Nga Erion DASHO
Gjatë pandemisë, mjekët dhe infermierët u quajtën në grup “heronj”, një term të cilin e kam kundërshtuar, jo për të nënvlerësuar sakrificat e kolegëve, por sepse ky term u keqpërdor nga politika dhe, në veçanti, nga kryeministri dhe ministrja e shëndetësisë.
Nën petkun e “heronjve”, kryeministri dhe ministrja mbuluan jo vetëm paaftësinë dhe katastrofën shëndetësore që u shkaktuan shqiptarëve, por edhe batakçillëqet e veta.
Sidoqoftë ekziston një kategori personash që fatkeqësisht nuk janë më mes nesh, ata dhjetëra mjekë dhe infermierë, jeta e të cilëve u ndërpre nga COVID-i. Ata janë realisht HERONJ dhe e meritojnë plotësisht këtë cilësim.
Mendoj se si komunitet bluzash të bardha, por edhe më gjerë, duhet t’i kërkojmë Presidentit të Republikës të dekorojë secilin prej kolegëve që humbën jetë gjatë këtij viti të mbrapshtë.
Është minimumi që mund të bëhet për kujtimin e tyre!