Erik Jones
Ditën e martë, më 18 tetor, Kryeministri italian, Matteo Renzi darkoi në Shtëpinë e Bardhë. Kjo ndoshta do të jetë darka e fundit shtetërore e Barack Obamës si President i Shteteve të Bashkuara. Ky nder ishte mënyra e administratës Obama për të shfaqur mirënjohje. Renzi e ka mbështetur administratën në Europë dhe në Mesdhe, ka rënë dakord të imponojë sanksione kundër Rusisë që në fakt i dalin kundër interesave materiale të Italisë dhe ka promovuar një qëndrim politik makroekonomik – në favor të stimulit fiskal – i cili përputhet më mirë me atë të thesarit amerikan se sa me politikën e Komisionit Europian, Këshillit të Bashkimit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane.
Por ftesa nuk ishte vetëm në shenjë mirënjohjeje, por edhe një shenjë mbështetjeje. Në më pak se dy muaj, më 4 dhjetor, Renzi do të përballet me referendumin më të rëndësishëm popullor për axhendën e tij të reformës kushtetuese, mbi të cilin ka varur edhe të ardhmen e karrierës së tij politike. Nëse fiton, Renzi do të ketë mundësi të ndjekë axhendën e reformave ekonomike brenda vendit dhe integrimin europian jashtë tij. Nëse humbet, me shumë gjasa do të duhet të japë dorëheqjen nga detyra dhe Italia do të hedhë një hap mbrapa teksa politikanët e saj të përfshihen në një luftë të fortë rreth reformimit të institucioneve politike të vendit. Teksa flisnin në konferencën e tyre për shtyp të përbashkët, Obama pranoi se, edhe pse uron një fitore për të në referendum, ai shpreson që lideri italian të vazhdojë të qëndrojë në pushtet sido që të shkojnë gjërat.
Aventura e Renzit
Renzi po përpiqet të transformojë sistemin politik italian, i cili për hir të së vërtetës ka vend për përmirësime. Kushtetuta e vendit kërkon që qeveria të ketë mazhorancën e të dy dhomave të Parlamentit për të miratuar një legjislacion. Duke qenë se të dy dhomat zgjidhen duke përdorur dy formula të ndryshme të përfaqësimit proporcional, Parlamenti italian ka qenë tradicionalisht përzierje e një sërë partish dhe qeveritë duhet të bëjnë lloj-lloj marifetesh me interesat e shumta të secilës prej tyre për të arritur konsensusin e nevojshëm për të miratuar ligjet.
Ndoshta jo çuditërisht, Italia ka pasur 49 qeveri gjatë viteve 1946-1992, një periudhë e ashtuquajtur “Republika e Parë”. Teksa qeveritë ngrihen dhe bien, personeli rrallë herë ndryshon – i njëjti grup liderësh politikë ka mbijetuar duke hyrë e dalë nga koalicione të ndryshme. Kur Republika e Parë u rrëzua pas shpërthimit të skandalit të korrupsionit, politikanët italianë u përpoqën të rimodelojnë institucionet politike. Rezultati ishte vetëm pjesërisht i suksesshëm dhe që atëherë, Republika e Dytë e Italisë është karakterizuar nga destabilizimi politik.
Sot, ruajtja e koalicioneve qeverisëse është një detyrë tepër e vështirë për politikanët italianë. Në fakt shumica e politikanëve janë të ndërgjegjshëm që nevojitet një reformë kushtetuese në rast se Italia kërkon të ndjekë çdo lloj reforme tjetër. Kjo është arsyeja përse Renzi ka propozuar reduktimin e rëndësisë së Dhomës së Lartë, Senatit, duke reduktuar numrin e senatorëve dhe duke e lënë zgjedhjen e tyre në dorë të rajoneve, në vend që të zgjidhen direkt. Me këtë rregullim të ri, qeverisë do t’i nevojitet vetëm mazhoranca e Dhomës së Ulët, dhomës së deputetëve, për të qëndruar në pushtet dhe për të miratuar ligje.
Kjo reformë e Senatit është pjesë e një pakete më të madhe masash të rekomanduara nga komiteti i të ashtuquajturve “burra të zgjuar” në vitin 2013 dhe të cilin Renzi e ka kthyer në epiqendrën e axhendës së tij që kur u ngjit në pushtet. Kjo paketë përfshin një sërë ndryshimesh të propozuara për Kushtetutën, si shkrirjen e qeverisjes në nivel lokal, e cila konsiderohet si shpenzim i kotë dhe një ligj të ri zgjedhor për dhomën e deputetëve, i cili jep një bonus mazhorance për partinë politike më të madhe. Të dy dhomat kanë votuar dy herë për të miratuar paketën. Tani duhet të miratohet në referendum.
