Nga Telnis Skuqi
Pa fjalë është pak të thuash, pa gojë është shumë.
Më erdhi si rrufe në qiell të pastërt. Nuk e prisja që një intelektual tepelenas, edhe të reagonte, por edhe të fshihej.
Kishte vërtet frikë, sepse në atë qytet që po kriminalizohet, të heqin qafe për hiç gjë.
“Nuk është e lehtë të jetosh në një qytet, ku edhe numrin e dhëmbëve ta dinë”, më shkruan në Facebook Gj. A., mësues i ciklit 9-vjeçar, prej 25 vitesh.
“Jetojmë në kohë të vështira”, shton ai dhe sakaq të nis një fotografi, ku shfaqet ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, njëherazi kandidatja për deputete e PS në Qarkun e Gjirokastrës, e shoqëruar me një person tjetër.
– Kush është ky?, e pyes unë me habi.
– Bostani!, më përgjigjet ai.
U shtanga. Më iku goja. Ngela pa fjalë.
Unë kujtoja se ai vuante ende vitet e burgut, pasi më 8 shkurt të gjashtë viteve më parë (2011), policia e atëhershme e kishte arrestuar në flagrancë në “Qafë të Muzinës”, me mbi 1 ton hashash, ndërsa sot krah për krah me zonjën ministre të Kulturës.
E mbaj mend atë lajm, si sot, sepse ishte aksioni i parë i policisë për atë vit, si dhe ishte tonelata e parë e bllokuar ndonjëherë, ndërsa Artan Bresha, “Bostani” siç e thërrasin shkurt miqtë e tij, nuk pati mundësi t’ja mbathte, ngeci në tentativën për të ikur në drejtim të paditur, e lanë në baltë bashkëpunëtorët e tij.
Në atë kohë, tonelata bëri bujë të madh, madje fotografia me furgonin tip “Ford”, me targa TP 0765 B, i tejmbushur me hashash bëri edhe xhiron e botës.
– Çfarë të thuash më, mendova unë.
Mësuesi kishte të drejtë.
Siguria e tij, nëse unë do ta identifikoja, do të ishte zero.
Një trafikant droge, pasi kryen disa vite burg, bëhet histori suksesi në administratën e pushtetit vendor, madje e bëjnë drejtor të Shërbimeve Publike.
– Këto të mira na solli Rilindja, më shkruan ironikisht mësuesi.
– Më fatlume është Mirela, shton ai.
– Sa herë që vjen në Tepelenë, tek “Bostani” e gjen mbështetjen, jo tek zgjedhësit, nis të shkruajë më gjatë ai.
Më tej, mësuesi Gj. A., më rrëfen se në vendlindjen e Ali Pashës Tepelenës, të fortët bëjnë ligjin, të dobëtit nënshtrohen.
Varfëria i ka lënë vendin mjerimit. Baballarët, tashmë, diskutojnë bukën e fëmijëve, jo barkun e tyre.
“Na hëngri hashashi. Nuk ka tokë të lirë për të mbjellë domate”, më shkruan mësuesi.
“E kupton o djalë, se çfarë do të thotë rilindës? Ka arritur kulmin. Në vend të tremben trafikantët, trembet populli”, më pyet dhe përgjigjet ai.
Kronika për arrestimin e bashkëpunëtorit të Kumbaros
Gjirokastër /8 shkurt/ – Policia e Gjirokastrës bllokoi mbrëmë dhe sot një ton lëndë narkotike marijuanë dhe arrestoi njërin prej trafikantëve, ndërsa tre të tjerë u shpallën në kërkim, njoftuan burimet e policisë lokale, në jug të vendit.
“Lënda narkotike ishte vendosur në brendësi të furgonit me targa TP 0765 B dhe po udhëtonte në drejtimit të Sarandës”, pohon Emri Vata, drejtori i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.
“Policia u vu në ndjekje të trafikantëve, duke bërë të mundur arrestimin e njërit prej tyre, Artan Bresha, 35 vjeç, nga Tepelena, ndërsa tre personat e tjerë u larguan, tashmë të shpallur në kërkim”, shton Vata.
“Nga këqyrja që iu bë furgonin rezultoi se në to ishin vendosur 400 pako me pesha të ndryshme, të mbështjella me letër natriban, ndërsa e gjithë sasia e lëndës narkotike arrinte 1 ton”, vazhdon ai.
I njëjti zyrtar specifikoi se, ndalimi i autorit dhe bllokimi i lëndës narkotike ka vijuar mbrëmë dhe u finalizua sot, në rrugën kombëtare Gjirokastër-Kakavijë, pranë fshatin Goranxhi.
“Gjatë aksionit të policisë u bllokua dhe një automjet tjetër, ‘Touareg’, me targa TR 8194 R”, vijon Vata.
“Ndaj 35-vjeçarit kanë nisur procedurat ligjore për paraburgimin e tij”, thotë Vata, duke shtuar se lënda narkotike kishte destinacion Greqinë.
Ky është i pari rast që Policia e Qarkut të Gjirokastrës bllokon një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike, nga 2 tonë marijuanë, me 47 autorë të implikuar që u sekuestruan një vit më parë.