Kamera e Ora News dhe gazetarja e emisionit “Tempora” Marjana Legisi sollën pamje nga ajo çfarë ndodh një ditë nëpër korridoret dhe auditoret e universiteteve, ku një pjesë e studentëve vijojnë të bojkotojnë mësimin duke u ngujuar në ambientet e institucionit. Një pjesë tjetër ka vijuar studimet.
Xhirimet janë kryer të premten e 18 janarit, në fakultetet e Ekonomikut, Mjekësisë, Inxhinierisë dhe Filologjikut ndërsa reportazhi është transmetuar në emisionin “Tempora” të Ora News, mbrëmjen e 22 janarit.
“Ne zgjohemi në fakultet. Flemë nëpër karrige, banka. Qytetarët na ndihmuan me batanije” thonë ata.
Studentët që vijojnë mësimin nuk duan të flasin. Edhe pedagogët nuk pranojnë. Ndërkohë që edhe sot studentët në katër fakultete të Tiranës nuk pranojnë paktin për universitetin të prezantuar prej kryeministrit Edi Rama. Reagimit të të rinjve u janë bashkuar tashmë edhe pedagogët të cilët kërkojnë shfuqizimin e ligjit për arsimin.