Një ekip, një shpirt fitoreje!

Nga Agim BAÇI

Në këto orë të fundit përpara se bashkëqytetarët tanë të vendosin me votën e tyre për përfaqësuesit e tyre, dëshiroj të falenderoj këdo që në këto ditë më ka hapur derën, më ka dëgjuar në Sallmone, Borake, Koxhas, Xhafzotaj e Shijak, por edhe në gjithë zonën e Durrësit. Unë zgjodha që të flas me këdo, t’u kërkoj njerëzve që të këmbejmë mendime për mënyrën se si e shohin jetën, se çfarë kërkojnë nga politika. Nuk i kërkova askujt të vihet përpara dilemës për një përgjigje përballë meje nëse do të ma jepte votën apo jo.

Unë besoj se gjithkush duhet ta trajtojë këdo me dinjitet, e t’i lejojë që çështjen e votës ta vendosë me vetveten, duke dëgjuar, duke arsyetuar, duke reflektuar. U kam thënë se kushdo që kërkon të blejë vota është një person që kërkon t’i vërë një çmim njerëzve, që t’i trajtojë si mall, si qenie pa asnjë fuqi. Unë kam kërkuar nga bashkëqytetarët e mi që të jenë dinjitozë për veten e tyre, për familjet e tyre, sepse asnjë çmim për votën nuk do i ndihmonte ta shinin të nesërmen më me shpresë, sepse shit-blerja e votës zgjedh përfaqësues që i nënçmojnë dhe tallin qytetarët, pasi kushdo që kërkon të blejë votën e dikujt është dikush që nesër mund t’i vjedhë, t’i grabisë pronën, t’i poshtërojë!

Politika është art i së pamundurës, thonë filozofët politikë. Dhe arti i së pamundurës do të thotë të mos habitesh kur bashkëbiseduesit të kenë mendim tjetër nga i yti, të kenë bindje të tjera, të kenë pasione politike që nuk dëshirojnë as t’i arsyetojnë. Unë jam munduar të mirëkuptoj këdo që që nuk është në anën time politike, e njëkohësisht, këdo prej tyre i kam ftuar që të ushtrojnë të drejtën e votës me dinjitet.

Për pak orë do të votohet dhe bashkëqytetarët e mi do rikthehen në përditshmërinë e tyre. Por unë dëshiroj që ata ta shohin njëri-tjetrin në sy e jo të jenë peng i dëshirave të dikujt për t’i mbajtur në presion.

Asnjë mandat deputeti, nuk është më i rëndësishëm se sa fati i tyre i përbashkët, se sa jeta e tyre në komunitet, sepse mandatet shkojnë e vijnë, ndërsa ata jetojnë aty, brez pas brezi.

Në këtë finish, unë dëshiroj të falenderoj të gjithë anëtarët e ekipit tim, që më mbështetën dhe bashkëudhëtuan në këtë komunikim me këdo, duke respektuar secilin prej atyre që na dëgjoi. Ekipi që më mbështeti e ka fituar betejën e vet morale, sepse la në plan të parë të kësaj fushate dinjitetin e bashkëqytetarëve. Fitorja vlen kur kujtdo që i ke zgjatur dorën e ke parë në sy dhe ke folur hapur. Dhe ne e kemi ndjerë në kontaktet tona, se dëshira e shumicës së njerëzve me të cilët kemi komunikuar, është që të rihapim një faqe të re politike, me një Ndryshim të Madh, me një politikë që nuk i tall, me një politikë që i respketon dhe që i jep llogari për atë që i premton.

Faleminderit nga zemra për këtë bashkëudhëtim ku unë mësova shumë. Ajo që dëshirojmë të bëjmë së bashku, me ndihmën e Zotit, nis nesër rrugën e duhur, përmes votës tuaj, përmes vendimit që Shqipëria të jetë vendi ku dëshirojmë të jetojmë, ku duam të rrisim fëmijët tanë.

Artikulli paraprakBerisha: Krimineli me uniformë, Altin Shehu dhe banda e tij me në krye Edvin Drogën nesër do të marrin ndëshkimin e merituar
Artikulli tjetërPas Bashës, edhe Ambasadorja amerikane, Yuri Kim në Fushë-Krujë