Një lajm i keq dhe një i mirë nga drejtësia e kapur prej Edi Ramës, Basha: Pa u ndëshkuar vjedhja nuk ka ndryshim

Pyetje: Presidenti Meta ka folur për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në Reformën në Drejtësi. Ai ka publikuar një seri mesazhesh të ardhura nga një ambasador identitetit e të cilit nuk e përcaktoi, ku Presidenti linte të kuptohej mund të merrej vesh me Ramën për emrat konkretë të Gjykatës Kushtetuese. E keni parë këtë mesazh dhe cili është opinioni juaj?

Lulzim Basha: Nuk kam asnjë çudi, çuditem me ata që çuditen. Katër vite më përpara kemi bërë një betejë të jashtëzakonshme, unë personalisht dhe Partia Demokratike, që Shqipëria të kishte një reformë në drejtësi të standardit europian dhe ata që çuditen sot më drejtonin gishtin mua dhe thonin: ky është kundër reformës.

Lulzim Basha: Mesazhet që më kërkoni të komentoj nuk kanë pikë rëndësie. Nuk është asgjë në krahasim me skandalet e tjera që kanë ndodhur më përpara. Asgjë.

Pyetje: përse nuk ka pasur më përpara një reagim Partia Demokratike për këtë çështje?

Lulzim Basha: Sepse nuk përbën asnjë lajm për ne. Reforma në Drejtësi është kapur tërësisht nga Edi Rama, është projekt i tij të kapë reformën në drejtësi.

Pyetje: Me apo pa ndihmën e ndërkombëtarëve?

Lulzim Basha: Sigurisht që ndërkombëtarët kanë përgjegjësinë e tyre për sa kohë që kanë qenë bashkëhartues dhe bashkëshoqërues të reformës, por nuk mund t’i vë fajin pragut për derën. Një gjë është e qartë: ky e ka kapur reformën, ky është lajmi i keq për shqiptarët. Kjo është arsyeja që 4 vjet pas reformës në drejtësi, asnjë zyrtar i kapur në hajdutëri, në vjedhje, në korrupsion, asnjë kriminel nuk është vënë para drejtësisë. Asnjë krim i rëndë, as krimet elektorale nuk janë ndëshkuar. Ky është lajm i keq. Pse është lajm i keq?! Është lajm i keq sepse zhbën besimin e shqiptarëve te Reforma në Drejtësi dhe këtë po të shikoni e kanë konstatuar edhe vetë studimet e financuara nga BE dhe SHBA. Ky është një lajm i keq që pa diskutim zbeh besimin e njerëzve te reforma në drejtësi, zhbën dhe dëmton kredibilitetin e kujtdo që ka investuar tek Reforma në Drejtësi. Ka një një lajm të mirë…

Pyetje: Lajmi akoma më i keq është se banditë e kriminelë po lirohen nga burgu dhe ky është një kambanë alarmi për këtë vend…

Lulzim Basha: Pa diskutim. Edhe kjo nuk ndodh rastësisht, ndodh gjithmonë para zgjedhjeve. Ky është lajmi i keq. Edi Rama e ka kapur dhe e kontrollon drejtësinë dhe për fat të keq asnjë nga gabimet, dështimet, korrupsioni, kriminaliteti i Edi Ramës dhe i ministrave të tij nuk po shkojnë para drejtësisë. Ky është lajmi keq. Lajmi i mirë është se ditët e kësaj qeverie janë të numëruara dhe nesër opozita që është sot qeveri le të kontrollojë drejtësinë e re, për sa mund ta kontrollojë, sepse synimi im nuk është të vë nën zgjedhë drejtësinë e re, përkundrazi, le të kemi një drejtësi sa më agresive me qeverisjen e re. Kjo është ndarja dhe balancimi i pushteteve. Kjo është ajo që i bën vendet e përparuara, të përparuara.

Pyetje: Ju e dini që kur drejtësia është e kapur bëhet me kryeministrin e rradhës dhe kjo ndodh rëndom…

Lulzim Basha: Nuk është ashtu dhe ne kemi pasur prova që nuk ka ndodhur kështu sepse ne kemi qenë në qeverisje dhe kemi pasur jo vetëm Prokurorë të Përgjithshëm të emëruar nga Partia Socialiste, por edhe Prokurorë të Përgjithshëm të emër gjatë kohës që kemi qeverisur ne të cilët kanë qenë agresivë. Është çështje e vullnetit politik. Edi Rama i trembet drejtësisë së pavarur. I trembet se do të japë përgjegjësi për ato 2 milardë kontrata koncensionare, për vjedhjet pafund të pasurisë së shqiptarëve.

Pyetje: Kështu thuhet gjithmonë ku je në opozitë dhe më pas ai që ikën nga pushteti nuk jep llogari për asgjë!

Lulzim Basha: Kështu ka ndodhur deri tani, prandaj sfida kryesore e opozitës që drejtoj unë, nesër në qeverisje, është t’i jap fund pandëshkueshmërisë. Prandaj detyra kryesore nuk është të largojmë këtë regjim, këtë kryeministër, por t’i çojmë para drejtësisë. Pa u ndëshkuar korrupsioni, pa u ndëshkuar vjedhja, pa u ndëshkuar kriminaliteti që sollën Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund të ketë ndryshim në Shqipëri dhe ndryshimi do të jetë zero. Prandaj zotimi im i parë para shqiptarëve është që nuk do të ketë vetëm largim të këtyre, por do të ketë ndëshkim të tyre.

Exit mobile version