Nga Kastriot Çipi, regjizor
Drejtori i Teatrit Kombëtar (TK), z. Hervin Çuli, ka dhënë dje një intervistë për Report TV, gjatë së cilës, dashur pa dashur, ka bërë disa pohime të vlefshme.
Çuli, më në fund, ka pohuar atë, që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT), ka mbi tre muaj që e denoncon publikisht: mbishkrimin në fasadën e TK e ka hequr Bashkia Tiranë! Në deklarimin e tij, z. Çuli zihet ngushtë kur përpiqet ta justifikojë veprimin e Bashkisë Tiranë, duke thënë se ndoshta kishte zhvendosje të shkronjave dhe rrezik rënieje. Më tej shton, por e ndryshon aty për aty deklaratën, duke thënë se shkronjat janë hequr për t’i riparuar, ose ndoshta jo…
Por Çuli nuk thotë me çfarë tagri ligjor e ndërmori Bashkia Tiranë këtë hap? Ai është drejtori i TK. Ndërtesa është pronë e Ministrisë së Kulturës. Pse as drejtori i TK dhe as zonja ministre e Kulturës, së paku, nuk u vunë në dijeni të problemit?
Më 26 prillin e shkuar, AMT depozitoi në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim kolektiv për këtë rast. Deri dy muaj pas kallëzimit, Prokuroria ende nuk kishte caktuar një prokuror për të ndjekur këtë kallëzim. Por ndoshta pas pohimit publik, me zë dhe figurë, nga drejtori i TK, Prokuroria do të vendosë ta marrë në pyetje atë dhe do të hapë një hetim ndaj Bashkisë Tiranë.
Pohimi tjetër i vërtetë i Çulit është se trualli mbi të cilin ngrihen sot TK dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental (TKE) është 5500 m2. Mirëpo, siç e ka ves, Çuli nuk thotë dot dy të vërteta rresht. Në fjalinë pasuese ai thotë se kjo sipërfaqe garantohet shprehimisht në “Ligjin Special” se nuk do të preket. E sfidoj publikisht z. Çuli të thotë nenin ose paragrafin e “Ligjit Special”, VKM-së së dalë në zbatim të tij, apo dokumentit të shpalljes së garës nga ana e Bashkisë Tiranë, ku citohet shifra 5500 m2 ose garantohet paprekshmëria e tij.
Gënjeshtra e rradhës, në të njëjtin fragment, është se gjurma e ndërtimit (sipërfaqja e katit të parë) të TK dhe TKE, sipas Çulit, sot është 1200 m2. Edhe lopa e di se sheshi publik midis dy teatrove nuk është 4300 m2 (5500 – 1200 = 4300), pra 3,5 herë më i madh se ndërtimi. Siç shihet në grafikën e paraqitur më poshtë, gjurma e ndërtimit të TK dhe TKE është plot 3923 m2. Edhe vetëm TKE ka më shumë sipërfaqe: 1370 m2. Nëse nuk e beson, Çuli mund të shohë kontratën e qerasë së bingos “Ylli”, lidhur nga ish-ministri i Kulturës Rama, ku përfshiheshin dy hollet e TKE (pa sallën kryesore të shfaqjeve) ku sipërfaqja e cituar në faqen e parë është 500 m2 (e njëjta sipërfaqe shënohej 625 m2 në të gjitha kontratat e mëparshme).
Ose mund të shohë kontratën e qerasë së klubit të natës “Bretkosa”, që zinte vetëm hollin e parë të TK, lidhur sërish mes ish-ministrit Rama dhe përkrahësit të shembjes së TK, Leka Bungo, sipërfaqja e të cilit është 230 m2. Nëse tre nga katër hollet e TK dhe TKE kanë sipërfaqe 730 m2, si ka mundësi që holli i katërt, plus dy salla shfaqjesh, plus dy skena, plus studio provash dhe repartet e prodhimit e shërbimit janë 470 m2 (1200 – 730 = 470)?!
