Një punonjës policie i përfshirë në atentatin me snajper në burg

Një punonjës i Policisë së Burgjeve është nën hetim, pasi dyshohet se është përfshirë në atentatin me snajper, ku mbeti i plagosur një i dënuar në Burgun e Vaqarrit. Sipas burimeve nga organi i akuzës, polici dyshohet se ka informuar Ergys Kolaverin dhe Enea Cekën për vendndodhjen e Gazmir Dacit, në Burgun e Vaqarrit si dhe për të gjitha lëvizjet e këtij të fundit deri tek dalja në ambientet e ajrosjes.

Bëhet e ditur se, punonjësi i Policisë së Burgut të Vaqarrit dyshohet se ka njohje të mëparshme shoqërore me familjen Kolaveri dhe nga ky fakt kanë lindur dyshimet për bashkëpunim në atentat. Megjithatë bëhet me dije se po hetohet intensivisht, për të siguruar prova të mjaftueshme që mund të vërtetojnë implikimin e punonjësit të burgjeve në ngjarjen 30 korrikut.

Ergys Kolaveri dhe Enea Ceka, tentuan të vrisnin me snajper brenda burgut nga një distancë prej 150 metrash, 27-vjeçarin Elson (Gazmir) Daci, i cili ishte arrestuar nga policia si autor i dyshuar i vrasjes me 4 nëntor të vitit 2015 të Valmir Kolaverit dhe plagosjen e Robert Kolaverit.

Të shtunën, dy kushërinjtë gabuan shënjestër dhe plagosën në këmbë kosovarin Lili Dulaj. Konflikti mes palëve dyshohet të ketë lindur pas prishjes së pazareve për trafikun e emigrantëve nga Franca në drejtim të Anglisë. Ky dyshohet se vëllezërit Kolaveri ta kenë dhunuar fizikisht në Francë dhe 27-vjeçari është hakmarrë, duke vrarë njërin prej tyre.

Ndërkohë, Lili Dulaj, 40-vjeçari që mbeti i plagosur në këmbë pasditen e 30 korrikut, teksa ndodhej në ambientet e ajrimit në Burgun e Vaqarrit ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën përkujdesje mjekësore, në ambientet e Spitalit të Burgut. Dy atentatorët, Ergys Kolaveri dhe Enea Ceka kanë ngatërruar shenjestër, duke plagosur 40-vjeçarin nga Prizreni, teksa tentuan të vrisnin Gazmir Dacin për gjakmarrje.

Lili Dulaj jetonte prej disa vitesh në Tiranë, ndërsa në muajn prill është arrestuar pas denoncimit për dhunë në familje. 40-vjeçari ishte lënë në burg më 17 maj të këtij viti, nga Gjykata e Tiranës, nën akuzën për dhunë në familje.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka urdhëruar fillimin e procedimit disiplinor për të gjithë personat që kishin për detyrë të parandalonin ngjarjen e pasuar me zjarr-rënie në Burgun e Shën Kollit. Ministri Manjani thekson, se është përgjegjësi e administratës së burgjeve ruajtja e jetës dhe shëndetit të çdo të paraburgosuri apo të dënuari, prandaj kërkon dhe përgjegjësi maksimale për këtë ngjarje.

Në njoftimin e Zyrës së Shtypit të kësaj ministrie nuk jepet shumë informacion se kush janë konkretisht personat përgjegjës, ndaj të cilëve ka nisur procedimi disiplinor. Nga shpërthimi i flakëve në Burgun e Shën Kollit humbi jetën i dënuari Flamur Sula dhe 5 të tjerë u plagosën.

“Tashmë që Prokuroria ka një version të qartë mbi ngjarjen e ndodhur në Burgun e Shën Kollit, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka urdhëruar fillimin e procedimit disiplinor për të gjithë personat që kishin për detyrë të parandalonin këtë ngjarje. Ministri Manjani thekson, se është përgjegjësi e administratës së burgjeve ruajtja e jetës dhe shëndetit të çdo të paraburgosuri apo të dënuari, prandaj kërkon dhe përgjegjësi maksimale për këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e shpërndarë dje.

Gjithashtu, ministri Manjani ka urdhëruar drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të rishikojë edhe rregulloret që sanksionojnë elemente të sigurisë në burgje dhe njëkohësisht ka urdhëruar Drejtorinë e Policisë së Burgjeve të forcojë masat dhe kontrollet për sigurinë në institucionet penitenciare.

Artikulli paraprakAntimafia italiane zbulon rrugët e drogës së Tahirit
Artikulli tjetërThellohet kriza, rënie drastike e të ardhurave tek ndërmarrjet