Ramën e mundon Dhjetori dhe lëvizja e studentëve që çoi në rrëzimin e diktaturës komuniste. Si një pinjoll i Bllokut, ai nuk mund të mbante një qëndrim të ndryshëm prej saj. Frazat e hedhura në New York se studentët ishin të pirë kur nisën protestën janë metamorfoza e një të Sëmuri psikik, i cili, pasi tentoi të mashtrojë opinionin se ai ishte iniciatori i Lëvizjes, tani po mundohet ta bëjë pis. Në fakt, Rama e bën pis Lëvizjen e Dhjetorit po aq sa mund ta bënte pis edhe Ramiz Alia apo këlyshë të tjerë të Bllokut.
Kryeministri Rama ka hapur një ekspozitë personale me letra muri të stampuara me skicat e tij dhe me punime qeramike në galerinë e famshme Marian Goodman në Nju Jork.
Në mjediset e galerisë ai zhvilloi gjithashtu një bisedë me promovuesin kryesor të tij në qarqet ndërkombëtare artistike prej gati 20 vjetësh, Hans Ulricht Obrist.
Sikurse në bisedat e mëparshme Rama-Obrist, qëllimi dhe përmbajtja e bisedës në Nju Jork ishte portretizimi i Ramës si një artist dhe politikan rebel dhe transformues, i cili fillimisht sfidoi komunizmin dhe artin e socializmit realist dhe pastaj përdori artin për të ndryshuar shoqërinë dhe politikën, fillimisht si kryebashkiak dhe më pas si kryeministër.
Duke folur për aktivitetin e tij antikomformist si pedagog në ish-Akademinë e Arteve, Kryeministri Rama u shpreh se, aktiviteti i tij filloi si lëvizje për të sjellë në akademi artin e ndaluar dhe pastaj u kthye në lëvizje ndaj regjimit.
Ai pohoi se, protestat e studentëve të dhjetorit filluan të frymëzuara nga një takim për të përkujtuar vdekje e Xhon Lenonit, ku ndër të tjera u luajt kënga e tij Poëer to the People (Pushteti popullit).
Por në mënyrë të çuditshme, ai pohoi se studentët kishin pirë përpara se të dilnin në rrugë dhe kështu të fillonin protestat e dhjetorit:
Lvizja filloi më 8 dhjetor 1990 dhe ishte një festë në Akademi për të përkujtuar 10-vjetorin e vrasjes së Xhon Lenonit…
Dhe pastaj njerëzit u entuziazmuan nga kënga Pushteti popullit dhe pasi kishin pirë disa gota dolën rrugëve dhe kjo ishte një kombinim i pabesueshëm me disa studentë të tjerë nga ana tjetër e qytetit që dolën dhe ata në rrugë dhe kështu shpërtheu.
Në fakt, kryeministri Rama nuk ndodhej në Shqipëri, por në Korfuz të Greqisë më 8 dhjetor 1990 (fakt që dëshmon se më shumë se kundërshtar i regjimit, ai ishte i privilegjuar i regjimit që lejohej të dilte jashtë shtetit). Edhe pse në Nju Jork ai la të nënkuptohet se ishte ai organziatori i përkujtimit të Xhon Lenonit, në të vërtetë ai nuk ishte.
Por e pavërteta më e madhe e rrëfimit të tij është fakti se, protestat studentore nuk filluan nga njerëzit që dolën nga Akademia e Arteve, por nga studentët e Inxhinierisë së godinës 15 në Qytetin “Studenti”. Në orët e vona të mbrëmjes së 8 Dhjetorit, pas disa orësh qëndrimi para godinës për shkak të mungesës së dritave, pasi kënduan këngë patriotike dhe hodhën parulla kundër qeverisë, këta studentë filluan të lëviznin drejt daljes së Qytetit “Studenti”, duke tërhequr qindra studentë të tjerë.
Vazhdimi është histori, por jo historia në variantin e manipuluar që mundohet të bëjë fakt Edi Rama.