Një epokë e re do nisë për Shqipërinë

Me ardhjen e presidentit Trump nis një erë e re, jo vetëm për Amerikën, por edhe për Shqipërinë. Personalitete të larta politike, bashkëpunëtorë të Presidentit Trump, anëtarë të Kongresit dhe Senatit i kanë shprehur kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbështetje në garën e ardhshme elektorale, si dhe për zbatimin e projektin e tij politik, për një Shqipëri të zhvilluar, Shqipërinë e mundësive për të gjithë, gjatë takimeve në Uashington.
I ftuar në ceremoninë e organizuar nga Fondacioni Heritage për inaugurimin e Presidentit Trump, Basha u takua me Neët Gingrich, një ndër këshilltarët më të afërt të Presidentit Trump. Zgjedhjet në SHBA, tha zoti Basha, janë një model frymëzimi edhe për Shqipërinë, për bashkimin e qytetarëve me besimin te demokracia, te vota e lirë, e cila nuk mund të mposhtet nga asnjë aleancë kundër interesit qytetar.
Lideri i opozitës, Lulzim Basha ishte i ftuar në një drekë pune nga kongresmeni dhe kryetari i Komisionit për Europën, Dana Rohrabacher, një njohës i mirë i zhvillimeve në Shqipëri dhe mbështetës i madh i vendit tonë.
Kryetari i opozitës i shprehu kongresmenit nevojën e madhe që ka Shqipëria për mbështetjen e SHBA, në një kohë kur standardet demokratike janë cenuar rëndë, media është nën presionin qeveritar, droga dhe korrupsioni po cenojnë mirëqenien e qytetarëve, nevojën për zbatimin e plotë të dekriminalizimit dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha mori në këtë takim premtimin për angazhimin personal të kongresmenit për të ndihmuar në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershne, zbatimin e standardeve demokratike dhe në mbështetje të reformave ekonomike dhe qeverisëse që do të ndërmarrë Partia Demokratike në pushtet.
Në takimin me Presidentin e Fondacionit Heritage, senatorin Jim DeMint, u diskutua për reformat për çlirimin e ekonomisë shqiptare nga monopolet, oligopolet e klientelizmi dhe krijimin e një ekonomie të vërtetë tregu.
Presidenti DeMint e siguroi z. Basha se në këto përpjekje PD do të ketë ekspertizën dhe mbështetjen e Fondacionit Heritage. Gjatë qëndrimit në SHBA, Lulzim Basha ishte i ftuar në pritjen e organizuar nga senatori Ted Cruz, kandidat për zgjedhjet për president, një jurist i njohur, prokuror dhe avokat i suksesshëm i shtetit të Teksasit dhe njohës i rrallë i politikave publike. Senatori Kruz ndau me z. Basha idetë dhe praktikat më të mira që ndiqen dhe në SHBA për të luftuar korrupsionin dhe forcuar drejtësinë. Z. Kruz e siguroi z. Basha se do të ketë mbështetjen e tij në projektin për një Shqipëri të drejtë dhe të mundësive për të gjithë.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, z. Basha theksoi se kjo vizitë konfirmoi interesimin e thellë të Uashingtonit për përparimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, ku në qendër do të jetë qytetari, vota e qytetarit, ku zëri i qytetarit do të përbëjë ndryshimin e vërtetë. “Unë do të mbështetem fuqimisht tek ky shembull dhe kam besim të madh se ky shembull jo vetëm do të mbështesë, por edhe do të frymëzojë një ndryshim të madh dhe të shpejtë në Shqipëri”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha gjendet në Uashington i ftuar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Trump nga Komiteti Kombëtar Republikan, përfaqësues të shumicës në Kongresin amerikan dhe të Partisë Republikane.

Artikulli paraprakAmerika e para, ndryshim politikës së jashtme
Artikulli tjetërAlibeaj: “Rama presion Akademisë së Shkencave për të uzurpuar drejtësinë”