Një agjent i shtetit shqiptar në delegacionin e kryesuar nga Fan Noli në Bashkimin Sovjetik

Nga dr. Hasan Bello

Organizimi i emigracionit politik në Vjenë dhe financimi i tij nga Kominterni, ishte një problem serioz për shtetin shqiptar. Në një shkrim të botuar te gazeta “Dielli”, Faik Konica i konsideronte ata si “agjentë të bolshevizmës” dhe se pas disa vitesh do të përgatiteshin nga Moska për t`i vënë zjarrin Shqipërisë. Sipas tij, secili prej tyre që punonte për propagandën bolshevike merrte 80-100 dollarë në muaj, të cilat ishin një shumë e konsiderueshme për kohën. Për këtë arsye, Zyra Sekrete (shërbimi informativ) dhe konsullatat shqiptare në Europë ndiqnin me kujdes veprimtarinë e këtyre grupeve. Brenda tyre kishte persona të infiltruar.

Kështu, në vitin 1927, me rastin e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, një delegacion i prirë nga Fan Noli, vizitoi Bashkimin Sovjetik. Në radhët e tij ishte edhe njeriu i Zyrës Sekrete I.J, i cili informoi shtetin shqiptar për të gjitha aktivitetet.

Në kongresin e miqve të Bashkimit Sovjetik, Fan Noli mbajti një fjalim, në të cilin deklaroi: “Së pari, për sa i takon fushatës plot shpifje e gënjeshtra (ndaj Bashkimit Sovjetik), ne duhet njëzëri të shpallim se BS është i vetmi vend në botë ku robëria e shfrytëzimi i njeriut nga njeriu janë zhdukur në të gjitha format, në të cilin me dhjetëra kombësi gëzojnë plotësisht lirinë e barazinë. Nga kjo anë Bashkimi Sovjetik është i vetmi shtet i qytetëruar në botë, një oaz njerëzor në shkretëtirën e barbarizmit e të shtypjes. Mjafton të përmendim vetëm emrat e disa aleatëve të Anglisë konservatore: Primo de Riviera në Spanjë, Musolini në Itali, Ahmet Zogu në Shqipëri, Gankov Ljepçev në Bullgari, militaristët në Jugosllavi e Rumani, Çan Çe Lin e kompani në Kinë. Këta përbindësh e kriminelë, gjakatarë, vrasës të punëtorëve e të fshatarëve. Këta janë mishërimi më i urryer i terrorit të bardhë”.

Artikulli paraprakKëshilla/ Ja çfarë duhet të bëni për më shumë energji gjatë ditës
Artikulli tjetërI dha fitoren Milanit, Reijnders: Gol i bukur, e dija që Fofana do më pasonte