Bashkia Tiranë ka vijuar pagesat e majme për inceneratorin.

A janë dështimet dhe korrupsioni argument i mjaftueshëm për të ndaluar importin e plehrave?
Në mesin e skandaleve të njëpasnjëshme me mënyrën se si menaxhohen mbetjet, qeveria po risjell në tavolinë ligjin e shumëdebatuar të importit të plehrave.

Gjatë 20 viteve të fundit nismat qeveritare që kanë tentuar importin e plehrave janë pritur me kundërshti dhe protesta.

Hapi i parë u hodh në qeverinë e ish kryeministrit Fatos Nano, përmes kontratës koncesionare për një impiant incenerimi me sipëmarrësin Francesco Becchetti.

Në 2011, qeveria e ish kryeministrit Sali Berisha kaloi ligjin për lejimin e importit dhe dha licenca për import mbetjesh. Qeveria aktuale e dënoi me forcë asokohe këtë propozim.

Në mandatin e saj të tretë, qeveria Rama rikthen thelbin e këtij ligji. Përmes një projektligji të ri, qeveria synon zëvendësimin e ligjit aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.

Edhe ky propozim është pritur me debate, pasi neni 73 i këtij projektligji i hap rrugë importit të mbetjeve, kur saktëson se “importi i mbetjeve në Shqipëri ndalohet me përjashtim të rasteve kur Këshilli i Ministrave e lejon”.

“Në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohen të importohen, vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, pas miratimit të kërkesës për import me Vendim të Këshillit të Ministrave,” – thuhet në projektligj.

Po ashtu neni 74 lejohen kalimin tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme me leje të ministrisë së Mjedisit, por ky parashikim ligjor u prit me kundërshtime nga mjedisorët. Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) njoftoi organizimin kundër kësaj nisme.

Lidhur edhe me skandalin e mbetjeve toksike që u dërguan në Tajlandë dhe pritet të rikthehen në Durrës pas pak ditësh, AKIP thekson se “skandali dukshëm konfirmon shqetësimin kryesor tonin në lidhje me domosdoshmërinë për të ndaluar importin e plehrave në Shqipëri”.

Kjo sipas AKIP “për shkak të mungesës së infrastrukturës përkatëse shtetërore për të ndaluar dhe parandaluar importet e plehrave për groposje dhe asgjësim krahas atyre me destinacion riciklimin”./citizens.al/

Artikulli paraprakSulmet ruse në zonën e Pokrovskit, Zelensky: Situata është shumë e vështirë! Shumë banorë janë evakuuar
Artikulli tjetërSkandal/ Projekti i autostradës Tiranë -Durrës, Kosova paraqitet si Jugosllavi