Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë! Ja kush është kryeprokurori i Vlorës që u arrestua nga SPAK

Sot, Kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, është arrestuar me urdhër të SPAK (Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar). Zarka është nën akuzë për veprën penale “Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Aurel Zarka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) vetëm një muaj më parë, më 28 qershor 2024. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar një ditë përpara, Zarka kishte dhënë shpjegime të përmbledhura në lidhje me dy gjetje të lidhura me kriterin e pasurisë. Në lidhje me pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, Zarka kishte marrë vlerësime pozitive, dhe nuk ishin evidentuar probleme për katër denoncime të dorëzuara në KPK nga publiku.

Procesi i vetingut për Aurel Zarkën u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon, ndërsa si vëzhguese ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Zarka ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në vitin 2012, ai u emërua prokuror dhe ka ushtruar funksionin e tij në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, ku së fundmi ka mbajtur funksionin e drejtuesit.

Arrestimi i Zarkës vjen pas një hetimi të SPAK, i cili ka ngritur akuzat për ndikimin e paligjshëm që ai ka ushtruar ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Ky zhvillim ka sjellë një moment të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, duke vënë në pah angazhimin për të luftuar korrupsionin dhe shkeljet e ligjit në nivele të larta.

Exit mobile version