Një libër i ri nga Ismail Kadare? Botuesi Bujar Hudhri: La dorëshkrime, i takon familjes t’i publikojë

Homazhet për gjeniun e letrave shqiptare, Ismail Kadare, bënë bashkë njerëz nga fusha të ndryshme.

Politikanë, artistë, shkrimtarë, miq e bashkëpunëtorë kanë qenë në homazhet që u zhvilluan pranë Teatrit të Operas dhe Baletit. Emrat më të spikatur të letërsisë nuk munguan në homazhet e kolosit të letërsisë.

Bujar Hudhri zbuloi dje se Kadare ka lënë dorëshkrime, por që tashmë, i takon familjes që të vijojë, deri në publikim e tyre. Hudhri u shpreh se nisur nga bisedat që ka pasur me të, mund të ketë lënë diçka. E drejta e botimit do t’i kalojë bashkëshortes së shkrimtarit, Helena Kadaresë dhe dy vajzave.

“Nga vetë natyra e Kadaresë, ai nuk tregonte se çfarë ishte duke shkruar. Kur e kishte nisur dhe do të bashkëpunonte me botuesin, ti kuptoje që një vepër e re ka nisur, por derisa s’ta ka sjellë, ai nuk ta tregonte se thoshte ‘jam supersticioz’, nuk e tregonte. Mund të ketë, ndoshta gjenia e tij nuk mund të rrinte pa krijuar dhe shpeshherë e kam pyetur në ditë të ndryshme, në momente të ndryshme, i qetë, i paqetë, duke pirë kafe, duke ecur se vërtet, a i ishte duke shkruar, ‘po’, thoshte, ‘duke shkruar’, pastaj të nesërmen e përgënjeshtronte, por ajo që unë mendoj se ai ka lënë ishte diçka që e ka nisur te kafe ‘Rostand’, një libër, është një kapitull që quhet ‘Mozaikale’. Aty janë ca tekste si bizhu, si xhevahire, të shkurtra, të kondensuara, brilante dhe ndoshta bëhet sepse mosha e tij, talenti i tij i madh bënë që të japë të tilla mrekulli, por edhe zgjatin shumë se duan fuqi fizike. Jam i sigurt që këto ka lënë se shpesh thoshte ‘po, një ngjarje te ‘Juvenilja’, një takim, një fytyrë gruaje’, diçka e tillë, shpresojmë”, – u shpreh ai.

PËRPLASJA

Botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri, ka qenë ndër personat më pranë familjes, që foli publikisht për minutat e fundit të jetës së shkrimtarit të famshëm. Pak para se ceremonia të përfundonte, Hudhri dha një deklaratë të fortë, ku bëri fajtor shërbimin e Urgjencës. Në fjalën e tij përpara mediave, botuesi tha se ambulanca që mori Kadarenë ishte e thjeshtë, pa ndonjë impiant që mund t’i vijë në ndihmë të sëmurit.

“Ishte moment dramatik kur më lajmëruan. Kur e pashë të shtrirë në atë korridor, ku kishte qenë shumë herë dhe e shikojë gjithmonë në këmbë, i qeshur, solid dhe dukej sikur s’do ikte kurrë nga kjo botë. E morëm në ashensor, ishte në gjendje gati i ngrirë. Hipëm në ambulancë, shumë e thjeshtë, pa ndonjë impiant që mund t’i vijë në ndihmë të sëmurit, mezi kemi çarë rrugët e Tiranës, ku megjithëse ulërinte sirena, njerëzit nuk hapnin rrugën. Derisa mbërritëm në urgjencën e QSUT dhe pak sa hapej dera, mund të shihje mobilizimin e madh të mjekëve rreth krevatit të tij, çka tregonte se diçka jo e mirë po ndodhte derisa heshti gjithçka”, – tha Hudhri për mediat.

E nga ana tjetër, Hudhri shprehet se ambulanca mezi hapi rrugën për të shkuar në spital, duke thënë se kjo është alarmante, jo vetëm për Kadarenë, por për çdo qytetar që përballet me një situatë të tillë.

“Ju thatë një ambulancë pa ndihmë? Mu duk mua, se unë kam parë që ambulancat duhet të kenë impiante, mu duk sikur s’kishte. Ndoshta gaboj. Ai rreziku sot në Shqipëri, ty s’të hapin rrugën, është fatkeqësi. Isha me një shofer që thoshte kjo është e përditshme. Kjo është alarmante, nuk është vetëm për Kadarenë, por për secilin që ka një hall të tillë”, – tha Hudhri.

Pas kësaj deklarate, Brataj doli në një reagim për mediat duke thënë se ky pretendim nuk është i vërtetë dhe se ambulanca që ka marrë Kadarenë i kishte të gjitha kushtet. Brataj tha se nuk e di nëse një botues mund ta vlerësojë këtë gjë, ndërsa e ‘shigjetoi’ duke i thënë se mbase s’ka pasur syzet, pasi Kadare ka marrë të gjithë ndihmën mjekësore sipas protokollit nga momenti i mbërritjes së ambulancës deri në spital kur nuk u bë dot asgjë për ta rikthyer në jetë, për shkak të arrestit kardiak.

“Hudhri vetëm nëse s’ka pasur syze, se defilibratori ishte i montuar dhe ekipi mjekësor që bënte masazhin kardiak edhe gjatë transportit drejt spitalit. Hudhri ka ardhur më vonë, pasi e ka gjetur ekipin në vendngjarje. Është zbatuar protokolli për të shpëtuar jetën e zotit Kadare”,
– tha Brataj.

Exit mobile version