“Ka njerëz shumë më inteligjentë se unë, të cilët përpiqen ta shesin imazhin e tyre në mënyrën më të mirë, ndryshe nga unë, por thellë-thellë ata janë të ngjashëm me mua”. Kjo është një prej frazave të Jose Mourinhos në adresë të Pep Guardiolës. Ishte koha kur El Clasico ziente për shkak të dy trajnerëve karizmatikë dhe kjo ndeshje nuk ishte thjesht një betejë mes dy gjigantëve spanjollë, por edhe një duel mes dy trajnerëve që hapat e parë i kanë hedhur bashkë.
Në vitin 1997, Bobby Robson i bashkoi të dy nën të njëjtën çati, sepse ai kishte në skuadër një lojtar model si Guardiola, ndërsa Mourinho u bë pjesë e stafit drejtues të klubit. Por ishte pikërisht Mourinho, ai që u bë një nga njerëzit më të urryer në “Camp Nou” pas atij kualifikimi të vuajtur të Interit në gjysmëfinalen e vitit 2010 dhe që prej asaj kohe, ai konsiderohet si një armik në Katalonjë. Ishte pikërisht fakti, që Guardioa drejtonte Barcelonën, që e shtyu portugezin të merrte drejtimin e Realit të Madridit, pasi dueli me kolegun spanjoll u kthye në një qëllim në vetvete për “Special One”.
Mourinho kërkonte me çdo kusht, që të thyente hegjemoninë e vendosur nga katalanasit në Spanjë, por kohët kalojnë dhe ironia e fatit i vendos sërish përballë njëri-tjetrit. Ata do të jenë padyshim protagonistët më të mëdhenj të një prej ndeshjeve derbi më të nxehta të planetit, Manchester United-Manchester City. Jetojnë në të njëjtin qytet dhe thithin të njëjtin ajër. Shtëpitë e tyre janë vetëm pak km larg dhe të dy synojnë mbi të gjitha të dalin fitues për shkak të rivalitetit të vjetër mes dy skuadrave. Gjithsesi, nëse kthehemi pas në të shkuarën, Guardiolës i japin të drejtë statistikat, pasi ai numëron 5 fitore, 2 humbje dhe 4 barazime në El Clasicot përballë Mourinhos. Stile të ndryshme loje, filozofi diametralisht të kundërta dhe një marrëdhënie që nuk ka qenë asnjëherë korrekte, sepse dihet publikisht që të dy nuk kanë simpati për njëri-tjetrin.
Botët e dy trajnerëve u përplasën edhe gjatë vitit 2008, kur Barcelona po planifikonte emërimin e Mourinhos në stol, por në mënyrë surprizë ishte. Guardiola, ai që u ul në kolltukun luksoz të blauganave. Një veprim që helmoi gjakun e portugezit, i cili u betua për ta luftuar përjetësisht rivalin e tij dhe arriti të ndërtonte një imazh të tijin edhe larg Katalonjës, duke drejtuar disa nga klubet më të mëdhenj të kontinentit. Tashmë ata janë pjesë e një tjetër kampionati prestigjioz dhe me siguri Premier League dhe Derbi i Manchesterit fiton më shumë peshë në arenën ndërkombëtare, sepse Mourinho dhe Guardiola rrisin edhe më shumë kuotat e kësaj sfide që edhe pa ata të dy në stol, konsiderohet si një prej dueleve më epike të futbollit modern.
Mesi qetëson tifozët: Jam mirë
Tifozët e Barcelonës mund të qëndrojnë të qetë. Dëmtimi që pësoi Lionel Mesi në sfidën kualifikuese për Botërorin Rusi 2018 mes Argjentinës dhe Uruguay-it nuk është serioz. Në këtë mënyrë, Mesi rrezikon të humbasë vetëm ndeshjen e fundjavës së ardhshme ndaj Alavesit, pasi shumë shpejtë pritet të jetë në dispozicion të trajnerit të Barçës, Luis Enrique. 5-herë fituesi i Topit të Artë ka disa probleme me pubalgjinë, por riaftësimi i tij pritet të jetë i shpejtë.
Ishte vetë Mesi me një postim në rrjetet sociale, ai që siguroi tifozët e Barcelonës se nuk ka asgjë serioze, me yllin argjentinas që falenderoi të gjithë fansat për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë këtyre ditëve. Mundësitë ekzistojnë që Mesi të jetë i gatshëm që për ndeshjen e radhës ndaj Deportivo Alaves-it, megjithatë trajneri i Barçës, Luis Enrique nuk ka ndërmend ta rrezikojë 29-vjeçarin dhe sipas të gjitha gjasave, Leo do të ulet në stol në sfidën e vlefshme për javën e 3-të të La Ligas. Mesi, i cili ishte përcaktues me golin e tij në fitoren 1-0 të Argjentinës ndaj Uruguay-it, u largua përpara kohe nga grumbullimi i kombëtares albiceleste, duke humbur kështu ndeshjen ndaj Venezuelës.