Një përgjigje Pjerin Ndreut për refugjatët afrikanë në Lezhë

Nga Indrit Vokshi

Kryetari i Bashkisë Lezhë z. Pjerin Ndreu, po na thotë mos kini merak se vijnë deri 36 mijë afrikanë në Lezhë, sepse Lezha se ka problem, Lezha priti afganët, Lezha ka kapacitete, Lezha kështu e ashtu.

Çdo shtet e ka problem. Po të mos ishte problem, Italia do ta kishte ndërtuar kampin në brigjet e saj.

Italia ka mijëra kilometra bregdet, si nga ana e Adriatikut si nga ana e Mesdheut Perendimor. Por nuk e ka ndërtuar në territorin e saj. Ia ka transferuar Shqipërisë problemin e saj dhe deklaron se është mirënjohëse pse Shqipëria po ia merr ketë problem.

Pra është shumë problem për vetë Italinë e cila ka më shumë kapacitete se Shqipëria e se Lezha. Si mund të thuhet se nuk është problem?

Pse është problem? Demografia është një ndër shtyllat e Sigurisë Kombëtare.

Ndryshimet demografike, ardhja e njerëzve të rinj, sidomos njerëzve me tjetër gjuhë, me tjetër rracë, me tjetër etni, me tjetër fe, mundet të shkaktojë tension shoqëror, frustrim kulturor, rritje të numrit të krimeve, rritje të ksenofobisë e cila bëhet “lëndë e parë” për lëvizje fashiste dhe shumë probleme të tjera.

Këto u kanë ndodhur vendeve si Franca e Gjermania të cilat kanë institucione shumë më të forta se Shqipëria e kapacitete më shumë se Lezha. Në Francë opozitë kryesore u bë Le Peen dhe në Gjermani Alternative Fur Deutschland mori 93 mandate në parlament.

Si mundet të shpërfillet ky problem kështu me kaq mendjelehtësi, duke thënë “sduhet të jemi rracistë”? Ska aspak lidhje me rracizmin, ka lidhje me atë çka përmenda, ndikimin e demografisë dhe pasojat e saj brenda shteteve.

Kjo nuk zgjidhet duke sharë opozitën lezhjane. Opozita lezhjane mund të mos marrë asnjëherë pushtet në Lezhë dhe, me çfarë shihet, vërtet ska për të marrë pushtet. Por dobësia e opozitës nuk i bën më të drejta, më të vërteta apo më të pjekura argumentet e z.Ndreu.

Artikulli paraprakVizita e historianit austriak, në 87-ën: Në Tiranë, një popull shumë i varfër, makinat pothuaj s’ekzistojnë, kuajtë dhe qetë, mjete transporti, njerzit të veshur me zhele, kurse femrat shqiptare…
Artikulli tjetërBien me 11 për qind të ardhurat për vitin 2022, kush fiton dhe humb në tregun mediatik