Një histori e shkurtër e Ukrainës

Emri i saj do të thotë “në kufi”, por gjendet në qendër të Europës dhe është në kryeqytetin e saj, Kiev, që lindi Rusia

Shpesh fjalët, sapo zbulohet, përmbajnë domethënien e vërtetë të gjërave, si edhe fatin e tyre. “Ukrainë” do të thotë “në kufi” (u krajna). Një hapësirë kufitare, gjithmonë e kontestuar dhe e pushtuar nga fqinjët e fuqishëm: Rusia në lindje dhe Polonia në perëndim (por edhe, kur ekzistonte, Perandoria Austro – Hungareze). Akoma sot, një monument afër kufirit me Sllovakinë ka një epigraf në latinisht që Shoqëria Gjeografike e Vjenës vendosi në vitin 1911: «Falë një sistemi meridianesh dhe paralelesh, në këtë pikë është fiksuar qendra e Europës». Kështu, Ukraina është një kufi i madh mu në qendër të kontinentit tonë. Një territor i madh (pas Rusisë, vendi me sipërfaqe më të madhe i Europës: 603700 kilometra katror; i 5-ti për nga numri i banorëve: 48 milion) për më tepër i rrafshtë, nëqoftëse përjashtohen malet e gjelbra të Karpateve në jug dhe, për pasojë, pa mbrojtje natyrore të mëdha: pafundësi fushash pjellore; stepa që shkojnë deri në det; kodrina të valëzuara; payje të pambarimta; një nëntokë e pasur sidomos me qymyr. Një vend plot me paradokse. Jo vetëm sepse aty (shumë më në lindje nga sa besohet rëndom) ndodhet qendra e kontinentit tonë, por sepse aty lindi Rusia. Kur në vitin 882 A.D. princi skandinav Oleg pushtoi Kievin (Kyiv), vrau zotërinjtë e qytetit (që i përkisnin tribùsë slave të Polianëve) dhe shpalli: «Ky qytet i shenjtë do të jetë nëna e të gjithë qyteteve të Rus’-ëve». Rus’-ët qenë klani i fuqishëm viking i qytetit. Brenda pak kohësh, ky qytet tregëtar, i përshkuar nga lumi i madh Dnjepër (që romakët e quanin Danaper) u bë qendra e një perandorie të madhe e të fuqishme që shkonte nga Deti Balltik deri në Detin e Zi.
Në fillimet e një kombi qëndrojnë të skalitura, ashtu si emri, edhe karakteret e kontradiktat e tij (që deri në ditët tona do të jenë bartës konfliktesh dhe paqartësishë). Fakti kyç, që ndryshoi historinë e Rus’-it të Kievit, qe në vitin 988, kur Princi Vladimir konvertoi të gjithë popullin e tij, që në atë kohë ishte pagan, në besimin kristian ortodoks. Princat e Kievit e morën shumë seriozisht besimin fetar bizantin si instrument pushteti: u ngritën me shpejtësi një numër i madh kishash dhe ndërtimesh të shenjta, aq sa Peshkopi sakson Ditmir i Merseburgut, kur vizitoi Kievin në vitin 1018, dëshmoi se në qytet numri i tyre kalonte 300 njësitë. Dëshmi ende e dukshme e këtij manifestimi arkitektonik të besimi fetar është shumë i bukuri Pečerska Lavra, i njohur edhe si Manastiri i Shpellave të Kievit: një manastir i lashtë, i ngritur më 1051 nga murgjërit Antoni dhe Teodos, i bërë vendi i kultit më i rëndësishëm në Mesjetë që sot mirëpret rezidencën e Mitropolitit të Kievit. Historia e kësaj bota të lashtë ukrainase, tashmë e mbingarkuar me dhunë, rrëfehet në epopenë e Këngëve të Igor-it’ (shekulli i XII-të), teksti i parë letrar rus, ku tregohen ndërmarrjet e Princit Igor’ Svjatoslaviç (1151 – 1202). Mbi mbretërinë e lulëzuar të Rus’-it u përplas në vitin 1240 hordhia e pushtuesve mongolë e udhëhequr nga Baty Khan. Kievi u rrafshua dhe banorët e tij u shfarosën. Në vijim, territori i Rus’-it u nda në tri principata: Galicia, Volynia dhe Moskovia (që më pas u bënë: Polonia, Lituania dhe Rusia).

