Nga Red VARAKU
Qëndrimi politik ndaj zgjedhjeve të 25 prillit është sot qëndrimi më i rëndësishëm politik për opozitën dhe i vetmi qëndrim ku aktorët e rëndësishëm politikë duhet të jenë të qartë dhe të bashkuar pa asnjë ekuivok.
Çdo qëndrim tjetër është naivitet politik, për të mos thënë ndonjë gjë tjetër.
Kjo për shkak se ky qëndrim nuk është më një opinion mbi të cilin duhet diskutuar apo debatuar, por është një qëndrim politik që është vulosur nga shumica e anëtarëve të PD, të cilët votuan me 81% platformën politike të z. Basha, e cila ishte ndërtuar pikërisht mbi qëndrimin që këto zgjedhje ishin një masakër zgjedhore.
Mund të të duket i gabuar, i papjekur, i padrejtë, i manipuluar por sot kjo nuk është më për diskutim, sepse është vendim i forumeve politike të PD dhe bazuar mbi këtë vendim duhet të ndertohet dhe argumenti politik apo strategjia për betejën politike.
Çdo devijim ndaj këtij qëndrimi është joproduktiv, sepse e fut debatin në një kurth alogjik.
Nuk mund të thuash fjala vjen ‘Zgjedhjet na u vodhën, por dhe i humbëm’. Kjo nuk është serioze në politikë. Këtë mund ta thuash në kafe për muhabet me miqtë, por asesi si një qëndrim politik, sepse në politikë nuk rrinë dot të dyja.
Qëndrimin e demokratëve ose e pranon, ose e refuzon. Luksin për ta debatuar këtë e kishim para zgjedhjeve të 13 qershorit në PD.
Zgjedhjet ose u vodhën, ose u humbën dhe këtu nuk duhet të ketë dilema. Sepse, nëse pranon se zgjedhjet u humbën, atëherë duhet edhe t’i njohësh ato dhe nëse i njeh e bazon aksionin tënd politik mbi një të pavertetë të madhe dhe njëkohësisht bashkohesh dhe me qëndrimin e Ramës.
Mosnjohja e këtyre zgjedhjeve është jetike për PD jo vetëm sepse kjo është e vërteta e të gjithë demokratëve, por edhe për arsye sepse ky është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet kombit.
Pikërisht, për këtë arsye qëndrimi ndaj këtyre zgjedhjeve është me rëndësi parësore për opozitën, sepse mbi këtë qëndrim ndërtohet dhe platforma dhe oferta e ardhshme politike.
Çdo qëndrim tjetër ndaj 25 prillit, më së paku nuk reflekton atë që vendosën demokratët në 13 qershor.
Sigurisht, janë të mirëprituara kritikat dhe qëndrime të caktuara në lidhje me çështje problematike të drejtimit të PD, që duhet thënë që në PD ka mjaftueshëm duke filluar nga mungesa e meritokracisë e duke perfunduar tek nevoja për rifreskim të strukturave apo dhe ristrukturim radikal aty ku duhet, por është naivitet politik që këto kritika të shkojnë kundër qëndrimit politik të opozitës në lidhje me këto zgjedhje.
Ndaj është me shumë rëndësi që të peshohet me kujdes çdo qëndrim dhe të refuzohet me seriozitet çdo aludim, në mënyrë që këto zgjedhje të mos prodhojnë një kakofoni qëndrimesh, e cila do të shkonte në favor të kësaj mazhorance.
Për këtë arsye pëfundimet e këtij kuvendi duhet të kthehen në një gjest mobilizimi të madh nga ku PD, jo vetëm të mos përçahet, por të dalë edhe më e fortë dhe më e bashkuar se ç’ishte.