Një media e re do të financohet nga Soros

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, e krijuar nga filantropi George Soros, ka shpallur krijimin e një media të re, e cila do të mbështetet financiarisht për një periudhë të paktën 4-vjeçare.
Sipas njoftimit të bërë publik në faqen e OSFA-së, kjo media e re do të promovojë integritetin e fjalës së lirë. Ajo do të garantojë një ekuilibër të shëndetshëm midis lirisë së medias dhe përgjegjësive që burojnë prej saj: profesionalizëm, objektivitet, shërbim publik dhe transparencë.
“Duhen modele, platforma apo programe mediatike që prodhojnë gazetari cilësore, duke u bazuar në standardet profesionale të gazetarisë. Inkurajohet përdorimi i metodave hulumtuese dhe analizave cilësore të bazura në fakte e të dhëna”, thuhet në njoftim.
Por me krijimin e kësaj media, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë po ndryshon edhe axhendën e shpërndarjes së granteve. Më përpara çdo media e pavarur, gazetar apo organizatë joqeveritare kishte mundësi për të përfituar nëpërmjet programit të granteve, ndërsa tani duket se këto fonde do të përqendrohen në një organizatë të vetme ose në individë të caktuar.
Gjithashtu, kjo media do të ngrihet në bazë të disa kritereve të vendosura nga Fondacioni i Soros-it, duke ngritur kështu dyshime për pavarësinë editoriale. Por këto fonde që do të shpërndahen për një periudhë 4-vjeçare me shumë gjasa do të përfundojnë në të njëjtat organizata apo individë të lidhur direkt ose indirekt me qeverinë.
Rasti më i fundit ishte projekti “Lëviz Albania”,  një program i cili zbatohet nga një konsorciumi i tri organizatave: Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS), Partnerët Shqipëri dhe Co-Plan dhe synon të ketë një efekt katalizator për demokracinë vendore në Shqipëri. Ky projekt shpalli pak javë më parë, 37 fituesit për thirrjen e 3-të, ku në mesin e tyre ishin Lëvizja MJAFT dhe Qendra AXHENDA. Këto dy organizata janë krijuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga.
Ndërkohë fituese tek “Lëviz Albania” ishte edhe Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, e cila drejtohet nga Iris Luarasi, një ish-anëtare e Bordit të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur (Soros).
Pra, këto raste ngrenë dyshime të forta se Fondacioni Soros pritet të mbështesë financiarisht në rastin më të mirë organizata të lidhura me qeverinë dhe në rastin më të keq individë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij fondacioni.

Artikulli paraprakFinancimi i Soros nga USAID
Artikulli tjetërDeputetët, 640 milionë lekë për udhëtime