Pa dëshirën e tyre, hebrenjtë kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në Ukrainë. Dëshmitë e para e pranisë së tyre në rajonin e Kievit i përkasin vitit 1018. Në luftën e përgjakshme midis fshatarëve ukrainas dhe latifondistëve polakë, hebrenjtë qenë gjithmonë nga ana e polakëve dhe, për pasojë, në mënyrë konstante objekt manifestimesh armiqësore nga ana e fshatarëve dhe e kozakëve. Mbreti Sigizmund i I-rë i Polonisë dhe Lituanisë (1506 – 1548) dhe pasuesi i tij, Sigizmund Augusti (1548 – 1572), i mbrojtën hebrenjtë, duke ju garantuar atyre të drejta të barabarta dhe mundësinë për t’u vendosur lirisht në Poloni dhe në Ukrainë. Situate u përkeqësua në mënyrë tragjike në vijim të revoltave të shërbëtorëve të glebës ukrainase, të udhëhequra nga Atamani kozak Bohdàn Chmel’nitskij (1596 – 1657), dhe të luftës ruso – polake (1654 – 1667), e quajtur Lufta e Ukrainës, që përfundoi me një ekspansion të konsiderueshëm territorial rus dhe shënoi fillimin e fuqisë së madhe politike dhe ushtarake ruse në rajon. Konflikti u gjenerua nga rebelimi i kozakëve ukrainas kundër polakëve. Qysh nga fillimi, kozaku Chmel’nitskij siguroi një ndihmë të rëndësishme nga Aleksei i I-rë i Rusisë, në shkëmbim të aleancës së tij, e sanksionuar në vitin 1654 nga Traktati i Pereyaslav që bashkoi faktikisht Ukrainën me Rusinë (për të festuuar denjësisht përvjetorin e 300-të të traktatit, në vitin 1954 Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik Nikita Sergejeviç Hrushov i dhuroi Ukrainës Gadishullin e Krimesë).
Në shekullin e XVIII-të u shfaqën lëvizjet më të rëndësishme të rilindjes mistike dhe të rizgjimit fetar, që ndryshuan jetën e përditshme, kulturën dhe filozofinë e komuniteteve hebraike të Ukrainës. Israel ben Eliezer, i njohur më mirë si Ba’al Shem Tov (1699 – 1760), qe themeluesi i Hasidizmit (hassidim = “njerëz të devotshëm”). Idhtarët e tij (që dallohen akoma sot prej xhybeve të gjata të zeza, kapeleve të mëdha prej shajaku apo peliçeje, mjekërrave dhe favoriteve kaçurrela) i kundërvinin dijes së Talmudit dashurinë e sinqertë për Zotin dhe idenë e një komunioni të njeriut me hyjnoren të realizuar nëpërmjet lutjeve dhe jetës së gëzuar. Me ediktin e Katerinës së II-të të dhjetorit 1791 (që mbeti në fuqi deri në marsin e 1917) autoritetet ruse përcaktuan “zonat e banimit” për hebrenjtë, përtej të cilave nuk kishin të drejtë të banonin dhe të punonin në mënyrë të përhershme. Veç kësaj, autoritetet inkurajuan të famshmet pogròmy (persekutime): linçime dhe djegie të shtëpive të hebrenjve. Në asnjë zonë tjetër të Europës, deri në ardhjen e nazizmit, antisemitizmi nuk qe kaq i pamëshirshëm. Edhe për këtë, duke filluar nga viti 1897, shumë nisët të përqafojnë kauzën sioniste dhe të imagjinojnë të ardhmen e tyre në Palestinë, jashtë “ferrit ruso – ukrainas”. Të tjerë ndërmorën rrugën e vështirë të emigrimit drejt Amerikës.

