Armin TIRANA
Në zgjedhjen demokratike të elektoratit, që tashmë nuk mund të kanalizohet me paraqitjen përçmuese në optikën e “barkut të varfër” ose të paktën nuk mund të kufizohemi me këtë, elementet në favor të fitimtarit dhe në disfavor të humbëses kanë qenë të shumtë, duke filluar nga vëmendja e të parit ndaj tematikave lidhur me menaxhimin e brendshëm të vendit sipas motos “America First”, për të përfunduar me argumentet e politikës së jashtme, nuk mund të mos e këtë bazën në rezultatet e dobëta të Hillary Clinton, të kaluarën e saj si Sekretare Shteti, katastrofat në Libi e në Lindje të Mesme të shkaktuara nga drejtimi i saj, lidhjet e saj me pushtetet e forta të establishmentit të Presidentit në ikje, dritëhijet e skandalit “mailgate”, i shfaqur fort në ditët e fundit të fushatës elektorale.
Amerikanët kanë preferuar të zgjedhin një President që është paraqitur si i “paparaqitshëm” – dhe ndoshta në shumë aspekte edhe mund të jetë – por që do të adoptojë paradoksalisht një politikë të jashtme probabilisht më të matur se ajo e Clinton. Ndoshta Trump do të ngrejë një mur antiemigracion në kufi me Meksikën dhe ky ka qenë një argument që e ka favorizuar ndjeshëm në shtetet e prekura nga fenomeni, por ama do t’i shmangë rezultatet e këqija që ka prodhuar politika e jashtme e administratës aktuale në termat e pranverës arabe, të kaosit libian, të ekspansionit të Kalifatit dhe të paqartësisë së përgjithshme ndërkombëtare, siç ka qenë gjatë këtyre 8 viteve të fundit. Kurse realisht Trump, përveçse i ka përqendruar energjitë propagandistike të tij në çështjet e brendshme, duke ofruar perspektivën e një Amerike që do të kthehet të jetë sërish e madhe, na ka dhënë një qasje të re për sa u përket raporteve me Rusinë e Putinit, i cili në Lindje të Mesme po luan një rol prej protagonisti.
Në këtë, mediat ndërkombëtare, që aq shumë e kanë goditur Presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, kanë gabuar sërish, duke e diskredituar Trump me një argument të paraqitur në mënyrë foshnjarake: duke e treguar si kukullën e Putinit, si një gur në dorën e Presidentit rus, kanë bërë një gabim të dyfishtë. E para, sepse bëhet fjalë për një vizion të deformuar, që elektorati dukshëm e ka perceptuar si të tillë, një vizion fals. E dyta, sepse admirimi i Trump për Putinin nuk ka bërë gjë tjetër përveçse e ka fuqizuar pozicionin e kandidatit republikan. Në mënyrë të qartë, në skenarin ndërkombëtar aktual, amerikanët kanë preferuar garancinë e raporteve fluide me një homolog si ai rus në vend të fërkimeve të mëtejshme, të barsura me paqëndrueshmëri politike ndërkombëtare, nga zgjedhja eventuale e Hillary Clinton. Që në këtë pikë është tashmë një njeri i testuar.
Edhe një herë akoma, sondazhet kanë treguar të çara sistematike që burojnë edhe nga një teatër mediatik banal dhe i paaftë që të lexojë fenomenet politike ekzistuese dhe ato që mund ta shfaqen në të ardhmen.