Një fe islame “gjermane”?

Kersten KNIPP

Më pak se dy ditë zgjati diskutimi, pastaj Presidenti i shtetit turk Erdogan ndërhyri. Turqia, deklaroi ai, ruan të njëjtën distancë ndaj të gjitha feve. “Ky është laicizmi”, tha Erdogani. Me këtë, ai u pozicionua në debatin, që pati shkaktuar në fundjavë Presidenti i Parlamentit, Ismail Kahraman. Turqia është një shtet islamik, i cili ka nevojë për një “kushtetutë fetare”, konkludoi ai. Këtë tani Erdogani e kundërshtoi.
Ky diskutim përkoi me diskutimin në Gjermani për rolin e imamëve turq në komunitetet e xhamive në Gjermani. Janë rreth 970 imamë të tillë që e kryejnë shërbimin në Gjermani, të ndërmjetësuar nga Ditib-Bashkimi Turk-Islamik i Institutit për Fenë sh.r.
Në një artikull të gazetës së përditshme “Welt am Sonntag” shtrohet pyetja, se në ç’masë përpiqen të ushtrojnë ndikim politik në Gjermani shteti turk dhe AKP në pushtet përmes Ditib-it.
Ditibi nuk është “gjë tjetër, veç krahut të zgjatur të shtetit turk. Në vend që ta lërë të kthehet në një komunitet të vërtetë fetar, qeveria turke e bën Ditib-in gjithnjë e më shumë një organizatë pararojë të AKP-së në Gjermani” citon Welt am Sonntag politikanin e të Gjelbërve, Cem Özdemir. “Turqia”, kërkon Özdemir, “duhet t’i lërë të lirë më në fund myslimanët”,
Teologia dhe ekspertja e fesë Hamideh Mohagheghi, e cila jep mësim në Universitetin e Paderbornit, thotë se komunitetet e xhamive nuk kanë alternativë tjetër veç marrjes së imamëve nga bota e jashtme. “Deri tani në Gjermani nuk ka qenë e mundur shkollimi i imamëve. Qendrat që shkollojnë tani imamët janë shumë të reja. Prandaj nuk ka akoma njerëz që t’i kenë përfunduar këto shkolla”.
Edhe kuadri juridik e bën thuajse të pamundur që situata aktuale të ndryshohet. Kushtetuta gjermane u garanton feve pavarësi të lartë organizative. Veç kësaj: Mouhanad Khorchide, drejtues i Qendrës për Përvojat Islame në Universitetin e Münsterit thotë se, deri tani ai nuk ka pasur përvoja alarmuese me këta imamë. “Unë nuk shoh te imamët e Ditibit të dhëna, që sugjerojnë se deklaratat e tyre nuk janë në përputhje me Kushtetutën gjermane”.
Ai ka një shqetësim tjetër: “Shumica e këtyre imamëve nuk flasin as gjermanisht, as e njohin atë realitetin jetësor të të rinjve në Gjermani. Ata nuk e njohin kontekstin në Gjermani, në të cilin rriten shumë prej këtyre të rinjve. Prandaj ata nuk janë partnerë bisedimi për këta të rinj”.
Ai dëgjon shpesh nga myslimanët e rinj se. nuk e ndiejnë veten në shtëpinë e tyre në xhami, meqenëse imamët predikojnë nga një kontekst krejt tjetër, thotë Khordide. Hamideh Mohaghegi thotë se çdo fe zhvillohet në një kontekst kulturor dhe të realitetit jetësor. “Kjo bën që myslimanët që jetojnë në Gjermani t’i interpretojnë këtu parimet e fesë së tyre. Kjo është e pashmangshme dhe është mirë që ndodh. Sepse kjo tregon se, një fe është dinamike. Ajo edhe duhet të jetë dinamike, përndryshe nuk mbijeton”.
Por ky zhvillim ecën ngadalë, thotë Mohagheghi. Një numër i madh myslimanësh kanë frikë se mund të humbasin në këtë proces traditën dhe besimin. Prandaj, ata nuk janë të hapur për teologjinë dinamike, që mban parasysh edhe realitetin jetësor të njerëzve.

Exit mobile version