Nga Bujar Vreto
Pa kaluar ende muaji i zgjedhjeve, zërat e pakënaqësisë kanë mbushur rrugët, kafenetë, tregjet. Ulem me banorë të qytetit dhe zonave rurale por vetëm ankesa: S’kemi ujë për vaditje, nuk kemi rrugë, bujqësia është shkatërruar dhe prodhimet nuk i nxjerrim dot në treg. Janë fjalë që i dëgjoj prej tyre, por pyetja që më vjen natyrshëm është: “Po si ka mundësi që këto probleme nuk i reflektuat në votë? Pse nuk ndëshkuat ata që ua shkaktuan?”
Përgjigjja është e dhimbshme në thjeshtësinë e saj:
“S’kishim kë të votonim. Të hiqnim një hajdut e të sillnim një tjetër? Një shpurë për të zëvendësuar një tjetër?” Është kjo ndjesi pafuqie që na ka ngrirë, që na ka lënë në vendnumëro, ndërkohë që shpresa rrëshqet gjithnjë e më larg.
Kjo është arsyeja pse sot më shumë se kurrë na duhet një elitë e re, veçanërisht në të djathtën politike, jo thjesht për të zëvendësuar fytyra, por për të rindërtuar besimin, për të sjellë integritet, vizion dhe guxim përballë një realiteti që po rrënohet dita-ditës.
Por ankesat nuk ndalen te infrastruktura, vaditje apo bujqësia, por ka një plagë edhe më të thellë që fshihet në sytë e prindërve dhe gjyshërve: ikja e të rinjve. “Na kanë ikur fëmijët, nuk kthejnë më kokën pas”, thonë me zërin që u dridhet.
Dhe unë s’e fsheh më frikën që kam shprehur që vite më parë.” Nëse vazhdojmë kështu, rreth viteve 2030 deri më 2035, do të jemi brezi i parë i azilantëve në qytetet tona. Librazhdi dhe Prrenjasi do të jenë azile të heshtura.”
A nuk është kjo alarmante? A nuk është kjo arsye e mjaftueshme për t’u zgjuar?
Tani është koha për të marrë përgjegjësi. Tani është momenti të japim besën, të kemi guximin të mos tërhiqemi, të mos biem në të njëjtat kurthe të shkurajimit dhe zhgënjimit. Sepse nëse jo tani, kur? Nëse jo ne, kush?
Koha do e tregojë nëse do jemi gjenerata që ia doli, apo ajo që u dorëzua. Por një gjë është e sigurt: ndryshimi nuk pret më.