Nga Red VARAKU
Tërmeti ishte goditja fatale për këtë kryeministër të korruptuar, gjunjët e të cilit mezi mbaheshin në këmbë, nga skandalet dhe pasojat e pariparueshme të një ofensive të jashtëzakonshme diskretitimi të Opozitës.
Kapitullimi total i qeverisë si dhe mosbesimi i hapur i qytetarëve ndaj tij, vulosën përfundimisht fatin e tij.
Goditja e knockdown-it erdhi pikërisht atëherë kur nuk e priste, ose ‘pabesisht’ siç e ka thënë edhe vetë ai, nga natyra. Me ç’duket kësaj rradhe ,jo vetëm qytetarët, por edhe vetë ‘fatin’ e ka kundër.
Ndërkohë, që kryeministri e kuptoi menjëherë që ditën e parë kapitullimin e tij, shumë shqiptarë ende nuk e perceptojnë këtë për shkak të tronditjes së thellë.
Por, tani që goditjet e valëve sizmike janë rralluar, të gjithë kanë filluar të dalin nga kllapia e këtyre ditëve dhe po përballen me pasojat e vërteta të katastrofës, e cila po shpërfaqet me tërë mizorinë dhe ‘pabesinë’ e saj.
Raportimet e këtyre ditëve po zbulojnë, që jemi përballë një katastrofe me dëme të pallogaritshme ekonomike dhe situata sa vjen dhe po rëndohet.
Situata është në prag revolte. Qytetarët po ia plasin në sy të vërtetën e hidhur kryeministrit hollivudian në çdo takim. Ai është i terrorizuar nga ky fakt, sepse ai e ka të qartë, që ky zemërim, që po zien si llavë, mund të rritet me shpejtësi dhe të shpërthejë si vullkan ditët në vijim.
Ajo që bie në sy është, që dëmet qoftë në njerëz qoftë në objekte, nuk janë dhe aq përgjegjësi e natyrës, se sa janë pasojë e papërgjegjshmërisë njerëzore.
Kjo katastrofë zbuloi para syve tanë rrumpallën e bërë me ndërtimet, përgjegjësia e të cilës bie drejtpërdrejtë mbi Edi Ramën dhe Vangjush Dakon. Por, ironia më e madhe është se në vend që njeriu që ndërtoi një kasaphanë në Tiranë të ishte në qeli me pranga në duar, tani kërkon të rindërtojë edhe Durrësin.
Ndërsa, ndihmat, që u amplifikuan me të madhe ditët e para të katastrofës për të mbuluar paaftësinë e qeverisë, rezultojnë të jenë të pamjaftueshme për të kompensuar sadopak dëmet që përllogariten të jenë me miliarda.
Të mendosh, që ky është vetëm fillimi, sepse më shumë se gjysma e qytetarëve, që janë larguar nga banesat e tyre , akoma nuk kanë raportuar për dëmet.
Ndërkohë, qeveria me gjithë përpjekjet e saj për t’iu gjendur sadopak pranë banorëve është totalisht e çoroditur dhe e ka të pamundur t’ia dalë, sepse ka qenë fare e papregatitur për këtë situatë dramatike.
Shto këtu edhe papërgjegjshmërinë e shumë zyrtarëve socialistë, të cilët të trashur nga pushteti, as që duan t’ia dinë për hallet e njerëzve. Kryesimbol i të cilëve ishte qëndrimi cinik i kryebashkiakes së Durrësit.
Tronditja dhe terrori nga shpërfaqja e kësaj katastrofe lexohet në të gjitha fytyrat e qytetarëve, por më së shumti lexohet në sytë e perënduar të kryeministrit që përshkon qetësisht gërmadhat me limuzinë.
Në këtë absurd, ai kërcënon median, por njëkohësisht i kërkon deleve të solidarizohen, por me kë do të thoni thoni ju?! -Me vetë atë, kryekasapin e tyre!
Situata është në prag revolte dhe për pak mund të dalë jashtë kontrollit.
Kryeministri e di që shpatullat e tij janë shumë të lodhura nga korrupsioni për t’ia dalë i vetëm kësaj katrahure, sepse ai vetë konsiderohet si ndër shkaktarët kryesorë të saj, ndaj është gati të largojë dhe të ftojë këdo, si dhe të bëjë gjithçka për të ruajtur pushtetin e tij.
Por, tashmë asgjë nuk bën më dobi. Përpjekja për të bërë show me njerëz të nderuar, që janë aty për të ndihmuar qytetarët e prekur nga kjo katastrofë, nuk e lehteson dot nga barra dhe përgjegjësia që ai ka për këtë katrahurë.
Ai e ka të qartë që sfidat dhe situata është kaq dramatike kësaj here, sa nuk do t’ia dalë dot. Ai e di mirë që sfidat që lidhen me strehimin dhe kompensimin e dēmeve, përveç se janë çështje shumë delikate, ato janë edhe thellësisht politike.
Gabimi më i vogël në administrimin e kësaj katastrofe hedh në erë çdo lloj qeverie, sepse nuk bëhet më fjalë për ujë , drita apo kanalizime, por bëhet fjalë për shtëpi dhe kur vjen fjala tek shtëpia askush nuk fal dhe as nuk toleron asgjë.
Ndërkohë, ai ka dështuar totalisht në menaxhimin politik të krizës. Arroganca me të cilën ka qeverisur deri tani po i kthehet mbrapsht njëqind fish. Ftesa e tij drejtuar Opozitës u hodh poshtë me neveri nga Lulzim Basha , i cili e konsideroi ftesën thjesht pafytyrësi dhe propagandë.
Në fakt ajo nuk ishte gjë tjetër, vetëm se një përpjekje për të bërë pis Opozitën, e cila ka mbajtur një qëndrim tejet korrekt në këtë situatë. Ajo ishte një përpjekje e fundit për të futur edhe Opozitën në anijen që ka marrë goditjen fatale dhe po shkon drejt fundit.
Ai e di fort mirë, që episode të tilla, kur administrohen keq, sjellin detyrimisht revolta, të cilat mund të ndezin një zjarr, që mund t’i vërë flakën atij dhe qeverisës së tij.
Tashmë kokulur dhe i dorëzuar po gjezdis si një hienë gërmadhave të papërgjegjshmërisë së tij me kamera dhe tesbih me vete, me shpresë se mund t’i hedhë trutë e gomarit sërish shqiptarët.
Një hienë, që kërkon të ushqehet me gjakun e viktimave dhe me lotët e banorëve të ngelur rrugës, me shpresën se kjo mund t’i zgjasë atij pushtetin.