Votimi i fundit parlamentar ishte në prill të këtij viti dhe mbështetja popullore është reduktuar që atëherë. Nëse arrin të fitojë në referendum, Renzit do t’i duhet të kapërcejë përçarjen e partisë së tij të qendrës së majtë (Partia Demokratike) dhe të përballet me opozitën shumëpartiake që shtrihet nga e majta populiste e deri tek e djathta antiemigracion. Gjatë dimrit të kaluar, sondazhet ishin aq pozitive drejt përgjigjes “Po” saqë Renzi kërcënoi se do të jepte dorëheqjen në rast se votimi nuk shkonte sipas planit të tij, një shprehje tipike e stilit të tij luftarak dhe vetëbesues të lidershipit. Por duke e kthyer referendumin në një sfidë personale, ky kërcënim nxori në pah dy sfida të mëdha. E para, ishte që Renzi e ktheu referendumin më shumë në një votë besimi për të se sa për ndryshimet kushtetuese. Tani që Lëvizja me Pesë Yje (M5S) e ka kapërcyer partinë e Renzit në sondazhe, kërcënimi duket tepër i nxituar.
Sfida e dytë dhe më e thellë e kërcënimit të Renzit për të dhënë dorëheqjen është që luajti automatikisht në favor të fushatës së votës “Jo”, e cila argumenton se qëllimi i axhendës së reformave të Renzit është të përqendrojë pushtetin në duart e disa individëve. Për ata që e kundërshtojnë reformën, pyetja nuk është nëse Italia duhet të gjejë një balancë të re në mënyrën se si funksionon qeveria, sepse shumica mendojnë se duhet ta bëjë. Pyetja është nëse reformat e Renzit i japin më shumë pushtet në dorë partive politike më të mëdha. Renzi, duke theksuar shumë rëndësinë e tij personale si lider politik, pa dashur i ka ngjallur akoma më shumë dyshime skeptikëve.
Kohë të vështira
Fatkeqësisht për Renzin, ai po përpiqet të fitojë mbështetje për ndryshime rrënjësore në një kohë kur Italia po përballet me një sërë sfidash madhore që po i shtyjnë zgjedhësit larg qeverisë drejt krahëve të M5S-së populiste. Arsyeja e parë emigracioni. Edhe pse, falë marrëveshjes së BE-së me Turqinë, barra e emigracionit është lehtësuar ndjeshëm për Europën në përgjithësi, për Italinë, pesha është rënduar. Sipas të dhënave të komisionerit të Lartë të Refugjatëve për Kombet e Bashkuara (UNHCR), mbi 144 mijë emigrantë kanë kaluar Mesdheun drejt Italisë ndërmjet periudhës janar-tetor 2016, vetëm 100 mijë më pak se e gjithë sasia e vitit 2015.
Duke qenë se shumica e emigrantëve udhëtojnë me varka nga Tunizia dhe Libia, marrëveshja me Turqinë mund të bëjë shumë pak për të reduktuar valën. Ndërkohë, fqinjët veriorë të Italisë nuk i kanë më kufijtë aq të hapur sa më parë dhe si pasojë, numri gjithnjë e më i madh i emigrantëve e kanë gjetur veten të mbyllur brenda Italisë. Qeveria e Renzit është përpjekur ta shpërndajë barrë e emigracionit në të gjithë komunitetet e vendit, por qendrat e pranimit janë duke u mbushur plot dhe politikanët lokalë po ankohen se nuk kanë mjete në dispozicion për të përballuar situatën.
Bankat italiane janë problemi i dytë. Italia ka një sistem bankar relativisht të vogël dhe konservator, i cili fokusohet kryesisht në tregun e brendshëm. Klientët kryesorë janë sipërmarrje të vogla dhe të mesme të Italisë. Ky qe një avantazh i madh gjatë krizës globale të vitit 2008, kur bankat europiane u përballën me humbje të mëdha nga letrat me vlerë që kishin blerë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa bankat italiane nuk qenë të ekspozuara. Por sot, tetë vite me rritje të ulët ekonomike kanë shkaktuar norma të paprecedentë falimentimi mes biznesve italiane dhe ka shumë pak kërkesave për investime. Në këtë klimë, fokusi në tregun e brendshëm të bankave italiane është kthyer në një pikë të dobët të madhe. Kur bizneset lokale dështojnë, bankat jo vetëm që humbasin klientët, por mbyten edhe me borxhe të këqija.
Ngatërresa e politikës me sistemin bankar është një tjetër burim problemesh. Siç mësoi edhe Renzi dhjetorin e kaluar teksa përpiqej të riorganizonte katër banka të vogla rajonale, dhënia e ndihmës për bankat shfaqet si favoritizëm politik dhe rrezikon të shkaktojë pakënaqësira. Kështu, qeveria e Renzit jo vetëm që duhet të gjejë një mënyrë për të çliruar sistemin bankar nga mali i borxheve të këqija, por duhet të fitojë edhe besimin e nevojshëm ndërmjet investitorëve që ata të rrezikojnë kapitalin e tyre.
