“Ne i vërejmë me shqetësim të madh zhvillimet aktuale”, deklaroi të hënën Presidenti i Shoqatës së Industrisë Automobilistike (VDA), Bernhard Mattes. “Doganat ndëshkuese nuk mund të jenë zgjidhja”. Një luftë tregtare duhet të pengohet, sepse ka të humbur në të gjitha palët. Prodhimi i ndërtuesve gjermanë të automjeteve në SHBA është zgjeruar prej vitesh, kurse eksportet për në SHBA janë në rënie. Vitin e kaluar për në SHBA u eksportuan 500.000 automjete, kurse prodhimi në SHBA ishte 800.000 automjete, tha Mattes. Presidenti i SHBA, pas vendosjes së doganave për çelikun dhe aluminin, kërcënoi se mund të vendosë dogana edhe për importin e automjeteve. Ai u ankua për një “mungesë të madhe ekuilibri tregtar”. Doganat ndëshkuese të SHBA ndaj automjeteve evropiane kanë frikësuar para së gjithash investuesit e BMW. Aksionet e ndërtuesit të automjeteve të Mynihut, ranë të hënën 1,17 përqind, duke shkuar në fund të bursës kryesore gjermane DAX me 82,99 euro. Aksionet e Daimlerit, pas një fillimi të dobët në fund të ditës avancuan duke arritur deri në një minus të lehtë, në një kohë kur aksionet e preferuara të Volkswagenit madje e shtuan vlerën.
Kërcënim për një degë të rëndësishme të ekonomisë gjermane
Shkaktar i dobësisë së kursit është kërcënimi i Presidentit të SHBA Donald Trump, se pas doganave ndëshkuese ndaj importeve të çelikut dhe të aluminit mund të pasojnë dogana ndëshkuese edhe ndaj industrisë së automobilave. Me këtë Trumpi frikësoi njërën ndër degët më të rëndësishme të industrisë gjermane. Përfaqësuesit e kësaj dege tërhoqën vëmendjen për rëndësinë e koncerneve gjermane të automjeteve për ekonominë e SHBA. Shqetësimet për doganat ndëshkuese ndaj automjeteve evropiane vërtet që nuk janë të reja. Por ato përfaqësojnë një rrezik për prodhuesit gjermanë, edhe nëse importet neto të SHBA vitet e kaluara kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme, tha një tregtar. Nëse doganat ndëshkuese nuk do të prekin automjetet dhe pjesët e makinave të prodhuara në Meksikë, BMW-ja do të ishte marka e prekur më fort nga doganat e SHBA. Sepse mynihasit eksportojnë një pjesë relativisht të madhe të automjeteve të tyre në SHBA, meqenëse në fabrikën në SHBA në Spartanburg ata prodhojnë vetëm modelet e automjetit fuoristrada “X”. Edhe analisti Arndt Ellinghorst i Evercore ISI mendon se BMW potencialisht do të ishte koncerni më i rrezikuar, i pasuar nga koncerni i Daimlerit. Me këtë ai bashkohet me analistët e tjerë. Volkswageni do të ishte prodhuesi i automjeteve i prekur më pak. Sepse në krahasim me ndërtuesit e tjerë të automjeteve, fitimi i wolfsburgasve varet më pak nga biznesi me SHBA.