Me shekullin e XX-të historia e Ukrainës mori një drejt të ri, në një alternim shpresash, revolucionesh dhe dhunash. Revolucioni i vitit 1905 dhe më pas Revolucioni Bolshevik i 1917 e përfshinë drejtpërsëdrejti vendin dhe çuan në lindjen e Republikës Socialiste të Ukrainës. Qysh në vitin 1922 rajoni (që kishte qenë një prej hambarëve të Europës) u prek nga zija e parë e tmerrshme e bukës, që ju detyrua kolapsit të administratës shtetërore dhe luftërave të vazhdueshme që kishin gëluar në 7 vitet e fundit (Lufta e Parë Botërore; revolucion; luftë civile midis të kuqve dhe të bardhëve; lufta ruso – polake e 1920). Më pas, kur Partia Komuniste mori kontrollin e vendit, tentoi që t’i imponojë një mase fshatarësh kolektivizim e tokës. Fshatra të tëra ju kundërvunë projektit të kolektivizimit të tokave, parashikuar në Planin e Parë 5 Vjeçar të 1929. Për pasojë, të gjithë fshatarët (të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj) që nuk pranian t’i nënshtrohen kolektivizimit, nëpërmjet një fushatë denogruese mjaft të dhunshme, u damkosën si “kulaki” (pronarë), dhe u trajtuan si armiq në kuptimin e vërtetë të fjalës: të hipur me forcë nëpër trena dhe të deportuar larg, me rezultatin e varfërimit akoma më shumë të fshatrave. Politika e detyruar e kolektivizimit e Stalinit nuk solli asnjë rezultat ekonomik, përveç vdekjes nga uria dhe vrasjet masive.
“Holodomor”, buron nga shprehja ukrainase moryty holodom, që do të thotë “ta shkaktosh vdekjen nëpërmjet urisë”, dhe është emri i atribuar zisë së bukës, jo e gjeneruar nga shkaqe natyrore, që u përplas mbi territorin e Ukrainës në vitet nga 1929 deri më 1933 dhe që shkaktoi rreth 7 milion të vdekur. Kjo shpjegon se pse kur gjermanët e pushtuan Ukrainën në vitin 1941 shumë njerëz i mirëpritën duke i përshëndetur me bukë e kripë, si të ishin “çlirimtarë” (të shumta qenë episode e kolaboracionizmit: 30000 ukrainas luftuan bashkë me gjermanët, në famëkeqin Divizion i 14-të Halychyna dhe disa prej gardianëve më mizorë të kampeve të shfarosjes naziste qenë ukrainas). Në realitet, pushtimi gjerman në këtë rajon qe i një mizorie të padëgjuar, jo vetëm kundër hebrenjve, por kundër të gjithë popullsisë civile e konsideruar si bashkëpunëtore me një lëvizje partizane të rezistencës gjithnjë e më të fortë dhe heroike.

Në mbarim të luftës, Ukraina numëroi 8 milion të vdekur (prej të cilëve 1.5 milion hebrenj) dhe 2 milion të deportuar si skllevër (200000 mbetën në Perëndim). Nëqoftëse këtyre i shtohen 7 milion të vdekurit midis deportimeve, pushkatimeve dhe urisë, krijohet qartë një kuadër i kostos së jashtëzakonshme në jetë njerëzore që u ndërprenë gjatë 15 viteve të luftës në rajon. Pas Luftës së Dytë Botërore vazhdoi deri në vitin 1950 një luftë cfilitëse dhe e dhunshme e kryer nga ushtria dhe forcat e sigurisë kundër formacioneve klandestine të UPA-së, krahut ushtarak të Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas, e themeluar më 14 tetor të 1942, e udhëhequr nga gjenerali antisemit Roman Shukhevich. Nga mbarimi i luftës dhe deri në vdekjen e Stalinit (1953), 500000 ukrainas u dërguan nëpër burgje apo në kampe pune (gulagë).
