Një ditë pasi Zelensky konfirmoi takime të reja me SHBA-të për luftën me Rusinë, Moska kryen sulme masive ndaj infrastrukturës energjitike të Ukrainës

Forcat ruse kanë vënë në shënjestër infrastrukturën e energjisë dhe gazit të Ukrainës në një sulm “masiv” me raketa dhe dron, tha ministri ukrainas i energjisë.

 

German Galushchenko tha në Facebook: “Edhe një herë, infrastruktura e energjisë dhe gazit në rajone të ndryshme të Ukrainës është vënë nën zjarr masiv me raketa dhe dron”.

Ai shtoi: “Kudo që është e mundur, ekipet e shpëtimit dhe inxhinierët energjitikë po punojnë për eliminimin e pasojave. Po merren të gjitha masat e nevojshme për të stabilizuar furnizimin me energji dhe gaz.”

Objektet e prodhimit të gazit natyror në firmën shtetërore të naftës dhe gazit Naftogaz u dëmtuan, tha kompania në një deklaratë.

“Fatmirësisht nuk ka pasur viktima”, thuhet në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Kujtojmë se ditën e djeshme, u mbajt një samit urgjent në Bruksel nga 27 vende të BE-së, për të diskutuar lidhur me vendosjen e paqes në Ukrainë dhe menaxhimin e diplomacisë ndërkombëtare, pasi Trump ndaloi ndihmat ushtarake për Ukrainën.

Pas samitit me vendet evropiane që u mbajt të enjten, Zelensky tha se bashkëpunimi me SHBA-në do të bëhet për të arritur një paqe të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Ai e konfirmoi takimin e palës ukrainase me atë amerikane gjatë javës së ardhshme në Arabinë Saudite.

“Ekipi im do të qëndrojë në Arabinë Saudite për të punuar me partnerët amerikanë”, u shpreh ai.

“Të hënën e ardhshme, kam planifikuar një vizitë në Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës. Pas kësaj, ekipi im do të qëndrojë në Arabinë Saudite për të punuar me partnerët tanë amerikanë”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.

Exit mobile version