Frikërat, depresionet dhe pagjumësia janë pasojat më të shpeshta afatgjatë të sëmundjes COVID-19, thotë një studim i ri i bërë nga Universiteti Oksford.
Rreth një vit pas shfaqjes së një lloji të ri virusi corona SARS CoV-2 ne kemi mësuar se patogjeni agresiv nuk prek vetëm mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes, por edhe zemrën, enët e gjakut, nervat, veshkat dhe lëkurën. Në muajin korrik bota u trondit nga lajmi i neurologëve britanikë se edhe tek pacientët me simptoma të lehta ose tek ata që janë shëruar nga sëmundja, SARS CoV-2 mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme të trurit dhe sistemit qendror nervor, të cilat mund nga ana e tyre mund të krijojnë psikoza, paraliza dhe goditje në tru, sëmundje që mund të dallohen shumë vonë.
Tani shkencëtarët e Oxford Health Biomedical Research Centre kanë zbuluar se tek një e pesta e pacientëve sëmundja COVID-19 mund të shkaktojë probleme psiqike. Frikëra, depresione dhe pagjumësi shkakton sidomos izolimi. Studiuesit i kanë publikuar rezultatet e studimit të tyre në revistën shkencore “Lancet Psychiatry”.
Tek 6 përqind e të sëmurëve diagnostikohen për herë të parë probleme psiqike
Për studimin e bërë me bazë të gjerë, u vlerësuan së bashku me rrjetin e shëndetit TriNetX dosjet elektronike të shëndetit të 70 milionë pacientëve të anonimizuar nga SHBA. Mes tyre ndodheshin 62.000 pacientë me COVID-19 të sëmurë në gjendje të lehtë. Tek ta u kontrollua nëse patën shfaqje të problemeve psiqike në periudhën dy javë deri tre muajsh, pas marrjes së diagnozës me COVID. Sipas studimit tek 18,1 përqind e pacientëve me COVID -19, pra rreth një në pesë pacientë, u diagnostikuan sëmundje psiqike në këtë periudhë kohore, dhe tek 5,8 përqind e pacientëve u pa për herë të parë shfaqja e një sëmundjeje psiqike.
Krahasime me sëmundje të tjera
Për t’u siguruar se sëmundjet psiqike janë të lidhura direkt me COVID-19, u bënë krahasime të të dhënave me gjashtë sëmundje të tjera të të njëjtës periudhë kohore: me grip, me infeksione të tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksione lëkure, gur në tëmtha, gur në veshka si dhe thyerje të kockave. Tek këto sëmundje u diagnostikuan 2,5 deri 3,4 përqind e pacientëve me probleme psiqike.
“Ky zbulim ishte i papritur dhe duhet studiuar më tej. Ndërkohë shfaqja e shqetësimeve psiqike duhet shtuar në listën e faktorëve të rrezikut nga COVID-19 “, thotë Max Taquet nga Instituti Kombëtar për Studimet e Shëndetit, National Institute for Health Research dhe një nga autorët e studimit.
Studimi nuk duhet interpretuar më shumë se duhet
Studiuesit britanikë paralajmërojnë po ashtu që të mos bëhen mbivlerësime të dosjeve elektronike të shëndetit, sepse për disa nga anomalitë nuk ka shpjegime të pranueshme. Kështu, sipas të dhënave tek njerëzit me një sëmundje psiqike ekziston 65 përqind rrezik më i madh infektimi me SARS CoV-2. Përveç kësaj, tek pacientët me COVID-19 është diagnostifikuar brenda tre muajve dyfish më shumë demencë, se sa herët e tjera. Por kjo nuk do të thotë se SARS CoV-2 ka ndikim direkt në tru. Ka mundësi që demenca të jetë diagnostifikuar më shpesh, sepse studimi ka përfshirë më shumë njerëz, thotë Paul Harrison, Profesor i psikiatrisë në Universitetin e Oxfordit.
Shumë faktorë rreziku nuk janë marrë parasysh
Jashtë vëmendjes së studiuesve ka qenë gjinia dhe mosha e pacientëve, pirja apo jo e duhanit, konsumi i drogës. Të gjithë këta faktorë që e rrisin rrezikun e sëmundjeve psiqike. Pa studiuar kanë mbetur edhe aspektet socio-ekonomike dhe stresi në përgjithësi shkaktuar nga pandemia. Kur dihet që rreziku i sëmundjes së njerëve të varfër është më i lartë për shkak të kushteve të këqija të punës dhe banimit në hapësira të ngushta. Ata vuajnë po ashtu më shpesh nga sëmundje psiqike. Vitet e ardhshme do të tregojnë në çfarë mënyre virusi Corona shkakton dëme afatgjata dhe sëmundje psiqike.