Më 26 prill të vitit 1986 një tragjedi e re u përplas mbi Ukrainë: shpërtheu Reaktori Nr.4 i centralit atomik të Chernobyl. Të vdekurit si rezultat i drejtpërdrejtë i incidentit qenë 10000, por ata prej pasojave të rrezatimeve qenë miliona (edhe pse Rusia i ka kontestuar gjithmonë të dhënat e paraqitura nga Greenpeace dhe nga organizatat botërore). Nga ky episod, që tregoi të gjithë joefikasitetin e pushtetit sovjetik, nisën të zhvilloheshin lëvizje të ndryshme opozitare që u grupuan më1990, në Rukh (Lëvizja Popullore për Perestrojkën), e cila pati një rezultat të konsiderueshëm në zgjedhjet lokale dhe përgatiti rrugën për shkëputjen nga Bashkimi Sovjetik. Më 24 gusht të 1991 Ukraina shpalli pavarësinë, duke kaluar nga “anëtare e familjes së vendeve sovjetike” në shtet sovran dhe duke filluar kështu një rrugëtim të gjatë dhe jo pa probleme drejt demokracisë. Në vitin 1996, krahu reformator i Parlamentit (Verhovna Rada), paraqiti një kushtetutë të re: në dhjetorin e 2004 Ukraina u bë republikë parlamentare. Kështu, mirë apo keq, Ukraina u bë një vend “normal dhe demokratik”. Por pak individë, që për më tepër i përkisnin edhe oligarkisë së vjetër të Partisë Komuniste, futën në dorë pasuritë e vendit dhe brenda pak vitesh, falë edhe korrupsionit galopant, arritën që të sigurojnë pasuri ekonomike të mëdha.
Si shumë qytete të tjera të Lindjes europiane, të frustruar dhe të poshtëruar për një kohë të gjatë, Kievi është ringjallur në vitet e fundit të jetës, e nënkuptuar kjo në sensin më miklues, sipërfaqësor dhe kalimtare: dukshmëri dhe triumf i parasë, me të cilën duket se mund të sigurohet gjithçka. Rezultati është shpesh vulgar, i pafytyrë, me një ndjesi të falses. Vitalistik në mënyrë melankolike. Karnavali i seksit të lehtë passovjetik, përveç se një mjet i shpejtë për të bërë para, përfaqëson edhe një dëshirë të përhapur harrese: harrohen tragjeditë e së kaluarës në një lloj orgjie, por që e përjashton shumicën e popullsisë, e cila vazhdon të varfërohet (anipse në masë më të vogël se në të kaluarën). Ndër vite merr një dimension mjaft të konsiderueshëm fenomeni i grave ukrainase që shkojnë të punojnë (si shërbëtore, kamariere apo infermiere) në vendet perëndimore. Lënë në shtëpi burrat dhe fëmijët, duke i mbajtur me një pjesë të rrogës së tyre (200 dollarë në muaj në Ukrainë janë goxha shumë). Sidomos në fshatrat e vegjël, ku vërehet një shpopullim i çuditshëm: vetëm të rinj, pleq dhe burra të vetmuar, që në shumicën e raste nuk punojnë më dhe e zhysin në alkool ndjenjën e tyre të kotësisë.

