Një babi rreth 50 vjeç me të bijën nja 15 vjeçe para Muzeut Kombëtar

Nga Edison Ypi

– Cilët janë ata xhaxhat atje lart o babi ?!
– Paske nisur nga interesimet o çapkënia e babit ! Po ku të vajtën sytë mu te vrromat xhanëm ?! Po ! Do të tregoj një herë e mirë për këtë pështirosje të pa shembullt estetike dhe historike, të cilën un’ vet’ sa herë e shoh për të vjellë më vjen; Ja bija ime, ja pocaqia me ngjyra thurur me pllakëza, ku vetëm 1 % e Historisë 3000 vjeçare të Shqipërisë zë 70 % të sipërfaqes ! Nga Perëndimi errësira ! Drita dhe perspektiva nga Lindja ! Gjithë botës drejtuar armët ! Shih si duket e gjitha si shpërthim, si yxhym ! Trembëdhjetë ! Dhjetë meshkuj, tre femra. Asnjë normal ! Të gjithë të çartallosur të armatosur ! Asnjë gjurmë besimi, përdëllimi, meditimi, vetëpërmbajtjeje, ose thjesht qetësie njerëzore ! Meshkujt, ata që të turbullojnë ty xhan’ i babit, ai i dyti nga e djathta, ai hermafroditi me pushkën drejt, ishte një bushtër që s’dinte të bënte asgjë tjetër veçse të llapte lart-e-poshtë dhe prandaj i thoshin “Revolucionari”. Lavirja revolucionare sot bën kërrdinë kudo, sidomos në politikë. Budallai me mustaqe me grushtin lart me granatë në brez, ishte një fshatar gdhë, aq gdhë sa s’ta rrëfej dot, se duhet të nis tani e të mbaroj dimrin tjetër. Tjetri, ai me mustaqe dhe flamur, ishte njëri të cilit i thoshin “proletari”, pra një cop’ mish, një tul, një i pa shpirt, një dallamango, si i tërë ky mozaik. “Proletari”, ishte një qen-bir-qeni që s’dinte të bënte asnjë punë, veçse të llapte dhe të thurte intriga të ulëta të pështira. Edhe dallamangua ka qenë i armatosur me një libër të kuq të cilin ia hoqën kur ti sapo kishe lindur. Ky “proletari” që e quante veten “klasë në fuqi”, u thoshte vajzave; “O bushtra, mos përdorni pampersa mikroborgjeze, përdorni lecka proletare”. Dhe ai zgërdhihej, dhe ato heshtnin. Me atë rilindasin me papion që mban në dorë një letër të cilën ia kanë mbledhur tub që t’i ngjajë tytës së pushkës, një herë na gjeti belaja. Një kushëririt tonë i rrëshqiti goja u tha disa miqve se ai rilindasi besonte Perëndinë. Mbledhje pas mbledhje, po si e the, po kur e the, po kujt ia the, ke lakra në kokë, ke mbeturina të rrezikshme. Ti shpirti i babit nuk e njeh atë kushëri se ta kemi mbajtur fshehur kur në një nga ato mbledhjet i ndali së rrahuri zemra ulur në karrige tek e kritikonin. Po atëherë, xhaxhain e një mikeshës time që ishte historian, e internuan. E di pse ? Sepse u ngatërrua me atë ilirin me hark dhe shtizë, atë në cep nga e majta pranë atij kokëlakrës që nuk ngjan fare si shqiptar por si viking. Edhe xhaxhai i mikeshës, njëlloj si kushëriri yt që nuk e njohe kurrë, vajti tha diku se ilirët ndoshta nuk rrjedhin nga pellazgët. Kaq deshën akademikët mjekërbardhët shpirtnxirët, dhe e kallëzuan dhe erdhën i vunë hekurat. A do ta dish edhe diçka o perria e babit ?! Kjo që sheh ti këtu nuk është veçse një e turpshme Pasaportë Çmendurie Kombëtare për të cilën ca tuhafë po thonë ta lemë aty ku është që të dëshmojmë Historinë, që të kenë ç’të fotografojnë turistët! Pra, të vinë turistët para kësaj vrrome me çapaçulë të thonë; O Perëndi ç’të kemi bërë që na solle të shpenzojmë paratë në vendin e budallenjve vrasës ! Mësoje; Qëllimisht nuk e fusin brenda Muzeut të qeshim ne dhe turistët, por e mbajnë jashtë që të qajmë edhe ne edhe turistët. Për të vetmet arsye; Të mos bllokohen ata përrenjtë e pa dukshëm brenda kokës së shqiptarëve në mënyrë që, përmes tyre, për interesa të ndyra, ende të mundësohet qarkullimi i llumrave propagandistikë të së kaluarës kriminale. E tëra përmes masturbimeve të pafundme reciproke nëpër ceremonira kujtim-dhe-lot-ndjellëse të kufomave gjoja “artistike” që sot qelbin ekranet me erë gjak dhe myk. Përmes shfaqjes nëpër ekrane të filmave me italianë qesharakë dhe gjermanë budallenj. Duke bërë sikur nuk dinë, sikur nuk kuptojnë, se krimi komunist të cilit ata sot i bëjnë hosana’, ishte më i zi, më gjakatar, më kriminal se të gjitha fashizmat dhe nazizmat bashkë. Me sfonde zyrash ku, si pa dashur, në mur rri varur portreti i diktatorit etj., etj. Dhe janë pikërisht ata të filmave, ceremonive, qokave, ekspozitave, teatrove dhe krejt xhinsi i tyre, ata që po thonë se nuk duhet hequr, ndërkohë që edhe vetë e dinë mirë se ka plot raste që vet’ autorët gjenialë kanë grisur apo shkatërruar me duart e veta kryevepra dhe nuk ka asnjë rast kur mediokrit të prekin plehrat e veta të cilat i quajnë të gjitha kryevepra. Dhe unë, o bija ime, nuk kam qenë gjithmonë si jam katandisur ! Kur isha i ri beqar isha i bukur. Një nga ato kurvat komuniste që sheh këtu lart në këtë përdhosje, njëra të cilën unë s’e përfillja, bëri një intrigë kundër meje lidhur me atë kushëririn gjuhërrëshqitës të cilit i pushoi zemra ulur në karrige. Dhe ajo u bë sebep që nuk munda të marr për grua atë që më deshte xhani mua, por, nga halli, mora atë e cila për këta përbindëshat këtu ka simpati, atë tarallaqen, mamin tënd. Kjo është arsyeja që ti sot duke mos qenë Bijë Pasioni nuk je dhe aq e bukur. Po mos u mërzit, se, s’po di si të ta them, kohët nuk mund t’i ketë njerëzit më të bukur se veten. Më kuptove besoj.

