Nga Bujar LESKAJ
Një institucion shumë i njohur, i cili prej mbi dy dekadash nderon vlerën e përjetshme të artit të shkruar, Panairi i 24 i Librit, padyshim ishte një ngjarje e cila mori vlera të veçanta, sidomos me vlerësimin e veprës së profesorit të historisë, studiuesit dhe shkrimtarit Uran Butka, të cilit iu akordua çmimi ‘Studimi më i mirë’, për botimin e kolanës së plotë të veprës së Mit’hat Frashërit, Gjeniut të Kombit.
Nganjëherë disa çmime vijnë si për të vlerësuar figura, autorë ose protagonistë, për të cilat vetë Historia do të shkruajë, por me frikën se mos ndoshta edhe vlerësimi i saj nuk do të jetë i plotë.
Rasti i studiuesit Uran Butka është një nga këta. I biri i Safet Butkës dhe nipi i poetit, atdhetarit dhe luftëtarit të Pavarësisë, Sali Butka, do të provonte telat me gjemba në kampin e Krujës, persekutimin, internimin dhe terrorin komunist.
Një çmim plotësisht i merituar për autorin, jo vetëm si studiues, por edhe si atdhetar, historian e patriot, si njeriu, të cilin nuk e theu komunizmi, nuk e mposhti diktatura, si njeriu që u rezistoi mundimeve e persekutimeve të paimagjinueshme, për t’u shquar edhe si një politikan me moral e integritet të lartë i Partisë Demokratike.
Një çmim plotësisht i merituar për profesor Uran Butkën, i cili me kolanën e tij për Mit’hat Frashërin i bën artit, letërsisë, fushës së mendimit e historiografisë shqiptare një nder të jashtëzakonshëm, pasi zbulon anët e panjohura të njërit prej personaliteteve shqiptare, i cili u denigrua 50 vite të regjimit komunist.
Me kolanën e veprave për Mit’hat Frashërin, autori vendos në piedestalin e merituar njërin nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, ndaj ky çmim është plotësisht i merituar.
Prof. Uran Butka ka studiuar dhe publikuar libra mbi ngjarje dhe personalitete të historisë shqiptare. Parimi i tij ka qenë zbulimi dhe nxjerrja në dritë e të vërtetave historike.
Çmimi në këtë panair kam bindjen se vjen edhe si vlerësim për të gjithë veprën letrare, studimore e historike të tij. Veprat e tij monografike e historike: Ringjallje (1995), Kthimi i Mid’hat Frashërit, jeta dhe veprat kryesore ( 1997), Mukja-shans i bashkimit, peng i tradhtisë (1998), Gjeniu i kombit, monografi historike (2000), Safet Butka, jeta dhe veprat (2003), Lufta civile në Shqipëri 1943-1945 (2006), Bombë në Ambasadën Sovjetike (2008), Elita shqiptare (2009), Masakra e Tivarit (2013), Dritëhije të historisë (2012), Kryengritjet e para kundërkomuniste (2013); veprat e tij letrare, skenaret e dokumentaret e shkruara dëshmojnë për një historian dhe shkrimtar, i cili ka si synim jo të “ndëshkojë” dhe “ndryshojë” historinë, por për ta rrëfyer atë ashtu siç është.
Studimet historike të profesor Uran Butkës, të trazojnë, të nxisin të vësh në diskutim, të dyshosh, të kërkosh, të ballafaqosh librat e tij me ato të të tjerëve, historinë e shkruar në diktaturë me atë shkruar në liri, pseudohistorinë e pseudohistorianëve me historinë e vërtetë, e cila veç nga njerëz si ai, dëshmitarë e protagonistë, mund të shkruhen.
Ndërkohë vëllimi VI i kolanës “Mid’hat Frashëri- Vepra të zgjedhura” botim i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, në të cilin përmblidhet letërkëmbimi i atdhetarit të madh shqiptar, përbën kurorën e meditimit, të veprimtarisë dhe krijimtarisë së tij.
Kam bindjen se ky çmim për studiuesin Uran Butka është vlerësim jo vetëm për veprën e tij, por edhe një vlerësim për të gjithë ata shqiptarë intelektualë dinjitozë që kërkuan e luftuan për një Shqipëri perëndimore.