Mafia ukrainase kontrollon thuajse gjithçka. Sipas revistës “Time”, bosi më i madh mafioz në histori nuk është as italian, as italo – amerikan, por ukrainas: quhet Semion Judkoviç Mogileviç. I lindur në Kiev në vitin 1946, nga një familje e mesme borgjeze hebreje, u diplomua në moshën 22 vjeçare për Ekonomi në Universitetin e Leopolit. Në fillimvitet ’70, nuk dihet mirë sesi, u bë në Moskë anëtar i grupit kriminal Lyuberetskaya. Kur në vitet ’80 më shumë se 10000 hebrenj ukrainas dhe rusë emigruan në Izrael, Mogileviç u dha atyre mundësinë që t’i kthenin objektet e tyre të çmuara në paratë që më pas do t’i gjenin në atdheun e ri. Në vitin 1990, tashmë milioner, falë investimeve frutdhënëse në aktivitete si tregu i zi, prostitucioni dhe droga, edhe ai u transferua në Izrael, bashkë me disa bashkëpunëtorë të tij. I martuar më 1991 me një farë Katalin Papp (me të cilën ka pasur 3 fëmijë), u vendos në Hungari, duke siguruar menjëherë shtetësinë dhe shkoi të banojë në një vilzë luksoze të fortifikuar në periferinë e Budapestit. Aty u bë pronar i fabrikës së prodhimit të topave dhe raketave kundërajrore «ArmyCo-Op». Në vitin 1994, grupi i Mogileviç siguroi kontrollin e “Inkombank”, një prej bankave private më të mëdha të Rusisë. Banka falimentoi më 1998, por falë asaj ai siguroi një kuotë të rëndësishme të fabrikës së armatimeve ruse “Sukhoi”. I kërkuar nga policitë e gjysmës së Europës dhe i konsideruar nga shumë vende «person non grata», Mogileviç u transferua në Kanada, duke marrë nën kontroll, bashkë me njerëz të tjerë, Toronto Stock Exchange (TSX). Më 24 janar të 2008 u arrestua në Moskë për evazion fiskal të dyshuar, por një vit e gjysmë më pas u lirua. Ministri i Jashtëm rus deklaroi se «akuzat kundër tij nuk janë me ndonjë natyrë kushedi se çfarë të rëndë». Por konsiderohet nga FBI-ja si një prej kriminelëve më të rrezikshëm në qarkullim dhe, për shkak të inteligjencës së tij të lartë, mbiquhet «brainy don» (doni me tru).
Siç ka nënvizuar në 2002, Jurij Andrukoviç, poeti dhe shkrimtari më i madh i sotëm ukrainas: «Pas Chernobyl na ka rënë mbi kokë mafia ukrainase me të gjithë peshën negative të saj, jo vetëm në formën e vrasjeve dhe atentateve. Korrupsioni është gjendja permanente e raporteve midis njerëzve, prostitucioni është një fenomen absolutisht normal. Tregu i femrave është një prej punëve më fitimprurëse».

Nga janari i vitit 2005, historia politike ukrainase është radikalizuar dhe komplikuar më tej, duke u monopolizuar nga dy personazhe të çuditshme: ish funksionari i Bankës Qendrore Viktor Jushçenko, properëndimor (pësoi edhe një tentativë helmimi me dioksinë nga dora e shërbimeve sekrete) dhe politikani prorus, me dënime penale, Viktor Janukoviç, udhëheqësi i Partisë së Rajoneve. Jushçenko i fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet e 26 dhjetorit, i shtyrë nga mobilizimi popullor i të ashtuquajturit Revolucion Portokalli (nga ngjyra e flamujve dhe e kapuçëve), i drejtuar nga oligarkia e diskutuar Julija Volodimirivna Tymoshenko (1960), e bërë më pas udhëheqësja e Bashkimit të të Gjithë Ukrainase “Atdhe” dhe e Bllokut Elektoral Julija Tymoshenko. Nga viti 2005 deri më 2010, Jushçenko qe President Republike dhe Tymoshenko nga 2007 deri më 2010 qe Kryeministre (gruaja e parë që mban këtë post në Ukrainë). Në ato vite, Ukraina u afrua shumë me Perëndimin, duke e preokupuar gjithnjë e më shumë Moskën.
