Një grek dhe dy shqiptarë: atentati i dështuar kundër Abdylhamidit II në vitin 1879

Nga dr. Hasan Bello

Në libërthin “Kundërspiunazhi në burimet osmane: rastet (1876-1909)” të historianit Emre Gor flitet për një ngjarje interesante. Më 18 shtator 1879, e cila përkonte me ditën e parë të Bajramit, kur sulltan Abdylhamidi II po nisej drejt xhamisë së Beshiktashit, rojet pikasën një person që bënte lëvizje të dyshimta. Në momentin që iu afruan, ai nxorri një kamë dhe filloi t’i sulmonte. Në përleshje e sipër, ai plagosi tre truproje, një prej të cilëve ishte edhe Osmani nga Shkodra.

Pas arrestimit agresori u dërgua në polici ku iu nënshtrua hetimit. Fillimisht, ai nuk pranoi të jepte shpjegime. Ndërsa në trup iu gjet një pasaportë rumune dhe një letër ku linte si amanet që po t’i ndodhte diçka trupi i tij të varrosej në një fshat të Greqisë. Nga hetimit rezultoi se ai ishte Kostantin Karajanopulo, një “tregtar” gruri që hynte dhe dilte shpesh në Stamboll nga Greqia. Ai kishte lidhje miqësore me Sokratin, magazinierin e Muratit V, të vëllanë e Abdylhamidit i cili kishte qëndruar në fron vetëm tre muaj pas implikimit në një komplot brenda pallatit, ndërsa tani mbahej i izoluar. Gjithashtu, atentatori kishte lidhje edhe me lozhën masone të Stambollit pjestarë të së cilës ishin personat e lartpërmendur.

Pasi kishin kaluar 36 orë nga atentati i dështuar, greku Kostantin Karajanopulo kërkoi nga autoritetet policore që ta dërgonin në spital për ta mjekuar. Kjo sepse gjatë arrestimit ai kishte marrë disa plagë.

Por gjatë kthimit për në stacionin policor ndodhi një ngjarje e rëndë. Në momentin kur ai ndodhej në barrelë, një lulishtar i pallatit sulltanor, Ramazani nga Shkodra i cili ishte djali i xhaxhait të truprojes së plagosur me emrin Osman, në shenjë hakmarrje afrohet dhe ekzekuton atentatorin.

A ishte ky një sulm i organizuar i vetë strukturave shtetërore? Apo një hakmarrje alla shqiptarçe? Kjo nuk ka për tu zbuluar dot kurrë!

Sipas dokumentacionit, Ramazani nuk bëri asnjë ditë burg. Kjo për shkak se mjekuligjor lëshoi një raport i cili e konsideronte atë si të paaftë nga ana mendore.

Hetimet për këtë atentat i cili do të pasohet nga shumë të tjerë vijuan. Personat e implikuar duke nisur nga Murati V dhe magazinieri i tij me emrin Sokrat u morën disa herë në pyetje. Gjithçka rezultoi se ishte e planifikuar, për të risjellë edhe një herë në fron Muratin V, i cili njihej si pjestar i lozhave masone.

FB IMG 1721125974387

Artikulli paraprakDraft-ligji për Policinë e Shtetit minon besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë publike
Artikulli tjetër“Demokratët Euroatlantikë mbështesin SPAK”, Basha: Altin Dumani dje u përballë në parlament me kastën e vjetër politike