Në fund të përgjigjes, Çuli na mallëngjen duke u zotuar se, nëse TK dhe TKE i preket qoftë edhe një cm2, ai do të protestojë kundër Ramës dhe Veliajt. Por për këtë nuk venë bast as ata më të dëshpëruarit nga mbyllja e pikave të basteve sportive në Shqipëri…
Këtë përgjigje Çuli e nis me gënjeshtër. Thotë se u arrit marrëveshje mes SASE (Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit), të përfaqësuar nga Altin Basha, Arben Derhemi dhe Alfred Trebicka, me Veliajn. E vërteta është se këta të tre nuk kanë qenë asnjë sekondë anëtarë të SASE-s. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, si anëtar i Kryesisë së SASE-s qysh nga themelimi.
E vazhdon me gënjeshtër, duke thënë se pas kësaj marrëveshjeje u bë ligji special pa emrin e kompanisë Fusha shpk. E vërteta është se projekt-ligji ishte gati dhe ndërkohë që tre artistët pozonin duke qeshur me Veliajn, Këshilli i Ministrave e kishte dërguar në Kuvend, ku u miratua pas një jave, ndërsa emri i kompanisë Fusha shpk u hoq pas rikthimit në Kuvend nga Presidenti dhe pas amendimit të ligjit në shtator, pra tre muaj më pas.
Në këtë pjesë të intervistës, Çuli bën një tjetër pohim të rendësishëm, që nuk e ka bërë qysh prej një jave, as Rama, as Veliaj: që ndërtesat historike të TK dhe TKE sot mbrohen nga qytetarët!
“Përfundimisht Teatri nuk drejtohet më as nga unë, as nga Ministria e Kulturës, por nga ky grupim. … institucioni nuk është më në kontroll të administratës dhe të punonjësve të Teatrit Kombëtar…” thotë ai.
Këtë nuk do ta quaja gënjeshtër, por thjesht lajthitje të një njeriu të pamësuar me administratën. Ndërtesa nuk është institucioni. Ai vazhdon të jetë drejtor i institucionit të TK, që aktualisht përdor ndërtesën e quajtur “Arturbina”.
Por vazhdimi i përgjigjes është grotesk:
“…nesër-pasnesër mund të ketë objekte të dëmtuara, të vjedhura dhe përgjegjësia është mbi punonjësit. Janë vlera monetare dhe historike të jashtëzakonshme”
Pra Çuli na konsideroka “vlera historike të jashtëzakonshme” që duhen ruajtur rekuizitat dhe kostumet, por jo ndërtesën e TK!
Çuli jep argumentet pse nuk mund të ndërtohet një teatër i ri diku tjetër
“30 vjet nuk kam parë aktiv asnjë nga intelektualët që të shkruajnë fjalë për teatrin. Nëse këta do ishin aktiv, do kishin dhënë mendime të pjekura do kishin të drejtë morale, por sot po futen futen thjesht për të kundërshtuar Ramën.”
E marr me mend se pas kësaj replike nga ana ime, Çuli do ta tërheqë këtë gënjeshtër, sepse ai e di mirë se unë, psh (por jo vetëm unë), kam plot 20 vjet që shkruaj e flas në media për çështjen e Teatrit Kombëtar. Dhe e kam nisur me një shkrim kundër Ramës, më 5 nëntor 1999, pasi dhashë dorëheqjen si nëndrejtor i TK, pikërisht sepse nuk pajtohesha me politikën e Ramës ndaj TK.
Në fund të intervistës, Çulit i vjen radha të thotë sërish të vërtetën. “Nuk ka vullnet politik për të ndërtuar një teatër të ri, përpos këtij të vjetrit”, thotë ai, duke zbuluar kështu se është Rama që nuk e do zgjidhjen që do t’i bënte të lumtur të gjithë: ndërtimin e një teatri të ri, krahas restaurimit të teatrit të vjetër.