Në zgjedhjet presidenciale të 2010, Rusia mbështeti më të gjitha mjetet Janukoviçin, i cili fitoi në balotazh ndaj Tymoshenkos (Jushçenko u mund në raundin e parë, duke marrë vetëm 5.45% të votave). Me Janukoviçin pushteti është bërë më autoritar (ish kundërshtarja e tij është gjykuar dhe është burgosur) dhe Ukraina është afruar më shumë me Rusinë. Ama pa e braktisur aspiratën e hyrjes në Europë. Por mosvendimet dhe maturitë e zakonshme cfilitëse europiane (të para tashmë në veprim ndaj Turqisë) e kanë çuar në fund Presidentin që të refuzojë ta firmosë MSA-në e Ukrainës me Europën, themelore për mbijetesën ekonomike të vendit, në favor të një huaje ruse të dhënë nga Presidenti Putin, që e lidhte akoma më shumë vendin me Rusinë. Ky ka qenë shkaku shpërthyes i protestave popullore (në pjesën perëndimore të vendit) që kanë çuar në nëntorin e 2013 e pushtimit të Sheshit të Pavarësisë (Maidan: “kryevepër” gjiganteske e arkitekturës staliniane) në qendër të Kievit nga ana e “manifestuesve proeruopianë”. Motiv i mëtejshëm proteste për popullsinë ka qenë rritja e shpejtë e pasurimit që ka parë fëmijët dhe të afërmit e Janukoviçit të bëhen miliarderë, ndërkohë që ekonomia e vendit dobësohej. Veç kësaj, disa aktivitete industriale janë zhvendosur në Rusi dhe sipërfaqe të mëdha bujqësore i janë shitur Kinës: vend që dërgon në Ukrainë krahun e saj të punës në kurriz të atij vendor, duke krijuar krijuar papunësi dhe pakënaqësi të madhe na zonat rurale të Ukrainës.

Në janarin e 2014 përleshjet në rrugë janë bërë gjithnjë e më të dhunshme dhe barrikadat më të larta e më të mirëorganizuara. Midis manifestuesve, shfaqen grupe paraushtarake nacionaliste. Por shumica e njerëzve nuk i përkrahin as pozicionet e tyre politike, as aq më pak antisemitizmin e tyre të deklaruar. Polici, manifestues dhe snajperë anonimë të vendosur nëpër çati nisin të qëllojnë. Në fund numërohen rreth 150 të vdekur (7 nga radhët e policëve) dhe më shumë se 1000 të plagosur. Më 22 shkurt manifestuesit kërkojnë dorëheqjen e Janukoviçit, tashmë i rrethuar, që arratiset nga kryeqyteti, duke u strehuar afër kufirit rus. Bashkë me të arratisen edhe Kryetari iParlamentit dhe Ministri i Brendshëm, që i lënë postet e tyre. Pallati presidencial sulmohet nga manifestuesit. Tymoshenko lirohet dhe kthehet të flasë në shesh (anipse jo të gjithë manifestuesit janë të gatshëm ta harrojnë “politikën e saj jo të pastër”. Në zëvendësim, Parlamenti emërin Kryetar të tij dhe Kryeministër “ad interim” Oleksandr Turçinov, ish Zëvendëspresident i Bashkimit të Industrialistëve dhe Biznesmenëve Ukrainas dhe ish shef i shërbimeve sekrete, krahu i djathtë i Tymoshenkos.