Aty pranë, një mami me të birin adoleshent;
– Mami, cilat janë ato tetat atje ?!
– Ta kallxon mami cilat janë ato tetat, ty o qefli i tetave të muzeumeve, refuzues i dhjetave të mësimeve. Ja, tre femra, të tria me pushkë ndër duar! Ajo nga e djathta, o xhan’i mamit, ishte një urruspie zborriste e përjetshme, aq telendare sa s’bën ta dish sepse çekuilibrohesh mendërisht për gjith’ jetën. Ajo katundarja që e mban pushkën poshtë, ishte dhe është thjesht një care. Kjo në mes, që duket aq e pafajshme, ishte aq edepsëze sa një të tillë nuk do ta gjesh dot në asnjë film e në asnjë libër tërë jetën. Para ca kohësh, një xhaxhi, tekstin e të cilit mami yt e ka shumë qejf, shkroi për këtë soc-llurbën aty lart; “Pafuqia dhe paturpësia, dhuna dhe përulja, padituria dhe padrejtësia, frikacakllëku dhe burracakllëku njerëzor, janë të gjitha atje. Sipas autorëve, deri aty nga mesi i shekullit të kaluar shqiptarët nuk kanë pasur fare femra. As nëna, as motra, as bija, as kushërira, as të dashura. Dhe rrjedhimisht as seksin nuk e kanë ditur çfarë ishte. Erdh’ u a mësoi ai proletari në mes me xhaketën supit. Nga mesi i shekullit të kaluar e tëhu, po. Prej atëhere kemi femra. Kemi tri femra. Të vetmet ndër gjithsej trembëdhjetë personazhet-simbole të historisë. Rrëqethje antiestetike unikale; Shpërpjesëtimi i kohës ngërç – Ainshtainian. Katër femra, tetë meshkuj – ndërlikim Darvinian. Burra me mustaqe, gra me pushkë – problem Frojdian. Proletar vetëm një, kazmë e lopatë asnjë – hall Marksist. I therur asnjë – pisk Stalinist. Sa kohë ka që rri varur atje ajo paçavure? Aty tek rreth pesëmbëdhjetë milionë minuta!”. Kuptove xhan’i mamit ?! Edhe diçka dhe s’të bezdis më se e shoh që t’u bë koka shkëmb si e atij me grushtin lart; Po të mos ishte ai proletari i gërrditshëm në qendër, i cili, meqënëse më kishte qejf vet, mu’ për këtë sajoi një intrigë të ulët, unë nuk do isha martuar me babin tënd, atë budallanë me brirë që vjen këtu e loton sepse kjo pamje i pëlqen, por me një tjetër që i thoshin “me biografi të keqe”, dhe ti biri im, nuk do ishe kaq i pa qartë sa të më pyesje për këto spiridhiçkat këtu, por do ishe më i fisëm, më i bukur, më shtatlartë, dhe koka nuk do të kishte dalë me qoshe. Prandaj unë për tërë këtë pocaqi’ e kam një mendim. Eshtë krim që rrezaton aq ligësi sa bën të dridhet dhe të rrëqethet gjithçka. Jo vetëm super të ndjeshmit, shqiptarët nervozë nga natyra, ata që gjith’ kohën fërfëllojnë vetvetiu si fije bari, ata fantaziozët aq të djegur për të udhëtuar, lundruar dhe fluturuar, saqë shtëpitë gjigande po i bëjnë si tragete dhe aeroplanë, por edhe pllakat e bulevardit i rrëqeth, i lëviz, i shkul kjo ligësi ! Ky mallkim i kohës kur të bije në dashuri ishte njëlloj sikur të të ndodhte një fatkeqësi. Ky pisllëk që ndot më tepër se të gjitha petroliferat dhe të gjithë centralet bërthamore së bashku. Ky shëmtim i pa emër të cilin ca guakë e quajnë “Art”. Kjo mënxyrë ! Kjo vrromë !

Mund ta ndotni, ta përdhosni ose ta zhgarravisni. Dhe ashtu, të ndotur, të përdhosur apo të zhgarravitur, me shekuj aty ta lini. Por më e mira, për aq arsye sa kjo llahtari pllakëza ka, është – ta hiqni !

Artikulli paraprakKohë të vështira për proamerikanët në rajonin tonë
Artikulli tjetërPezullimi zgjati vetëm dy ditë/ Pasi qëlloi shoferin me shpullë, rikthehet në detyrë Altin Qato