Nga Namir Lapardhaja
Qeveria nuk mund të lajë duart me dhunën dhe degradimin e shkollës duke thënë se do mbyllim “TikTok-un” dhe “SnapChat-in” dhe me këto masa do reduktohen dhe parandalohen ngjarje si ajo e pak ditëve më parë në shkollën “Fan Noli”.
Një qeveri e përgjegjshme, që kërkon vërtet një zgjidhje për problemet e shkollës dhe të adoleshentëve, si një moshë shumë e vështirë dhe shumë delikate, nuk mund të jetë kaq e papërgjegjshme, duke mos mbajtur asnjë lloj përgjegjësie dhe duke mos reflektuar kurrfarë vrasje ndërgjegjeje.
Edi Rama është hipokrit kur thotë se do të mbyllim një pjesë të rrjeteve sociale, ndërkohë që personazhet e njohur nëpërmjet kësaj bote, që transmetojnë vetëm dhunë dhe konflikt në këngët dhe ‘artin’ e tyre, i ka në krye të fushatës dhe koncerteve elektorale të Partisë Socialiste.
Së dyti, një qeveri e përgjegjshme, që ka qëllim të përmirësojë situatën dhe të zgjidhë problematikën brenda mundësive dhe aftësive të saj, nuk mund të flasë vetëm për arritje imagjinare dhe të paqena, por do duhet të ngrejë disa pyetje: Ku kemi gabuar? Çfarë nuk kemi bërë si duhet? Çfarë duhet të përmirësojmë në sistemin e shkollimit dhe të edukimit? Cili është roli i mësuesit dhe i edukatorit sot në shkollë?
Së treti, një qeveri që përpiqet për të mirën e njerëzve dhe të komunitetit, nuk mund të jetë hipokrite dhe të mos e shoh realitetin e politizuar ekstremisht të të gjithë hallkave të institucioneve shkollore, duke filluar nga drejtori i shkollës, psikologu, oficeri i sigurisë etj., të cilët, në masë të madhe, më shumë se sa për t’i dhënë zgjidhje konflikteve mes adoleshentëve, përpiqen t’i mbajnë ato të mbyllura që të mos dalin jashtë mureve të shkollës, në mënyrë të mos bëhen problem për mediat etj.
Së katërti, një politikë që kërkon zgjidhje pa pyetur dhe pa i marrë mendim apo opinion mësuesve, është e destinuar të dështojë, sepse askush tjetër më mirë se mësuesit, të cilët kanë punë të drejtpërdrejtë dhe të përditshme me këto mosha, nuk i di problemet e adoleshentëve.
Së pesti, ka një mori aktesh ligjore dhe nënligjore, rregullash dhe obligimesh që i tregojnë nxënësve të drejtat e tyre, por shumë pak që i obligojnë në detyrimet e tyre; ka shumë rregulla që i tregojnë mësuesve penalitetet e tyre nëse sillen ‘keq’ ndaj nxënësve, por asnjë rregull që mbron mësuesin përballë dhunës dhe trysnisë në punën e tyre. Kjo duhet të marrë fund. Ligji duhet të mbrojë mësuesin, sepse ai nuk mund ta kryejë siç duhet detyrën e tij nëse nuk e ka një mbrojtje të tillë. Kam parë mësues që kanë frikë nga nxënësit dhe prindërit e tyre të dhunshëm, duke mos pasur kurajo të marrin masat e duhura ligjore në raste të dhunës ekstreme.
Vetëm një politikë e përgjegjshme, që ka aftësinë të ngrejë pyetjet e duhura për të dhënë zgjidhjet e nevojshme, është çelësi i suksesit për të minimalizuar dhe parandaluar akte të tilla të dhunshme. Përndryshe, një qeveri hipokrite dhe një shoqëri që gëlon në përditshmërinë e saj nga një narrativë e dhunshme që vjen nëpërmjet politikës dhe ekranit, do të pjellë në përditshmëri vetëm akte të tilla, që cilat, siç e tregoi edhe ngjarja e fundit, do të kenë pasoja fatale për jetën e adoleshentëve.