Edhe prej ndërhyrjeve të rënda të Rusisë, atmosfera në vend fillon e nxehet, deri në gjeste simbolike mjaft paradoksale: për shembull, një prej dekreteve të para të qeverisë së re (që ka shkaktuar protestat e anës lindore të vendit) ka qenë abrogimi i gjuhës ruse si një prej gjuhëve të Ukrainës. Bëhet sikur injorohet fakti që shkrimtarët më të mëdhenj rusë të ‘900 janë ukrainas, që i kanë shkruar kryeveprat e tyre në rusisht: Isaac Babel (Ushtria në kalë”), Mikhail Bulgakov (Mësuesi dhe Margarita), Vassily Grossman (Jetë dhe fat).
Politika ukrainase tregon edhe një herë akoma transformizmin e saj të jashtëzakonshëm që nuk u mundëson qytetarëve (dhe aq më shumë vëzhguesve perëndimorë) që të kuptojnë realisht se cilat janë forcat në lojë. Ndërkaq Rusia lëviz për të siguruar, po qe e nevojshme edhe nëpërmjet forcës, bazat e saj detare në Krime (ku 10% e popullsisë përbëhet nga tartarë, të fesë myslimane), dhe rajonet lindore, ku ndodhen minierat e pasura me qymyr, kërcënojnë shkëputjen nga Kievi.

Në fillimet e muajit mars, prania e forcave të armatosura ruse në gadishullin e Krimesë është rritur deri në 22000 njësi (ndërkohë që sipas marrëveshjes midis Ukrainës dhe Rusisë të vitit 1991, limiti duhej të ishte 12500). Në pak ditë, ushtarakët rusë kanë dalë nga kazermat e tyre dhe kanë pushtuar pikat strategjike të gadishullit. Parlamenti i Republikës së Krimesë ka shpallur pavarësinë nga Ukraina dhe ka vendosur një referendum për aneksimin me Rusinë. Në të njëjtën kohë, në pjesën lindore të Ukrainës (ku është “strehuar” presidenti i rrëzuar Janukoviç), “prorursët” kanë bërë manifestime kundër “grushtit të shtetit” që është kryer në Kiev nga ana e “forcave fashiste”. Por jo të gjithë rusët që janë në Ukrainë duan të përfundojnë nën kontrollin e Moskës (në fakt, një Ukrainë e hapur ndaj Perëndimit u duket atyre më e preferueshme nga Rusia e Putinit). Dhe pikërisht në kryeqytetin rus, më 14 mars 50000 rusë kanë manifestuar me flamujt ukrainas kundër politikës agresuve të qeverisë Putin. Referendum është mbajtur të dielën më 16 mars dhe, me shumë dyshime për mashtrime, ka parë fitoren me 93% të votave të atyre që duan të ribashkohen me Rusinë. Sheshet e gadishullit kanë festuar atë që është paraqitur si një “çlirim”, me këngë e valle deri herët në mëngjes.
Kështu, gadishulli i Krimesë i kthehet Rusisë, që e kishte pushtuar në shekullin e XVIII-të me Careshën Katerinë. Bazat strategjike e Marinës ruse nuk vihen më në diskutim dhe shumica e popullsisë, që gjithësesi ndjehet ruse, “është e sigurtë në shtëpinë e vet”. Por nuk është e qetë as 10% e popullsisë tartare, as pakica ukrainase, as rusët që preferojnë të jenë të pavarur (shumë prej të cilëve nuk kanë shkuar të votojnë). E pafuqishme, bashkësia ndërkombëtare ka vendosur sanksione ekonomike për të ndëshkuar Rusinë, gjithësesi me shpresën që të kënaqet më Krimenë. Do të duhej në fakt të hasej me një katastrofë nëse rezultati i kësaj krize (e zgjidhur forca të armatosura dhe referendumin) do të shumëfishonte në pjesën lindore të Ukrainës shtytjet indipendentiste proruse dhe “oreksi” i Putinit nuk do të plotësohej (siç nuk u shuajt ai Hitlerit, vërejnë të preokupuar drejtuesit e rinj ukrainas, në vitin 1938, kur Europa e lejoi që të merrte Suedetet në dëm të Çekosllovakisë).
(nga Storica)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version