Një milion franga

Albian Ajeti do të vazhdojë të qëndrojë në Zvicër. Sulmuesi i talentuar me origjinë shqiptare ka firmosur zyrtarisht për St Gallen deri në vitin 2021. Në verën e vitit të kaluar vëllai i Arlind Ajetit u transferua te St Galleni në formë huazimi nga gjermanët e Augsburgut, skuadër me të cilën kishte kontratë deri në vitin 2020. Por paraqitjet e shkëlqyera të talentit 20-vjeçar gjatë këtij sezoni bindën drejtuesit e klubit bardhejeshil të blinin përfundimisht kartonin e Ajetit nga Augsburgu.
Në këtë sezon futbollisti që më herët ka luajtur për përfaqësuesen e 21-vjeçarëve të Zvicrës, ka spikatur jo pak me St Gallen-in teksa në 19 ndeshje që ka zhvilluar në total në Superligën zvicerane ka arritur të realizojë dhe 9 gola. Pak javë më parë, Albian Ajeti u shpall lojtari më i mirë i muajit shkurt në kampionatin helvet nga gazeta prestigjioze “Blick”. Dëshira e 20-vjeçarit ishte të vazhdonte karrierën te St Gallen dhe pasi hodhi firmën mbi kontratën e re që do ta lidhë me këtë skuadër deri në vitin 2021, sulmuesi shqiptar u shfaq shumë i lumtur që do të vazhdojë të qëndrojë në kampionatin zviceran.
20-vjeçari kishte kaluar nga Bazeli te Augsburg vetëm një vit më parë, por duke mos gjetur shumë hapësira te klubi gjerman, zgjodhi të kthehej në Zvicër, për të luajtur me rregullsi, pasi iu ofrua një mundësi e tillë nga St. Galen. Ai fillimisht ishte me formulë huazimi në këtë klub, por tani klubi zviceran ka gjetur akordin me Augsburgun për ta transferuar përfundimisht.
Pasi është paguar 1 milion franga zvicerane në arkat e klubit të Bundesligës, Ajeti ka nënshkruar edhe kontratën që do ta mbajë të lidhur me St. Galen deri në vitin 2021. Ndërkaq, ai nuk do të jetë pjesëtari i vetëm i familjes që do të luajë në këtë klub, pasi që nga vera, St. Galenit do t’i bashkohet binjaku i tij, mbrojtësi Adonis Ajeti.
Ajeti nuk ka zgjedhur ende se me cilën kombëtare do të luajë, ndonëse mediat zvicerane spekulojnë prej kohësh se ai po monitorohet nga trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviç. Futbollisti, i cili ka shënuar 9 gola në 19 ndeshje në këtë sezon, nuk ka bërë ende zgjedhjen e tij përfundimtare edhe pse ka luajtur me përfaqësueset e moshave të Zvicrës. Ai mund të luajë edhe me Shqipërinë apo Kosovën, ndërsa është pajisur me pasaportën shqiptare që në vitin 2015.

Exit mobile version