Ndërkohë, partnerët europianë të Italisë kanë arritur vetëm t’i përkeqësojnë këto probleme. Para valës së madhe të vitit të kaluar të emigrantëve drejt Europës, BE-ja kishte nisur përpjekje efektive për të ngadalësuar emigracionin në Itali, kryesisht duke kufizuar operacionet e shpëtimit në det të hapur. Këto kufizime arritën vetëm të rrisnin numrin e tragjedive, por nuk frenuan valën e emigrantëve të rinj. Situata u përkeqësua në fund të vitit 2015. Fqinjët e Italisë jo vetëm që i forcuan kufijtë, por filluan edhe të konfliktoheshin me italianët, të cilët së bashku me grekët, akuzoheshin se nuk po punonin sa duhet për të kontrolluar kufijtë. Sipas një sondazhi të fundit privat, më shumë se gjysma e italianëve mendojnë se Europa është vetëm duke e përkeqësuar problemin e emigracionit për Italinë dhe i njëjti numër thotë se, politika e emigracionit e BE-së është në disavantazh të Italisë.
BE-ja nuk ka funksionuar mirë as për sistemin bankar. Shumica e liderëve europianë e mësuan leksionin nga kriza se bankat marrin përsipër më shumë rreziqe kur e dinë se do të shpëtohen nga taksapaguesit. Kështu, ata kanë miratuar legjislacionin, Direktiva e Ripërtëritjes dhe Zgjidhjes së BE-së, për t’u siguruar që investitorët të mos rrezikohen në rast krizash. Kjo është diçka e mirë kur rregullohet aktiviteti i bankave të mëdha që spekulojnë me asete të mëdha dhe komplekse në vende të huaja, por nuk është aspak e favorshme për bankat e vogla provinciale me një bazë shumë lokale investitorësh të vegjël, siç është rasti i bankave italiane.
Qeveria Renzi preferon kështu që fillimisht të ristrukturojë bankat duke pastruar bilancet e tyre dhe duke shkrirë institucionet më të dobëta dhe më pas të aplikojë regullimet europiane. Liderët e tjerë europianë në Gjermani dhe në vendet e tjera, kanë frikë se ky do të kthehej në një precedent të keq dhe kështu po këmbëngulin që Renzi të ristrukturojë bankat italiane brenda kornizës së kufizimeve. Nëse bankat italiane nuk kufizohen, argumentojë ata, atëherë do të vazhdojnë të marrin përsipër rreziqe.
Ndihma amerikane
Referendumi kushtetues vjen kështu në momentin më kritik për Italinë dhe fitimi i mbështetjes publike të liderëve të huaj si Obama mund ta ndihmojë Renzin që të ecë përpara me reformat e tij. Megjithatë, mbështetja e liderit italian është një detyrë e ndërlikuar për Presidentin amerikan. Italianët, veçanërisht në të majtë, kanë një kujtesë të dhembshme nga ndërhyrja amerikane në politikën e Italisë. Për pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë, administratat e ndryshme të Shteteve të Bashkuara kanë lobuar për të mbajtur Partinë Komuniste italiane larg pushtetit, por kanë bërë edhe ndërhyrje të tjera më vonë.
Në vitin 2006, Presidenti George W. Bush ftoi Kryeministrin italian të qendrës së djathtë, Silvio Berlusconi për të folur në kongres përpara zgjedhjeve italiane, duke shkaktuar protesta të mëdha nga qendra e majtë italiane. Ndërsa muajin e kaluar, John Phillips, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Itali shkaktoi reagime të forta kur sugjeroi se komuniteti global i investitorëve do të reagonte negativisht ndaj rezultatit “Jo” të referendumit. Politikanët e majtë nuk humbën kohë të kritikonin atë që u perceptua si ndërhyrje e të huajve në politikën e brendshme italiane. Presidenti Sergio Mattarella, u ndje i detyruar t’i flasë zgjedhësve dhe t’u thotë se populli italian është sovran.
Renzi kështu përballet me një sfidë të dyfishtë në promovimin e vetes dhe axhendës së tij. Nga njëra anë duhet të bindë italianët se këto propozime të reformës kushtetuese do t’i ruajnë përsëri traditat italiane të konsensusit dhe nuk do të lejojnë që një grup i vogël elite të marrë në dorë kontrollin e vendit. Nga ana tjetër, ai duhet të shfaqë personalisht se është një lider tek i cili mund të kesh besim, se mund të pranojë gabimet, mund të mbrojë interesat e italianëve dhe të përgjigjet përballë sfidave të shumta që i kanosen vendit.
Duke u ulur për një darkë zyrtare me një President amerikan tepër popullor, është përçuar një simbolikë e rëndësishme mbështetjeje, një mesazh që thekson cilësitë e Renzit si lider. Nëse dy liderët mund të shmangin përshtypjen se Shtetet e Bashkuara favorizojnë zyrtarisht përgjigjen “Po” në referendum, atëherë darka mund të ofrojë shtysën e nevojshme për legjitimitetin e brendshëm të Renzit. Qëllimi kryesor i Kryeministrit italian do të jetë bindja e elektoratit se axhenda e tij nuk është kërcënim për demokracinë italiane, siç pretendojnë kundërshtarët e tij politikë.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI