Një ditë pas aksidentit tragjik, në kryqëzim ka edhe polic edhe semafor

Një ditë pas aksidentit tragjik në Tiranë ku humbi jetën Dhurata Prifti për të shpëtuar dy fëmijët e saj, institucionet shtetëtore janë ndërgjegjësuar. Tashmë semafori funksionon normalisht, efektivi i Policisë Rrugore qendron në krye të detyrës, duke menaxhuar trafikun e rënduar në kryqëzim, ndërsa shoferët dhe kalimtarët, pasi shikojnë dhe komentojnë me keqardhje ngjarjen tragjike ecin më me shumë kujdes…të paktën për pak metra.
Ndërsa njëra nga pyetjet që me siguri nuk do të marrë kurrë përgjigje është; Nëse këto masa do të ishin në çdo moment të ditës, nëna e dy fëmijëve, Dhurata Prifti a do të ishte ende në jetë?!
Për shumë kohë semafori nuk ka punuar, thonë qytetarët, ndaj dhe aksidentet në kryqëzimin e rrugës “Asim Vokshi” me rrugën “Jordan Misja” kanë ndodhur pothuajse çdo ditë.
Vetëm 25 minuta pasi Andra Metollari përplasi nënën e dy fëmijëve, në të njëjtin vend u regjistruan edhe dy aksidente të tjera nga të cilat pati vetëm dëme materiale. Aksident pati dhe të enjten. Një makinë përplasi një motor, fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Dhurata Prifti, përveçse një nënë model, duket se ka qenë dhe një qytetare e tillë. Ajo ishte duke kaluar kryqëzimin në vijat e bardha bashkë me dy djemtë e saj, kur u përplasën nga benzi i drejtuar nga 20-vjeçari Andrea Metollari.
Pas u përplasën nga makina, Dhurata shtyu fëmijët e saj drejt trafikndarëses për t’i shpëtuar, ndërsa vetë në vend që të ndihmohej, pasi po tentonte të ngrihej u përplas dhe u mor disa metra zvarrë më larg nga makina. Ajo ndërroi jetë një orë pas aksidentit, ndërsa drejtuesi Metollari u fsheh për 3 orë. Daja i tij, efektiv i Policisë në Vlorë duket se e bindi Metollarin të dorëzohej në polici.

Dy akuza për aksidentin “horror”, autori shtypi gazin pas përplasjes

Ndaj 20-vjeçarit Andrea Memollari, i cili shkaktoi aksidentin e rëndë të mërkurën, ku humbi jetën shtetasja Dhurata Prifti, por fatmirësisht shpëtuan dy fëmijët e saj, rëndojnë dy akuza. Memollari akuzohet për “aksident me pasojë vdekjen” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.
20-vjeçari që shkaktoi aksidentin tragjik të së mërkurës, ku humbi jetën nëna e dy fëmijëve, ka dhënë dëshminë e tij para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Andrea Memollari, i cili u prangos pak orë pasi aksidentoi për vdekje Dhurata Pritin, ka deklaruar se nuk e mbante mend se si kishte ndodhur saktësisht aksidenti, por kujtonte se mbas goditjes së parë e kishte zënë paniku dhe i ka dhënë gaz makinës nga frika, pasi ishte trembur.
Ai ka shtuar se nuk e mendonte se do t’i kalonte përsipër nënës së dy fëmijëve dhe se u largua nga vendngjarja, pasi ishte në gjendje paniku. Sipas ekspertizës paraprake auto–teknike të kryer në vendngjarje rezulton se, shpejtësia e makinës ka qenë 35 km/orë, semafori ka qenë portokalli dhe pas goditjes së parë, sipas ekspertëve, Memollari nuk ka bërë asgjë për të minimizuar pasojat, madje ka shtuar shpejtësinë, çka ka qenë fatale për jetën e 45-vjeçares.
Nga ana tjetër, ekspertët sqarojnë se, Dhurata Prifti nuk ka qenë duke kaluar te vizat e bardha. Por përgjegjësia, sipas tyre, i takon 20–vjeçarit për mosdhënie prioriteti këmbësorit. Sipas ekspertizës mjeko–ligjore rezulton se, Dhurata Prifti ka marrë plagë të tilla që kanë shkaktuar shokun e rëndë traumatiko-hemoragjik. Sipas mjekëve, tek viktima janë konstatuar dëmtime të rënda të indit trunor, dëmtime në pjesën e gjoksit dhe në gjymtyrët e sipërme. Andrea Memollari akuzohet nga Prokuroria për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke shkaktuar vdekjen e një personi”, e cila dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
Andrea Memollari ka shkelur edhe herë të tjera rregullat e qarkullimit rrugor. Në vitin 2015, ai u dënua nga gjyqtari Martin Deda me 40 orë pune, në interes publik për korrupsion aktiv, pasi tentoi t’i jepte para policëve rrugorë, që e kishin ndaluar për tejkalim të shpejtësisë. I njëjti gjyqtar, në një rast të ngjashëm, për të njëjtën vepër penale, korrupsion aktiv ndaj punonjësit të Policisë Rrugore, ka dhënë dënim me burg 8 muaj.
20-vjeçari, që njihej si tip problematik dhe kishte pasion shpejtësinë, ka rezultuar negativ sa i përket testit të alkoolit, ndërsa për testin e përdorimit të narkotikeve ende nuk ka një përgjigje. Por në vendin ku ndodhi aksidenti i rëndë, ekspertët e sigurisë rrugore flasin për keqfunksionim të semaforëve. “Semaforët tek rruga e Stacionit të Trenit është vetëm me flesh, pra, që bën pulsime. Me rregullore, vetëm pas orës 11 të natës ai duhet të pulsojë, gjatë ditës duhet të punojë me tre ngjyrat. Ky është një element që bën që trafiku aty të mos jetë në mënyrën e duhur”, deklaron eksperti Artur Sulçe.
Një ditë pas aksidentit, semaforët funksionojnë normalisht, por sipas Sulçes, për shkak të mungesës së kulturës së këmbësoreve në njolla të tilla të zeza, enti pronar i rrugës duhet të vendosë mini gardele, apo gardhe rrethuese.

Exit mobile version