Nivel rekord i krimeve të ekstremit të djathtë në Gjermani, kërkohet marrja e masave

Krimet me bazë propagandistike, nxitje e urrejtjes, dhunë: veprat penale me sfond ekstremist të djathtë po shtohen, sipas një raporti mediatik.

Ministria e Brendshme gjermane ka regjistruar vitin e kaluar një rekord të veprave kriminale të ekstremistëve të djathtë. Sipas një raporti mediatik, numri i krimeve të ekstremistëve të djathtë në Gjermani arriti nivel të ri rekord, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme, në pyetjen e deputetëve nga e Majta në Bundestag.

Deri me 30 nëntor 2024 janë regjistruar 33.963 vepra kriminale nga krahu i djathtë ekstrem, thuhet në raport. Shifra përfundimtare pritet të prezantohet nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) në maj 2025. Dyshohet se shifrat do të jenë edhe më të larta, për shkak të krimeve të kryera në dhjetor dhe regjistrimeve të vonuara.

Krimet e propagandës

Në vitin 2023, BKA regjistroi gjithsej 28.945 krime politike të motivuara nga ekstremistët e djathtë. Ndërsa në vitin 2024, numri i krimeve është rritur me të paktën 17,34 për qind. Nga pothuajse 34.000 krime të regjistruara, 1.136 ishin krime të dhunshme. Ndërsa përqindja më e madhe e krimeve në vitin 2024 ishin krime të propagandës (21.311 raste) dhe nxitje dhune (5.097). Policia ka regjistruar edhe 1.942 raste të dëmtimit të pronës.

Kërkohen masa

Deputetja nga e Majta dhe ekspertja e ekstremizmit të djathtë Martina Renner foli për një zhvillim alarmues. “Numrat janë rritur vazhdimisht me 20 deri në 25 për qind në vitet e fundit. Nuk ka masa drastike të politikës së brendshme për të ndaluar këtë zhvillim të rrezikshëm,” tha Renner për RND. Shumica e autorëve të dhunshëm janë të rritur, megjithëse edhe përqindja e dhunuesve të rinj është rritur kohët e fundit.

“Nëse nuk duam të mësohemi me më shumë se 3.000 krime të kryera nga neo-nazistët në muaj, duhet të merren masa”, tha Renner./DW

Artikulli paraprakDëshmia në SPAK, Mentor Kikia: Karriera politike e Ilir Metës është mbyllur, nuk konsiderohet si alternativë!
Artikulli tjetërHistoriani publikon letrën e Mehmet Shehut për m*sakrën e 30 tetorit 1943: Pushkatuam 65 ballistë, por gabuam dhe faji kryesor është i imi pasi i ‘dehur’…