Policia italiane zbuloi në orët e para të ditës së djeshme 650 kilogramë marijuanë si dhe një skaf të braktisur. Droga u gjet në brigjet e Puglias, në komunën e Monopoli, në plazhin e Santo Stefano, mbas murit rrethues të një vile pushimi. Fillimisht janë gjetur 137 pako me lëndë narkotike, ndërsa pak më tutje në breg të detit është zbuluar edhe një gomone e braktisur.
Mediat italiane shkruajnë se, lënda narkotike vinte nga Shqipëria, përmes ujërave të Adriatikut, ashtu si tonelatat e sekuestruara në muajt e kaluar në rajonin e Puljas. Ndërkohë, po hetohet për të zbuluar shkaqet e braktisjes së ngarkesës dhe fshehjen e lëndës narkotike. Dyshohet se pakot me marijuanë janë fshehur në mënyrë që trafikantët të ktheheshin në një moment të dytë, për shkak se një e papritur duket se i ka penguar që të përfundojnë rrugën e nisur.
Me gjasë diçka ka shkuar gabim gjatë transportit të ngarkesës prej 650 kilogramësh, shkruan “La Repubblica”. Kësisoj trafikantët vendosën ta fshehin atë e ta rimarrin në një moment të dytë. Vlera në treg e drogës përllogaritet të jetë rreth 3 milionë euro. Prokuroria e Barit nisi hetimet për identifikimin e personave që kanë lënë drogën në plazhin e Puljas.
Po ashtu, Policia Financiare italiane e qytetit të Leçes sekuestroi mëngjesin e djeshëm 64 kg marijuanë dhe vuri në pranga shtetasin shqiptar Ibrahim Lilaj, 27 vjeç, me origjinë nga Vlora me akuzën e trafikut të drogës të llojit marijuanë. Mediat italiane shkruajnë se, në makinën e shqiptarit me të cilën udhëtonte nga qyteti i Leçes në drejtim të Brindisit u gjetën 64 kg marijuanë e konfeksionuar në 11 pako të mbështjella me celefon. Pas sekuestrimit një ditë më parë u gjetën rreth 650 kg marijuanë në brigjet e Leçes, Financa italiane ka forcuar kontrollin në territorin e rajonit të Pulias.
Në afërsi të komunës së Torre Testa të Brindisit, forcat italiane të rendit kanë identifikuar një automjet me ngjyrë të errët, mjaft i vjetër që udhëtonte me shpejtësi të ngadaltë në bordin e rrugës. Pak kilometra më tutje, me anë të një postblloku rrugor është bërë e mundur ndalimi i automjetit. Por drejtuesi i tij sapo ka ndaluar, ka braktisur makinën duke tentuar të arratiset. Policia italiane ka mundur ta ndalojë e ta arrrestojë pak minuta më pas.
Personi i arrestuar është shtetasi shqiptar nga Vlora, Ibrahim Lilaj, 27 vjeç, i cili është transferuar në burgun e qytetit të Brindisit. Droga e sekuestruar do të vlente në treg rreth 90 mijë euro. Makina e përdorur nga shqiptari rezulton në pronësi të një shtetasi me banim në Romë.
Ndërkohë, policia greke sekuestroi dje 47 kg mnariuanë të futur nga Shqipëria. Policia greke pikasi një mjet në Argos Orestiko, pranë Kosturit, të cilit i ka bërë shenjë për të ndaluar. Por menjëherë pas kësaj, makina është larguar me shpejtësi, në përpjekje për t’iu larguar policisë. Vetëm pak minuta më pas, mjeti është gjetur i braktisur në Ksirolivadhi, Veria.
Nga kontrolli i ushtruar në mjet, policia greke gjeti 47 kg 349 gramë marijuanë, e ndarë në 65 pako dhe e vendosur në 2 çanta. Nuk dihet se cilët ishin personat që po bënin transportin e lëndës narkotike, ndërsa policia ka nisur hetimet për të verifikuar se nga vinte droga. Policia greke sekuestroi drogën, e cila ishte ndarë në 65 pako të mbështjella me natriban.
Mediat italiane: Rikthimi i madh i kanabisit shqiptar
Faqja italiane e lajmeve online “Ilfattoquotidiano.it” i ka kushtuar një reportazh të gjatë situatës së kanabisit në Shqipëri. Çmimet kanë rënë për shkak të prodhimit të madh, sipas gazetarëve italianë që lajmërojnë rikthimin e madh të kanabisit shqiptar mes të rinjve europianë. “Në këtë periudhë, çmimet e shitjes së marijuanës kanë kapur fundin: 200 euro për një kilogram, ose një e treta e asaj që paguhej në vitin 2013. Një rënie çmimesh për shkak të superprodhimit. Ky është viti i rikthimit të madh të barit shqiptar në sheshet e Europës”, shkruan “Ilfattoquotidiano.it”.
Në reportazh ka edhe një prononcim të Saimir Tahirit, që nuk ngurron asnjëherë t’u përgjigjet gazetarëve të huaj. Tahiri thotë se janë fshatarët që kultivojnë kanabis për shkak të varfërisë. “Lufta kundër drogës nuk mund të jetë detyrë vetëm e policisë, por duhet të shkojë deri tek shkaqet e fenomenit. Varfëria dhe mungesa e punësimit i shtyjnë fshatarët, sidomos në zonat e thella, të kultivojnë kanabis, sepse kështu bëhen lekët shpejt”, ka thënë Tahiri. Por gazetarët italianë krahasojnë thëniet e tij me qëndrimin e autoriteteve italiane.
Sipas tyre, “Bujqit, janë hallka e fundit dhe më e dobët e një zinxhiri, që ka tek ndërmjetësit pikën më të fortë. Këtë po e tregojnë edhe hetimet e Prokurorisë italiane: truri i narkotrafikut është në Shqipëri dhe është i aftë të krijojë korridore deri në destinacionin final, pa u përdorur nga askush, por duke bërë tregti si i barabartë, me mafian italiane”, shkruan “Ilfattoquotidiano.it”. Reportazhi shoqërohet me disa fotografi, ku bien në sy fëmijët shqiptarë që punojnë në magazinat e kanabisit.
Dy shqiptarë kapen me kokainë, kanabis e përzierës në Itali
Një sasi e madhe droge dhe lëndë përzierëse është kapur nga Guardia di Financa e Komos, Itali, ndërsa në pranga janë vënë dy shqiptarë. Policia ka bërë të ditur se gjatë aksionit të djeshëm janë kapur 215 kilogramë anfetaminë pluhur, një kilogramë kanabis sativa, 500 gramë kokainë dhe 225 kilogramë lëndë për përzierje droge. Në pranga mësohet se janë vënë dy shqiptarë me inicialet A. Z., dhe E. Z., kushërinj me njëri-tjetrin ndërsa mësohet se ndaj tyre kishte një mandat arresti nga Drejtoria e Antimafias së Bolonjës. Gjithashtu dy shqiptarëve u janë gjetur edhe 5.250 euro kesh.