Një Inter italian

Interi blindon një nga lojtarët që ka spikatur më shumë që nga momenti që drejtimin e skuadrës e ka marrë Stefano Pioli. Danilo D’Ambrosio, mbrojtësi i krahut të djathtë, i cili së fundmi u grumbullua për herë të parë edhe në kombëtaren italiane, ka rinovuar zyrtarisht kontratën e tij me klubin zikaltër deri më 30 qershor të vitit 2021.
Në këtë mënyrë e ardhmja e mbrojtësit 28-vjeçar do të vazhdojë të vishet me ngjyrat zikaltër. Ky është një moment i artë për Danilo D’ambrosion, i cili do të jetë një nga italianët e shumtë që do të jenë pjesë e Interit sezonet në vazhdim, pasi pronarët e rinj kinezë e kanë bërë të qartë strategjinë e tyre, për të italianizuar sa më shumë skuadrën.
I transferuar nga Torino te Interi në janar të vitit 2014, D’Ambrosio gjatë kësaj periudhe ka koleksionuar 97 paraqitje me skuadrën zikaltër në të gjitha kompeticionet teksa numëron dhe 7 gola të realizuar e 5 asiste. Në këtë sezon, 28-vjeçari italian është mbrojtësi i krahut që është aktivizuar më shumë te Interi ndërsa pozicionohet i dyti pas Mirandës në repartin e prapavijës përsa i përket topave të rikuperuar. Që Interi i ri do të jetë më shumë italian sinjalet e para po jepen sepse pas blerjes së Gagliardinit nga Atalanta, drejtori sportiv Piero Ausilio ka arritur marrëveshjen me Sassuolon për transferimin në Milano në përfundim të këtij sezoni të Domenico Berardit.
Vlera e kartonit të lojtarit të përfaqësues italiane të 21-vjeçarëve do t’i kushtojë arkave të klubit zikaltër rreth 40 milionë euro, me Interin që pritet të përfshijë në marrëveshje edhe Gianluca Caprarin, lojtar i cili është në pronësi të Interit, por aktualisht luan i huazuar te Pescara.
Ndërkohë, trajneri italian, Stefano Pioli pritet të largohet nga skuadra e Interit në fund të këtij edicioni. Sipas “Sport Italia”, nerazzurrët tashmë kanë nisur bisedimet me trajnerin e Romës, Luciano Spalletti.
Ky i fundit pritet të largohet nga ekipi romak gjatë verës, derisa pritet ta marrë drejtimin e Interi. Por, sipas mediave italiane kandidat për ta marrë drejtimin e Interit janë edhe Diego Simeone (Atletico Madrid) dhe Jorge Sampaoli (Sevilla).

Artikulli paraprakNeymar, lojtari që pëson më shumë faulle në Spanjë
Artikulli tjetërTare sherr me mbrojtësin e Romës